Liderët e së majtës evropiane / Historiani dhe politologu francez, Marc Lazar, analizon pasojat e humbjes së Trumpit, përçarjet mes të djathtave nacionaliste, ambicien e Melonit dhe vështirësitë që vazhdojnë të mbajnë në krizë të majtën evropiane... Humbja e Donald Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit, i detyron të djathtat sovraniste në Evropë të rishikojnë afërsitë politike që kanë kultivuar me presidentin amerikan. Por “do të ishte një gabim i madh, nëse të majtat evropiane do të mendonin se mund të dalin nga kriza e tyre vetëm sepse demokratët amerikanë kanë fituar”, thotë për HuffPost Marc Lazar, historian dhe politolog, profesor në Sciences Po dhe pedagog në Universitetin LUISS. Marc Lazar / Ai bën thirrje për kujdes, duke iu drejtuar edhe Elly Schlein-it, e cila në fitoren e demokratëve përtej Atlantikut sheh shenjën e një faze të re politike. “Çdo vend ka problemet e veta”, thekson Lazar. Sipas tij, kryeministrja italiane Giorgia Meloni vazhdon të gëzojë një pozicion të fortë dhe synon të shndërrohet në pikën kryesore të referimit për të djathtën evropiane.
Ndërkohë në Francë, distancimi i Tubimit Kombëtar (Rassemblement National) nga Trumpi ka nisur përpara zgjedhjeve të mesmandatit, duke nxjerrë në pah përçarjet e një kampi sovranist që është larg të qenit i bashkuar.
Për Bashkimin Evropian, mbeten të hapura sfidat e autonomisë strategjike nga Shtetet e Bashkuara, të mbrojtjes së përbashkët dhe të mbështetjes për Ukrainën. Mbi këto çështje rëndojnë edhe tensionet sociale dhe protestat kundër riarmatimit.
A mund t’i dobësojë edhe të djathtat evropiane humbja e Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit?
Nuk besoj se ekziston një model politik “Made in USA”, i cili mund të riprodhohet domosdoshmërisht në Itali, Francë apo gjetkë. Megjithatë, një humbje kaq e rëndë i vendos të djathtat sovraniste evropiane përballë një dileme.
Mendoj për AfD-në gjermane, për Éric Zemmour-in në Francë, për Viktor Orbánin, i cili gjithashtu pësoi humbje në Hungari, dhe natyrisht për Giorgia Melonin. Të gjithë, në shkallë të ndryshme, kanë qenë pranë Trumpit.
Kryeministrja italiane është distancuar gradualisht prej tij, sidomos pas sulmeve ndaj Papës, por përputhjet politike kanë qenë të thella. Ato nisin me nacionalizmin dhe nativizmin, pra me idenë se kombi duhet t'u japë përparësi anëtarëve të tij të konsideruar si “autentikë”.
Kjo shprehet përmes parullës “italianët të parët” në Itali, apo parimit francez të préférence nationale, që nënkupton përparësinë kombëtare. Kësaj i shtohet kundërshtimi ndaj imigracionit, ndonëse me metoda të ndryshme, si dhe beteja kundër së majtës dhe të ashtuquajturit “wokizëm”. Humbja e manjatit amerikan, i detyron tani të djathtat evropiane të reflektojnë mbi përmasat dhe pasojat e këtyre afërsive.
Së fundmi, Jordan Bardella i Tubimit Kombëtar ia atribuoi humbjen e Trumpit edhe pasojave ekonomike të luftës në Iran. Është një distancim taktik apo shenjë e një përçarjeje më të thellë?
Për ta kuptuar këtë, duhet të kthehemi në vitin 2016. Pas fitores së parë të Trumpit, Fronti Kombëtar i asaj kohe u përpoq menjëherë t’i afrohej presidentit të ri amerikan. Marine Le Pen shkoi madje deri te Kulla Trump, pa arritur të takohej me të, ndërsa shtoi deklaratat për afërsitë politike dhe ideologjike mes tyre.
Në këtë afrim ndikoi edhe Steve Bannon, ish-strategu i Trumpit dhe një nga figurat kryesore të së djathtës radikale amerikane. Ai u mirëprit si në kongresin e Frontit Kombëtar, ashtu edhe në festivalin politik Atreju, në Romë, në një kohë kur Meloni nuk ishte ende kryeministre.
