E njëjta gjë vlen edhe për politikën e jashtme. Nga një administratë te tjetra, Amerika ndryshon drejtim, harron se ku i ka vendosur kurthet, dhe më pas habitet kur ato shpërthejnë. Kështu ishte 11 shtatori 2001, ajo ngjarje tronditëse që na nxori me forcë nga realiteti që mendonim se njihnim.
Në fillim nuk arrinim të kuptonim se çfarë po ndodhte dhe pyesnim: “Pse na urrejnë?”. Me kalimin e kohës, realiteti i ri u bë më i qartë: ishim në luftë me njerëz që i kishim kushtuar shumë pak vëmendje. Por nëse do të ishte një histori optimiste, do të mund të thosha se 11 Shtatori na ndihmoi ta kuptonim më mirë botën.
Nuk ndodhi kështu. Në vitin 2003 pushtuam Irakun për të gjetur armë të shkatërrimit në masë që nuk ekzistonin, dhe për të ndëshkuar Saddam Husseinin për 11 Shtatorin, me të cilin ai nuk kishte asnjë lidhje.
Irakenët që po varfëronim, torturonim dhe vrisnim, nisën në mënyrë të kuptueshme, të luftonin kundër nesh dhe njëri-tjetrit. Në vitin 2004, në Kaliforni, dëgjova amerikanë të thoshin: “Ne i çliruam, por ata nuk e vlerësojnë. Po përpiqemi t’i ndihmojmë, por ata janë mosmirënjohës!”.
Kur i pyeta përse mendonin se rrëmbyesit e 11 Shtatorit i urrenin amerikanët, përgjigjja ishte e gatshme: “Na urrenin për liritë tona!”. Por historia është më e ndërlikuar sesa kaq. Kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin në vitin 1979, Amerika kishte të drejtë të mbështeste rezistencën afgane.
Gabimi ishte se Uashingtoni, së bashku me Arabinë Saudite, ndihmoi në financimin dhe armatosjen e forcave islamiste pa menduar seriozisht se çfarë do të ndodhte pasi sovjetikët të largoheshin. Muxhahedinët e bënë punën e tyre.
Sovjetikët u tërhoqën në vitin 1989 dhe ne u larguam nga Afganistani, sikur historia të kishte përfunduar. Por pikërisht atëherë mund të kishim investuar pak para në shkolla, spitale, ujë të pijshëm dhe infrastrukturë. Mund të kishim ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie paqësore.
Në vend të kësaj, i lamë pas vetes komandantët e luftës që kishim fuqizuar. Kur boshllëku i pushtetit u kthye në kaos, dolën talebanët, duke premtuar rend dhe siguri në një vend të shkatërruar nga lufta. Për shumë afganë, kjo ishte më bindëse sesa alternativat që u kishim ofruar.
Osama bin Ladeni ishte një prej figurave që doli nga kjo histori. Kur u bë e rrezikshme ta linim të lirë? Nuk mund ta them. Por përse nuk u ndal sapo filloi të bënte kërcënime të hapura dhe të shfaqej i lidhur me akte terroriste?
Raporti i 11 Shtatorit tregoi se problemet e komunikimit mes FBI-së dhe CIA-s penguan shkëmbimin e informacionit që mund të ndihmonte në “lidhjen e pikave”. Pas sulmeve, këto pengesa u hoqën, dhe për meritë të qeverisë amerikane, nuk ka pasur më një sulm terrorist në tokën amerikane të përmasave të 11 shtatorit.
Por çfarë çmimi paguam? Mijëra civilë në Lindjen e Mesme u vranë, u përdor tortura, miliona dollarë u shpenzuan pa transparencë. Ndërkohë liritë civile u kufizuan në emër të sigurisë. Më kujtohet PATRIOT Act, ligji që i dha qeverisë kompetenca të jashtëzakonshme mbikëqyrjeje.
Edhe bibliotekarët mund të detyroheshin të dorëzonin listat e librave të marrë nga një qytetar dhe të mos i tregonin atij se qeveria i kishte kërkuar këto të dhëna. A na bëri Lufta kundër Terrorizmit më të sigurt apo më pak të sigurt?
