Foto Ilustruese Vonesat në zbatimin e rregullave të reja evropiane dhe dështimi prej dekadash për të mbrojtur pyjet po u krijojnë hapësirë rrjeteve të prerjeve të paligjshme. Nga malet e Librazhdit deri në tregjet përtej Adriatikut, një industri e tërë fshihet pas lejeve për dru zjarri, ndërsa komunitetet lokale përpiqen të shpëtojnë atë që ka mbetur. “Mos iu afroni atyre lartësive. Edhe rrëqebulli i rrallë i Ballkanit i ka braktisur prej kohësh ato kreshta!”. Kështu paralajmërojnë banorët vendas, teksa tregojnë peizazhin e shkatërruar nga prerjet masive të drurëve dhe tharja e burimeve ujore.
Në fshatin Rrajcë-Skënderbe, në një nga zonat natyrore të mbrojtura nga UNESCO në lindje të Shqipërisë, pasojat e këtij shkatërrimi janë të dukshme kudo. Shpatet e maleve janë zhveshur nga pyjet e lashta që dikur mbulonin këtë territor.
Të moshuarit ndalen pranë trungjeve të sapoprerë të ahut dhe tregojnë lëngun që rrjedh prej tyre. Për ta, ai është kthyer në simbol të shkatërrimit të pyjeve. “Ne të moshuarit e quajmë atë ‘lotët e pemës’”, thotë Qemal Bylykbashi. “Pemët qajnë kur priten. Më dhemb shpirti...”.
Sipas ekspertëve vendas, shtyrja e zbatimit të rregullores së Bashkimit Evropian kundër shpyllëzimit, EUDR, u ka dhënë prerësve të paligjshëm më shumë kohë për të vazhduar aktivitetin. Në rrezik ndodhen edhe rreth 3500 hektarë pyje të vjetër ahu, të mbrojtur nga UNESCO.
Por problemi nuk kufizohet vetëm në një zonë. Një boshllëk i krijuar ndër dekada në administrimin dhe mbrojtjen e pyjeve ka favorizuar shfrytëzimin e tyre, ndërsa mangësitë në sistemin e kontrollit kanë lejuar që lënda drusore me origjinë të dyshimtë të futet në tregjet evropiane.
Një periudhë e favorshme për prerësit e paligjshëm
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përmban disa nga pyjet më të vjetra të ahut në Evropë. Në këtë zonë gjenden pemë deri në 600-vjeçare, por edhe këto pyje sot janë nën presionin e prerjeve të paligjshme.
Kur rregullorja EUDR të hyjë plotësisht në fuqi, çdo ngarkesë druri e eksportuar drejt Bashkimit Evropian do të duhet të shoqërohet me të dhëna të sakta gjeografike që provojnë origjinën e saj.
Kjo do të detyrojë eksportuesit dhe shtetin shqiptar të krijojnë sisteme dixhitale për gjurmimin e lëndës drusore dhe monitorimin e pyjeve. Rregullorja u miratua në vitin 2023, por do të nisë të zbatohet për kompanitë e mëdha në dhjetor 2026 dhe për operatorët më të vegjël nga mesi i vitit 2027.
Inxhinieri pyjor Ahmet Mehmeti, anëtar i Klubit Ekologjik Shqiptar, paralajmëron se kjo periudhë u ka dhënë rrjeteve të paligjshme kohë shtesë për të shfrytëzuar rezervat më të vlefshme të pyjeve. Por, sipas tij, problemi nuk do të zhduket automatikisht me hyrjen në fuqi të rregullave të reja.
Rrjetet mund të përpiqen të legalizojnë drurin e prerë në mënyrë të paligjshme përmes dokumenteve të falsifikuara, ta përziejnë me dru të ligjshëm në sharra ose ta zhvendosin aktivitetin drejt tregjeve jashtë BE-së dhe tregut vendas.
“Vijnë natën, shpejt dhe pa mëshirë”, thotë Muhamet Menalla nga fshati Hotolisht. “Nëse bën pyetje, të kërcënojnë. Policia lokale bën sikur nuk i sheh. Ky pyll është trashëgimia jonë, por po shitet copë pas cope!”.
Pasojat nuk ndihen vetëm në pyll. Ato kanë filluar të ndryshojnë jetën e përditshme të komuniteteve malore. “Dikur kishim ujë të pastër kristal që vinte drejt nga mali”, thotë Trendafile Hasgjeta nga Hotolishti.
“Tani burimet janë bërë me baltë ose po thahen krejt, sepse nuk kanë më rrënjët e pemëve që mbajnë ujin. Na duhet të ecim kilometra ose të blejmë ujë të ambalazhuar”, shton ajo.