Por në mandatin e dytë të Trumpit, Tubimi Kombëtar ka mbajtur një qëndrim më të distancuar. Fillimisht ishin tarifat doganore, të cilat shkaktuan shqetësim si në Francë, ashtu edhe në Itali. Më pas erdhën pretendimet amerikane për Groenlandën dhe, së fundmi, lufta në Iran.
Prandaj, deklaratat e Bardellës nuk përbëjnë një ndryshim të papritur kursi. Që në shkurt të vitit 2025, ai kishte hequr dorë nga pjesëmarrja në CPAC, konferencën vjetore të konservatorëve amerikanë, pasi Bannon, gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, kishte ngritur krahun në një gjest që u interpretua si referencë ndaj ideologjisë naziste. Bannon i hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se bëhej fjalë thjesht për një përshëndetje.
Përtej afërsive ideologjike, sa të thella janë aktualisht përçarjet brenda kampit sovranist?
Ato janë më domethënëse nga sa mund të duken. Partitë që unë i quaj nacional-populiste të djathta, nuk përbëjnë aspak një front të bashkuar. Ekzistojnë dallime thelbësore, sidomos në strategjitë politike.
Fratelli d’Italia dhe Tubimi Kombëtar, pavarësisht programeve dhe perspektivave të ndryshme, ndjekin një linjë që në dukje është e moderuar, edhe pse në thelb mbetet shumë e ashpër, veçanërisht në rastin e Le Penit dhe herë pas here, edhe të Melonit.
Ndërkaq Trump, ka zgjedhur një politikë tejet agresive, edhe në planin e brendshëm. Një qasje të ngjashme gjejmë edhe te AfD-ja gjermane. Pra, pas një përkatësie të përbashkët ideologjike fshihen mënyra shumë të ndryshme të konceptimit dhe zhvillimit të betejës politike.
Trump po humbet terren brenda vendit, por ruan kompetenca të gjera në politikën e jashtme. A duhet të përgatitet Evropa për një president edhe më të paparashikueshëm?
Ndryshimet e tij të vazhdueshme të qëndrimit, pasqyrojnë një mënyrë të caktuar të ushtrimit të politikës. Nuk shoh asnjë arsye pse ai duhet ta ndryshojë këtë qasje pas humbjes së fundit.
Jam i bindur se shumica e vendeve evropiane, e kanë mirëpritur humbjen e tij, edhe pse nuk e kanë shprehur hapur.
Megjithatë, do të ishte iluzion të mendohej se rezultati i zgjedhjeve mjafton për të rindërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë mes Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian, apo mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të veçanta anëtare.
Çështja kryesore, është se kjo humbje i detyron evropianët të përballen me një pyetje themelore: çfarë Evrope duam të ndërtojmë?
Ne duhet të fitojmë më shumë autonomi, pa i ndërprerë për këtë arsye lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Pas dy vjetësh, në Shtëpinë e Bardhë mund të vijë një president demokrat, por
nevoja për një Evropë më autonome do të mbetet e njëjtë. Kjo vlen para së gjithash për domosdoshmërinë e ndërtimit të një mbrojtjeje të vërtetë të përbashkët.
A duhet të vazhdojë mbështetja për Ukrainën?
Kjo është një nga çështjet më delikate. Trump mund ta ndryshojë sërish qëndrimin, në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Vladimir Putinin, edhe nëse kjo do të nënkuptonte sakrifikimin e Ukrainës.
Një fitore e mundshme e Marine Le Penit në zgjedhjet presidenciale franceze, do ta ndërlikonte edhe më shumë situatën. Udhëheqësja e Tubimit Kombëtar, ka deklaruar se do t’i ndërpriste menjëherë ndihmat për Kievin.
Por tabloja ndërlikohet edhe nga tensionet sociale që përshkojnë Evropën, ndonëse ato marrin forma të ndryshme nga një vend në tjetrin. Në Francë, pakënaqësia përqendrohet kryesisht te kostoja e jetesës. Në Itali, protestave kundër shtrenjtimit të jetës u shtohen edhe ato kundër riarmatimit.
Nëse kriza sociale do të thellohej, presioni i qytetarëve mund t’ua kufizonte ndjeshëm hapësirën e manovrimit qeverive që synojnë të ruajnë angazhimin e tyre në mbështetje të Ukrainës.
