Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke theksuar se çështja penale duhet të trajtohet vetëm nga drejtësia. Në të njëjtën kohë, Rama ka ngritur shqetësimin për ekspozimin publik të të dhënave të dosjes hetimore, duke argumentuar se kjo ka dëmtuar reputacionin e një institucioni të rëndësishëm të sigurisë kombëtare dhe, sipas tij, ka shqetësuar edhe partnerët ndërkombëtarë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdoqoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindoqoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetem në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës.
Këto piketa të vijës së sjelljes sime e të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Për të gjithë. Por nga ana tjetër, respekti për pavarësinë e drejtësisë, nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
U desh, që të dhëna të dosjes hetimore, të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se sa gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht pa asnjë sukses.
Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë.
Me fjalë të tjera, nuk është me siguri hera e parë në historinë e botës, që shefi i shërbimit sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës, që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar e ndërkombëtar thashethemesh mediatike, për shkak të mosmarrjes së asnjërës prej masave, që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq sa ky. Top Channel

