Lajme Zone
Pse Edi Ramës do t’ia hanë kokën të vetët
PolitikëPamfleti

Pse Edi Ramës do t’ia hanë kokën të vetët

Ai vazhdon të drejtojë një parti që figuron në familjen e socialistëve europianë dhe mban postin e zëvendëspresidentit të Internacionales Socialiste.

Edi Rama / Deshi të ishte njëherësh socialist i Europës, mik i Sorosit, admirues i Orbanit, partner i Melonit dhe garant i Kushnerit. U hoq “më katolik se Papa” dhe tani kisha e tij politike po e shkishëron... Edi Rama nuk rrezikon të rrëzohet nga e djathta. Goditja që mund t’i kushtojë më shtrenjtë po vjen nga e majta ndërkombëtare: nga ajo familje politike, mediatike dhe kulturore që e krijoi, e përgatiti dhe e shiti për vite me radhë si artistin modernizues të Ballkanit.

Ai vazhdon të drejtojë një parti që figuron në familjen e socialistëve europianë dhe mban postin e zëvendëspresidentit të Internacionales Socialiste.

Në mars të vitit 2025, Partia Socialiste priste në Tiranë drejtues të kësaj organizate për të diskutuar “zgjidhjet progresiste” të botës së re. Internacionalja Socialiste e rendit Ramën mes drejtuesve të saj, ndërsa Partia e Socialistëve Europianë e paraqet ende si pjesë të familjes.

Kjo ishte shtëpia politike e Edi Ramës. Aty u ndërtua figura e reformatorit, e europianistit, e piktorit që solli ngjyra në një vend të dalë nga diktatura. Mediat liberale e trajtuan gjatë si një përjashtim tërheqës ballkanik. Korrupsioni, kanabizimi, koncesionet, lidhjet e pushtetit me oligarkët dhe zbrazja e vendit kalonin shpesh si zhurmë periferike përballë portretit të kryeministrit me atlete dhe lapsa me ngjyra.

Me kalimin e viteve, Rama nuk u mjaftua me këtë rol. Deshi të ishte njeriu i të gjithëve, më i zellshëm se vetë liderët të cilëve u afrohej dhe më besnik ndaj interesave të tyre sesa ndaj historisë politike që përfaqësonte.

Giorgia Melonit i dha territorin shqiptar për eksperimentin më të diskutueshëm të së djathtës europiane me emigrantët. Gjykatat italiane e bllokuan disa herë funksionimin e qendrave, organizatat e të drejtave të njeriut e kundërshtuan, ndërsa Rama deklaroi se do ta bënte marrëveshjen “edhe njëqind herë” për Italinë. EFE e përshkruante Melonin dhe Ramën si miq, ndërsa kryeministri socialist shqiptar u bë mbrojtësi më i zëshëm i një skeme të projektuar nga qeveria italiane e së djathtës.

Problemi nuk ishte marrëdhënia me Italinë. Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me çdo qeveri italiane. Problemi ishte zelli për ta shitur si akt bujarie kombëtare një marrëveshje që e kthente territorin shqiptar në laborator politik të Melonit. Kryeministri socialist u përpoq të ishte më melonist se Meloni.

Me Viktor Orbanin shkoi edhe më tej. Marrëdhëniet ekonomike me Hungarinë u zgjeruan përmes bankës OTP, kompanisë 4iG dhe interesave të tjera hungareze. Rama e lavdëroi Orbanin për mbështetjen ndaj integrimit të Ballkanit dhe, sipas Telex, e quajti madje model. Vetë qeveria hungareze i cilësonte marrëdhëniet me Tiranën “të shkëlqyera” dhe evidentonte praninë e kapitalit hungarez në sektorët strategjikë shqiptarë. Qeveria hungareze

Edhe këtu nuk është problem diplomacia. Shtetet nuk i zgjedhin fqinjët dhe partnerët sipas ngjyrës së teserës. Çështja është se Edi Rama nuk sillet si kryeministër që ndërton ura; ai përvetëson gjuhën, stilin dhe interesat e çdo lideri të fuqishëm që ka përballë. Me socialistët është progresist, me Orbanin sovranist, me Melonin gardian i emigrantëve, me Erdoganin vëlla, ndërsa me Trumpin bëhet biznesmeni që dëshiron ta kthejë bregdetin shqiptar në vitrinë luksi.

