Nga Anke Dankers, dpa Trupat tanë djersijnë për të qëndruar të freskët, por shumë prej nesh e gjejnë këtë ndjesi të pakëndshme, nuk e pëlqejnë erën ose kanë vështirësi me faktin që rrobat mund të lagen. Ja si të qëndroni të freskët kur moti është i ngrohtë.Lexo edhe:Shkencëtarët zbulojnë rrjetin nervor të fshehtë që ndihmon rritjen e kancerit të gjirit Teksa temperaturat rriten, disa prej nesh fillojnë të ndihen në ankth për shkak të djersitjes. Qoftë për shkak të erës apo të rrobave të lagura, djersitja mund ta bëjë motin e nxehtë më pak të këndshëm. Por djersitja është e mirë për ne, thonë mjekët, edhe pse shumë prej nesh ngurrojnë të djersijnë shumë, përveçse kur merren me sport. Pse disa prej nesh djersijnë më shumë se të tjerët dhe si mund ta përballojmë më së miri? Një fiziolog dhe një dermatologe ofrojnë disa këshilla. Pse djersijmë? Trupat tanë prodhojnë vazhdimisht nxehtësi për të qëndruar në temperaturën 37 gradë Celsius, që është temperatura normale e trupit të njeriut. “Për sa kohë që është freskët, kjo nuk përbën problem”, thotë Ralf Brandes nga Shoqata Gjermane e Fiziologjisë. Por nëse temperatura e jashtme rritet ose trupi prodhon shumë nxehtësi, ai duhet të çlirohet prej saj për të shmangur mbinxehjen, pasi kjo është e rrezikshme. Procesi në vetvete përfshin transferimin e nxehtësisë përmes ajrit që qarkullon mbi lëkurën tonë, ose përmes rrezatimit dhe konveksionit, me fjalë të tjera. Nëse kjo nuk mjafton, fillojmë të lageni. “Djersitja na mundëson të çlirojmë nxehtësinë përmes avullimit. Kjo është shumë efikase. Një mililitër djersë mund të ftohë një litër ujë me një gradë”, thotë Brandes. Kjo shpjegon pse ditët me lagështirë të lartë janë kaq rraskapitëse për shumë njerëz. “Uji që trupi çliron përmes djersitjes nuk avullon aq lehtë në ajër, sepse ajri tashmë është i ngopur me lagështi”, thotë Brandes, fiziolog në Universitetin Goethe të Frankfurtit. Pse disa prej nesh djersijnë më shumë se të tjerët? Sa shumë djersitni është në thelb çështje e përbërjes trupore, thotë Brandes. Njerëzit me trupa më të vegjël dhe më të rrumbullakët kanë një sipërfaqe trupore më të vogël në raport me masën e tyre, ndaj duhet të djersijnë më shumë për të çliruar më tepër nxehtësi. Faktorët gjenetikë dhe hormonalë ndikojnë gjithashtu në sasinë e djersitjes së një personi. Në një masë të caktuar, mund ta stërvitni veten për të djersitur duke bërë rregullisht ushtrime fizike ose duke shkuar në saunë. Megjithatë, kjo nuk e zvogëlon sasinë e djersës së prodhuar; thjesht do të thotë se djersitni në mënyrë më efikase. “Në të njëjtën kohë, ju stërvitni tolerancën tuaj ndaj temperaturës, në mënyrë që nxehtësia t’ju shkaktojë më pak stres”, thotë Brandes. Çfarë e shkakton erën e trupit? Djersa e freskët nuk ka erë. Ajo përbëhet kryesisht nga ujë, kripëra, ure dhe acid laktik. “Vetëm kur përbërës të tillë si acidi laktik shpërbëhen nga bakteret në lëkurë, shfaqet era karakteristike”, thotë Silke Hofmann nga Shoqata Gjermane e Dermatologjisë. Janë bakteret ato që në të vërtetë prodhojnë erën. Dendësia dhe përbërja e tyre ndryshojnë nga një person te tjetri, thotë dermatologia. Cili është ndryshimi midis deodorantëve dhe antiperspirantëve? Roll-on, spërkatësit ose kremrat ofrojnë freski shtesë, ndërsa në dyqane ka një gamë të gjerë deodorantësh dhe antiperspirantësh. Ndërsa deodorantët ulin numrin e baktereve në lëkurë dhe maskojnë erën me aroma, antiperspirantët pengojnë vetë djersitjen. "Ato përmbajnë kripëra alumini që ngushtojnë gjëndrat e djersës, në mënyrë që më pak djersë të çlirohet në lëkurë”, thotë Hofmann. Rezultatet më të mira arrihen duke i aplikuar produktet në mbrëmje, në lëkurë të pastër dhe të thatë, sepse gjëndrat e djersës janë më pak aktive gjatë natës, duke lejuar që përbërësit të përthithen në mënyrë më efektive.

