Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij. Ngjarja është regjistruar në fshatin Luar, në Roskovec. Pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, nisën veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit të dyshuar. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit me inicialet B. M., 37 vjeç, banues në Roskovec. Sipas hetimeve paraprake, 37-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta, përpara banesës së ish-bashkëjetueses së tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhunës në familje” dhe “Veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
