Protestuesit kanë rrethuar hapësirat e objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar miratimin e projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Protestuesit kanë deklaruar se “asnjë deputet nuk mund të dalë pa aprovuar ligjin”, ndërsa seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në rendin e ditës të së cilës është pikërisht ky projektligj, ishte parashikuar të niste në orën 09:00, por ende nuk ka filluar.
Protestës i janë bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari i saj, Hysni Gucati, ka paralajmëruar përshkallëzim të protestës nëse projektligji nuk votohet.
Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u dorëzua nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas nismës së PDK-së, projektligji propozon ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Një tjetër pikë e propozuar është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

