Lajme Zone
Qeveria miraton vendimet, 17 ushtarakë dhe një helikopter shqiptar në KFOR
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Qeveria miraton vendimet, 17 ushtarakë dhe një helikopter shqiptar në KFOR

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku miratoi disa vendime dhe projektligjin për krijimin dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku miratoi disa vendime dhe projektligjin për krijimin dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Një nga vendimet lidhet me angazhimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin KFOR në Kosovë, me një kontingjent prej 17 ushtarakësh dhe një helikopter. Qeveria miratoi gjithashtu një shtesë në vendimin e vitit 2020 që përcakton dokumentacionin dhe rregullat e hollësishme për evidentimin e ndërtimeve pa leje. Në mbledhje u miratua edhe dhënia e mendimit të Kuvendit për një projektligj joqeveritar që parashikon ndryshime në ligjin “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”. Një tjetër vendim lidhet me ndryshime në rregulloren për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë. Në mbledhjen e sotme u miratua edhe emërimi i Mario Keputës në detyrën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit. Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”. Projektligji përcakton rregullat për krijimin, administrimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Sipas objektit të projektligjit, masat synojnë të garantojnë një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit me naftë në Republikën e Shqipërisë.