Muajin e kaluar ndërsa raportoja nga Kuvajti, gjeta një armiqësi të konsiderueshme ndaj Amerikës dhe Izraelit. Lufta e presidentit Trump ndaj Iranit po e ushqen më tej këtë ndjenjë. Në Kuvajt, lufta ka rritur çmimet e ushqimeve dhe ka shkaktuar viktima e dëme nga sulmet hakmarrëse iraniane.
Një burrë më tha se nuk e mbështeste Iranin “as 1 përqind”, por ishte kundër Amerikës “më shumë se 1000 përqind”. Ky është një paralajmërim. Prandaj kam frikë se po vjen një tjetër 11 Shtator. Ndoshta këtë herë do të ketë tufa dronësh.
Ndërkohë, ne vazhdojmë të krijojmë armiq dhe t’u japim atyre arsye të reja për të na urryer. Viktimat e 11 Shtatorit ishin të pafajshme dhe vrasësit e tyre ishin kriminelë. Jam mirënjohës ndaj atyre që i ndaluan dhe i vranë terroristët.
Por tortura, bombardimet e pakujdesshme dhe sulmet që vrasin civilë nuk e mbyllin ciklin e dhunës. Përkundrazi, mund ta ushqejnë atë. Ne nuk e shohim gjithmonë atë që ndodh në vende si Jemeni. Për një amerikan, një sulm me dron atje mund të jetë vetëm një lajm i shkurtër.
Por për njerëzit që jetojnë atje, ai është një ngjarje që mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si e shohin Amerikën. Ne vazhdojmë të jemi të verbër ndaj Jemenit, Afganistanit dhe vendeve të tjera, ndërsa armiqtë tanë mund të kenë një njohje shumë më të mirë të Amerikës sesa ne të vendeve të tyre.
Kam folur me talebanë që kishin punuar në Shtetet e Bashkuara dhe që pretendonin se e njihnin shoqërinë amerikane. Por ata kishin parë vetëm një pjesë shumë të kufizuar të saj dhe kishin krijuar një imazh të shtrembëruar.
Edhe amerikanët bëjnë të njëjtën gjë me myslimanët: shpesh shohim në ekran vetëm terroristë, ekstremistë dhe njerëz që urrejnë Amerikën. Për këtë arsye, propozoj që një pjesë e parave që shpenzojmë për mbikëqyrje dhe sulme me dronë të përdoret për gjëra që u sjellin dobi njerëzve: shkolla, spitale, ujë, infrastrukturë.
Nëse një shkollë shkatërrohet, ta rindërtojmë. Pas vitesh brutaliteti do të duhen vite të tjera për të zbutur armiqësinë. Por njerëzit do të vënë re kush po përpiqet të përmirësojë jetën e tyre. Ne besojmë në mirësinë tonë. Atëherë, përse të mos përpiqemi t’ua tregojmë edhe të tjerëve?
Ndërkohë ne në Amerikë, po bëjmë të kundërtën. Politikanë të ndryshëm përhapin akuza dhe urrejtje ndaj emigrantëve myslimanë dhe jo të bardhë. Nëse myslimanët duhet të konsiderohen një kërcënim për Amerikën, përse vendet myslimane të mos e konsiderojnë praninë ushtarake amerikane një kërcënim për veten?
Unë do të doja që organizatat myslimane amerikane të distancoheshin më qartë nga ekstremistët. Por do të doja gjithashtu që të ekzistonin më shumë hapësira ku myslimanët dhe jomyslimanët të takoheshin, të hanin së bashku, të flisnin dhe të njihnin njëri-tjetrin.
Një nga mënyrat më të mira për të parandaluar urrejtjen është të mos i lëmë njerëzit të mbeten të huaj për njëri-tjetrin. Edhe Britania e Madhe ka përjetuar një numër të madh sulmesh terroriste.
Nga këndvështrimi im, shumë emigrantë myslimanë janë integruar mjaftueshëm në shoqërinë britanike për të jetuar aty, por jo aq sa të ndihen plotësisht të pranuar Emigracioni duhet menaxhuar me kujdes, në mënyrë që të përfitojnë si shoqëria pritëse, ashtu edhe të ardhurit.