Një moratorium që nuk e ndali shkatërrimin
Rrënjët e krizës së sotme duhen kërkuar te vitet 1990. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u përball me një dobësim të thellë të institucioneve dhe me mungesën e kontrollit shtetëror në zona të tëra.
Në territoret e largëta dhe kufitare, si Librazhdi, pyjet mbetën praktikisht pa mbrojtje. Gjatë kësaj periudhe nisën të konsolidohen rrjete të organizuara që nuk kryenin më prerje sporadike, por ngritën një infrastrukturë të tërë për shfrytëzimin e pyjeve.
Buldozerë dhe eskavatorë u përdorën për të hapur rrugë në thellësi të zonave malore, duke krijuar akses në territore që më parë kishin qenë të paarritshme. Në vitin 2016, qeveria shqiptare vendosi një moratorium 10-vjeçar për prerjet tregtare të pyjeve dhe eksportin e lëndës drusore.
Por pamjet satelitore dhe të dhënat e inspektimeve tregojnë se ndalimi nuk e ka zhdukur fenomenin. Zbatimi i dobët i ligjit, mungesa e kapaciteteve për kontroll dhe përdorimi i lejeve për të anashkaluar kufizimet e kanë bërë moratoriumin kryesisht joefektiv në terren.
Ahmet Mehmeti thotë se një nga mënyrat e manipulimit lidhet me përdorimin e lejeve për dru zjarri. “Ata i ngarkojnë kamionët me drurin e ahut të cilësisë më të lartë. Parcelat ku kanë leje për dru zjarri shpesh nuk preken fare, ndërsa prerjet përqendrohen aty ku ndodhet druri më i mirë. Nuk respektohet asnjë rregull. Presin atë që u intereson”, thekson ai.
Qeveria shqiptare nuk ka bërë ende të ditur nëse do ta zgjasë moratoriumin apo do ta zëvendësojë me një model tjetër për administrimin e pyjeve. Ekspertët paralajmërojnë se skadimi i tij, pa krijuar një sistem real kontrolli, mund ta përkeqësojë situatën.
Monitorimi satelitor, ndëshkimet e rënda dhe gjurmimi dixhital i drurit konsiderohen ndër masat kryesore që mund të frenojnë tregtinë e paligjshme.
Një biznes që kapërcen Adriatikun
Druri i prerë në malet shqiptare nuk përfn gjithmonë në tregun vendas. Një pjesë e tij kalon Adriatikun dhe furnizon tregjet e Evropës Perëndimore. Statistikat zyrtare nuk mund të evidentojnë drejtpërdrejt sasinë e drurit të paligjshëm që futet në treg.
Por ekspertët shpjegojnë se ai mund të “pastrohet” duke u përzier me dru të prerë ligjërisht ose duke u pajisur me dokumente të rreme. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth gjysma e eksporteve shqiptare të lëndës drusore shkojnë drejt Italisë.
Në nivel lokal, tenderët për prerjen e druve të zjarrit kanë ngritur vazhdimisht dyshime. Analizat e prokurimeve publike kanë evidentuar raste ku të njëjtat subjekte fitojnë vazhdimisht kontrata bashkiake, shpesh duke qenë ofertuesit e vetëm.
Banorët vendas, pretendojnë se disa prej këtyre tenderëve përdoren si mbulesë për shfrytëzim tregtar në shkallë të gjerë. Druri me vlerë të lartë, mund të futet më pas në treg duke u deklaruar fillimisht si dru për ngrohje familjare.
Megjithatë, një nga faktorët kryesorë që ushqen këtë tregti është kërkesa e brendshme. Në shumë zona të Shqipërisë, familjet varen ende nga drutë për ngrohjen gjatë dimrit. Me çmimin e drurit të cilësisë së lartë që arrin deri në rreth 80 euro për metër kub, tregtia e lëndës drusore gjeneron miliona euro.
“Në letra shkruhet ‘dru zjarri për përdorim lokal’, por buldozerët tregojnë një histori krejt tjetër”, thotë Mehmeti. “Nuk hapen rrugë të reja në një mal të mbrojtur me eskavatorë vetëm për të mbledhur disa degë për dimër. Ajo që po ndodh është një shfrytëzim në shkallë industriale, i fshehur pas lejeve për përdorim familjar”, nënvizon ai.
Një problem që prek të gjithë Evropën
Pasojat e shpyllëzimit nuk ndalen në kufijtë e Shqipërisë. Profesorët e fiziologjisë së bimëve, María del Pilar Cordovilla Palomares dhe Ramon Alberto Batista Garcia nga Universiteti i Jaénit në Spanjë, paralajmërojnë se shkatërrimi i pyjeve në Ballkan ndikon në ciklin e ujit në shkallë evropiane.