Sazani e çau përfundimisht dekorin. Projekti i lidhur me Jared Kushnerin dhe Ivanka Trumpin e vendosi Ramën në anën e oligarkut të huaj, përballë protestuesve, mjedisorëve dhe një brezi të ri që thërret se Shqipëria nuk është në shitje. Kryeministri nuk ruajti as distancën minimale institucionale. Ai e mori projektin nën mbrojtje politike dhe deklaroi se nuk do të ndalej sa kohë të ishte në pushtet. The Guardian e paraqiti konfliktin si revoltë kundër një klase oligarkike, ndërsa Euronews raportoi edhe paralajmërimin e Komisionit Europian për pasojat që cenimi i standardeve mjedisore mund të ketë mbi negociatat e anëtarësimit.

Këtu filloi era e ndryshimit. Mediat progresiste që dikur shikonin te Rama piktorin europian, tani shohin aleatin e familjes Trump. Aktivistët e majtë nuk shohin më reformatorin, por kryeministrin që u hap rrugën kapitalit të madh në një zonë të mbrojtur. Flotilja që po lundron drejt Sazanit përdor hapur gjuhën e “rrëmbimit neokolonial të tokës”, të luftës kundër oligarkisë dhe të rezistencës ndaj kapitalit të huaj.

E majta ndërkombëtare nuk e zbuloi sot korrupsionin në Shqipëri. Për vite me radhë zgjodhi të mos e shihte. Ajo zbuloi sot se Edi Rama nuk i shërben më rrëfimit të saj. Njeriu që e kishte promovuar si simbol të një Ballkani progresist u shfaq përkrah figurave që kjo e majtë i konsideron kundërshtarë: Orbanit, Melonit dhe familjes Trump.

Rama mendoi se mund të ishte mik i Sorosit dhe garant i Kushnerit, socialist me Pedro Sánchez-in dhe model me Orbanin, humanist në konferenca dhe administrator kampesh emigrantësh në Shqipëri. Besoi se mund t’u premtonte të gjithëve gjithçka dhe secili do ta konsideronte njeriun e vet.

Kjo lojë funksionon për një kohë. Pastaj vjen çasti kur të gjithë kërkojnë të dinë se kujt i përket.

“Të vetët” që mund t’ia hanë kokën politikisht nuk janë domosdoshmërisht në Partinë e socialistëve shqiptarë. Ata janë rrjeti ndërkombëtar i mediave progresiste, organizatave mjedisore, aktivistëve, fondacioneve dhe partive socialiste që i dhanë legjitimitet përtej kufijve të Shqipërisë. Kur ky rrjet tërheq mbështetjen, portreti i piktorit reformator bie dhe pas tij mbetet pushtetari që ka qeverisur për katër mandate mes skandaleve.

Edi Rama deshi të bëhej më katolik se Papa në çdo kishë ku hyri. Harroi se kishat politike kanë doktrinat, interesat dhe armiqtë e tyre. Mund të ndërrosh altarin disa herë, por nuk mund të kërkosh të të falen të gjitha mëkatet njëkohësisht.

Në fund, nuk do ta dënojnë sepse mbrojti një bindje. Mund ta dënojnë pikërisht sepse nuk pati asnjë bindje. Kur përpiqesh të jesh i të gjithëve, përfn pa qenë i askujt. Dhe i pari që të shkishëron është gjithmonë kampi që të ngriti./Pamfletipse edi ramës do t'ia hanë kokën të vetët gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Piktori që retushon skandalet 20 Gusht 2026, 18:0818:08Editorial Këtu e ka marrë ferra uratën 19 Gusht 2026, 19:4119:41Editorial Ky stan, këtë bylmet ka... 18 Gusht 2026, 19:2019:20Editorial Besa e fundit e Edi Ramës 17 Gusht 2026, 14:1214:12Editorial Amerikës i duhet një president që nuk luan në bursë 16 Gusht 2026, 09:4909:49Editorial Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet! 15 Gusht 2026, 10:2010:20Editorial