Në një Amerikë më të mirë, komunitetet që kanë nevojë për punëtorë mund të mirëprisnin familje të reja dhe t’i ndihmonin të integroheshin. Mbi të gjitha, duhet të kujtojmë një parim të thjeshtë: trajtoji të tjerët ashtu siç do të doje të të trajtonin ty.
Kemi edhe zgjedhje të tjera. Mund t’i mbyllim kufijtë, të izolojmë emigrantët ose t’i mbikëqyrim në mënyrë masive. Por kjo ka gjasa të prodhojë pikërisht atë që pretendojmë se duam të shmangim.
Në vitin 2004, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vlerësonte se 70-90 për qind e të burgosurve irakianë ishin arrestuar gabimisht. Kur trajton njerëz të pafajshëm si armiq, nuk duhet të habitesh nëse ata fillojnë të të shohin ty si armik.
Dokumentet e Pentagonit, treguan se presidentët amerikanë kishin qenë të gatshëm të përshkallëzonin një luftë gjithnjë e më të pashpresë në Vietnam për të ruajtur imazhin e forcës. Edhe pas 11 Shtatorit, administrata Bush mund të ketë besuar vërtet se Iraku kishte lidhje me sulmet.
Ose mund të ketë menduar thjesht se duhej “bërë diçka” dhe Iraku ishte objektivi më i përshtatshëm. Problemi është se politika e jashtme amerikane ndryshon shpesh nga një president te tjetri. Një administratë mund të ndërtojë aleanca që pasardhësi i saj i braktis. Kështu ndodhi edhe në Afganistan.
Pas tërheqjes sovjetike, Afganistani u bë i parëndësishëm për Uashingtonin. Në vend që të ruanim marrëdhëniet dhe ndikimin që kishim krijuar, u larguam. Pastaj u habitëm kur vendi ra sërish në kaos. E njëjta logjikë duket edhe sot.
Politika ndaj Venezuelës, sipas autorit, është bërë një seri kërcënimesh dhe veprimesh të paparashikueshme. Politika ndaj Iranit ndjek një formulë të ngjashme: kërcëno, bombardo, shpall fitoren dhe përsërite.
Por njerëzit në Iran, Turqi, Arabinë Saudite, Kuvajt, Oman, Katar dhe Emirate nuk do ta harrojnë. Amerikanët mund të kalojnë te një krizë tjetër dhe ta harrojnë luftën e sotme. Ata që jetojnë në rajon nuk e kanë atë luks.
Dhe një ditë, ne mund të pyesim sërish: “Përse na urrejnë?”. Ndoshta përgjigjja do të jetë më e ndërlikuar nga sa duam të pranojmë. Ndoshta nuk mjafton të themi se ata urrejnë liritë tona. Ndoshta duhet të kujtojmë edhe atë që kemi bërë vetë.
Sepse bombat dhe luftërat mund të përfjnë, por kujtesa e njerëzve që i kanë përjetuar ato zgjat shumë më tepër./Pamfleti nga “Unherd”
Shënim: William T. Vollmann është një shkrimtar dhe gazetar amerikan.pse 11 shtatori mund të ndodhë përsëri Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Nga lufta e ftohtë te ajo Botërore: 3 skenarët e përplasjes Rusi-NATO 5 Shtator 2026, 10:3310:33Rajoni dhe Bota Alarm në Gjirin Persik, 4 raketa amerikane godasin cisternën iraniane 5 Shtator 2026, 09:4409:44Rajoni dhe Bota Pakti i Mekës trondit ekuilibrat: Kush do ta udhëheqë Lindjen e Mesme? 5 Shtator 2026, 09:0609:06Rajoni dhe Bota “Operacioni Carpet”, plani i ri i Zelenskyt për të gjunjëzuar Carin 5 Shtator 2026, 09:0109:01Rajoni dhe Bota Negociatat për Ukrainën, Rusia mesazh Trumpit: Merrni parasysh realitetet në terren 5 Shtator 2026, 09:0109:01Rajoni dhe Bota Tronditje në Pentagon, Shtëpia e Bardhë kërkon zëvendësues për numrin dy të Hegseth 5 Shtator 2026, 08:5008:50Rajoni dhe Bota