Pyjet e dendura malore, luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e lagështisë dhe në formimin e reve. Ato çlirojnë në atmosferë sasi të mëdha avulli uji, duke ndikuar në modelet e reshjeve në Evropën Jugore.
Kur këto pyje zhduken, prishet edhe ky ekuilibër natyror. Kostoja për Shqipërinë është tashmë e dukshme. Sipas të dhënave të Global Nature Watch, në vitin 2020 pyjet natyrore mbulonin rreth 710 mijë hektarë, ose një të katërtën e sipërfaqes së vendit.
Vetëm gjatë vitit 2025 u zhdukën rreth 4400 hektarë pyje natyrore, një sipërfaqe sa më shumë se 6000 fusha futbolli. Humbja e tyre çliroi në atmosferë rreth 800 mijë tonë dioksid karboni.
Blerina Pupuleku, pedagoge e biologjisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, thotë se problemi shkon shumë përtej humbjes së lëndës drusore. “Ne nuk po humbasim thjesht dru. Po shkatërrojmë sistemin që i mban malet gjallë”, paralajmëron ajo. “Kur mungojnë rrënjët që mbajnë tokën, ajo shpëlahet, shkaktohen rrëshqitje dhe ndoten lumenjtë.”
Kur komunitetet bëhen mbrojtësit e fundit
Përballë mungesës së kontrollit institucional, në shumë zona janë vetë komunitetet, ato
që kanë marrë përsipër mbrojtjen e pyjeve. Në Librazhd, Nisma për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin përdor fotografi me koordinata GPS dhe aplikacione të ndryshme për të dokumentuar rastet e prerjeve të paligjshme në kohë reale.
Qëllimi është krijimi i provave që institucionet të mos mund t'i injorojnë. “Nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndërsa po na presin të ardhmen. Kur institucionet nuk arrijnë të mbrojnë trashëgiminë tonë natyrore, përgjegjësia bie mbi komunitetin”, thotë një nga aktivistet e grupit.
Në Librazhd dhe në zonën e Elbasanit, aktivizmi nuk kufizohet vetëm te protestat. Rrjetet rinore dhe organizatat e shoqërisë civile monitorojnë cilësinë e ujit, dokumentojnë prerjet dhe ndjekin mjetet që transportojnë dru të dyshimtë.
Ky angazhim ka prodhuar edhe rezultate konkrete. Denoncimet e qytetarëve dhe provat e siguruara në terren kanë çuar në sekuestrimin e kamionëve pa dokumentacion, mbylljen e sharrave të paligjshme dhe kontrolle të papritura nga inspektoratet.
Por ekspertët paralajmërojnë se aktivizmi lokal nuk mund ta zëvendësojë përgjithmonë shtetin. Sipas Blerina Pupulekës, zgjidhja nuk qëndron vetëm te miratimi i ligjeve të reja. Nevojitet një sistem monitorimi satelitor në kohë reale, që të mundësojë verifikimin e origjinës së çdo ngarkese druri.
Po aq e rëndësishme është mbështetja ligjore, financiare dhe teknike për grupet lokale që monitorojnë mjedisin. Pa një sistem të tillë kontrolli, pyjet shqiptare do të vazhdojnë të mbeten në mëshirën e një tregtie që prej vitesh ka ditur të përshtatet me boshllëqet e ligjit dhe dobësinë e institucioneve.
Dhe ndërsa në malet e Rrajcës trungjet e sapoprerë vazhdojnë të rrjedhin lëng, “lotët e pemëve” mbeten ndoshta simboli më i qartë i një pasurie natyrore që Shqipëria rrezikon ta humbasë përgjithmonë./ Pwrshtati "Pamfleti" Nga “Transition Online” pyjet shqiptare nën pushtetin e mafies së drurit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Moti bën kthesë të shtunën, ja kur vjen vjeshta e vërtetë! 8 Shtator 2026, 12:1912:19Aktualitet Vijon lufta me flakët, Ministria e Mbrojtjes: Mbetet aktive vajtra në Dajt, situata në qarqet e tjera 8 Shtator 2026, 11:2311:23Aktualitet Protestë në Patos-Marinzë, banorët përplasen me Bankers: Do të bllokojmë puset e naftës! 8 Shtator 2026, 10:5810:58Aktualitet Ngërçi i pagave të magjistratëve sjell bojkotin e parë, bllokohen shërbimet në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës! 8 Shtator 2026, 10:3510:35Aktualitet Zbardhet shkaku i helmimit në Fushë-Arrëz, ndotja erdhi nga rrjeti i ujësjellësit! 8 Shtator 2026, 09:2509:25Aktualitet Gazetarja ngre alarmin: Krimi është sofistikuar, po pajtohen vrasës! 8 Shtator 2026, 08:5408:54Aktualitet

