Një video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku shihet një fëmijë që duket rreth moshës 10-12 vjeç në rrugët e Shkodrës gjatë natës, duke shtyrë një karrocë pune me një kosh përpara.
Në pamje, fëmija shihet duke mbledhur mbetje pranë rrugës dhe më pas vijon të lëvizë me karrocën, në pjesën e pasme të së cilës ndodhen edhe mjete të tjera pune.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është fakti se fëmija duket të jetë vetëm, në orët e natës dhe duke kryer një aktivitet që ngjan me punë pastrimi në rrugë.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, bëhet fjalë për një situatë që ai e ka parë edhe herë të tjera. I pyetur nëse fëmija është gjithmonë vetëm, ai përgjigjet: “Shumicën e rasteve po.”
Denoncuesi ngre dyshime edhe për përfshirjen e punonjësve të Bashkisë Shkodër, pasi karroca dhe mjetet që përdor fëmija ngjajnë me pajisje pune për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Megjithatë, nga pamjet nuk mund të konfirmohet nëse fëmija është duke punuar për Bashkinë, për një subjekt privat apo në çfarë rrethanash ndodhet aty.
Dhe pikërisht këtu lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje: Kush është ky fëmijë? Pse ndodhet natën në rrugët e Shkodrës duke kryer këtë aktivitet? Kush është përgjegjës për të? A janë në dijeni strukturat e Bashkisë dhe shërbimet sociale?
Nëse bëhet fjalë për një fëmijë që është realisht i angazhuar në punë, situata bëhet edhe më serioze dhe kërkon verifikim e ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Një fëmijë i kësaj moshe nuk duhet të jetë vetëm natën nëpër rrugë, aq më tepër duke kryer një aktivitet të tillë.
Dhe pyetja për kryebashkiakun Benet Beci është e drejtpërdrejtë: A është në dijeni Bashkia Shkodër për këtë rast dhe si shpjegohet që një fëmijë i kësaj moshe shihet natën duke pastruar rrugët e qytetit?
Institucionet duhet të sqarojnë çfarë fshihet pas këtyre pamjeve. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