Ndërkohë, Franca, e përfshirë nga paqëndrueshmëria politike dhe tensionet sociale, po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të prillit 2027. Çfarë skenarësh parashikoni?
Për momentin do të thosha: të presim dhe të shohim. Duhet treguar shumë kujdes, sepse panorama e kandidaturave mbetet ende tejet e paqartë. Një gjë është të vlerësosh raportet aktuale të forcave politike dhe krejt tjetër të parashikosh se çfarë do të ndodhë pas disa muajsh.
Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin të dielën, me raundin e dytë dy javë më vonë, mendoj se Marine Le Pen do të kishte shanse shumë të mira për të fituar. Por deri në zgjedhjet presidenciale, ekuilibrat mund të ndryshojnë shumë.
Po Giorgia Meloni? Ajo është përpjekur të pajtojë afërsinë me Trumpin me rolin e saj në Bashkimin Evropian, jo pa shkaktuar disa përplasje. Çfarë peshe mund të ketë tani në ekuilibrat e rinj kontinentalë?
Meloni duket se ka zgjedhur para së gjithash, të ulë tonet për Trumpin dhe të flasë sa më pak për të. Mendoj se ambicia e saj sot është të afirmohet si pikë referimi për të djathtat evropiane dhe jo vetëm. Në fund të fundit, ajo ka disa avantazhe në favor.
Drejton një qeveri që ka dëshmuar një qëndrueshmëri të konsiderueshme dhe gëzon një mbështetje personale e politike dukshëm më të madhe se ajo e shumë liderëve të tjerë. Sigurisht, nuk mungojnë as të panjohurat. Ajo ka humbur referendumin dhe rizgjedhja e saj në zgjedhjet e ardhshme është larg të qenit e sigurt.
Megjithatë, nëse shohim raportet e forcave mes Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Pedro Sánchezit dhe Melonit, mendoj se pikërisht kryeministrja italiane ndodhet sot në pozicionin më të favorshëm politik.
A mund ta ruajë ajo rolin e urës lidhëse mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara?
Besoj se do të përpiqet ta ruajë këtë rol. Afërsia e saj me Trumpin, është pjesë e një marrëdhënieje më të thellë me Uashingtonin, e cila nuk varet nga fakti se kush ndodhet në Shtëpinë e Bardhë.
Italia ka një traditë të konsoliduar atlantiste dhe vazhdon t’i konsiderojë Shtetet e Bashkuara një partner të privilegjuar. Përkundrazi, Franca historikisht ka synuar të ruajë një autonomi më të madhe në marrëdhëniet me Uashingtonin.
Po të majtat evropiane? A mund ta shohin fitoren e demokratëve amerikanë si shenjë të një kthese edhe për veten e tyre?
Do të ishte një gabim i rëndë të mendohej se suksesi i demokratëve amerikanë mund ta zgjidhë, i vetëm, krizën e së majtës evropiane. Kur them se nuk ekziston një model politik “Made in USA”, kjo vlen për të djathtën, por po aq edhe për të majtën.
Kam parë entuziazmin e Elly Schlein-it, e bindur se pas humbjeve të Orbánit, Bolsonaro-s dhe Trumpit po hapet një fazë e re dhe se klima gjeopolitike po ndryshon. Unë do të këshilloja më shumë kujdes. Çdo vend ka problemet dhe dinamikat e veta politike.
Të majtat evropiane, nuk duhet të flenë mbi dafina duke u mbështetur te fitoret e të tjerëve./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”fitorja e demokratëve në usa Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Ben Blushi: Plani çifut për ta bërë Tiranën Jerusalem 8 Nëntor 2026, 10:5510:55Forum Dje Berisha i rrahu me shpulla studentët në shesh por çfarë do ju bënte nëse do ishte kryeministër? 8 Nëntor 2026, 09:1509:15Forum Spiunët në Hungari dhe spiunët që mbajnë peng Shqipërinë 7 Nëntor 2026, 20:4820:48Forum Plani për shpërndarjen e demonstratës 7 Nëntor 2026, 20:3020:30Forum Etnografia absurde e komunikimit Rama-Berisha?! 7 Nëntor 2026, 18:2518:25Forum Hungaria hap dosjet e komunizmit: Mes së vërtetës historike, traumave sociale dhe luftës politike 7 Nëntor 2026, 14:4614:46Forum

