Qytetarë të shumtë janë rikthyer sërish para Ministrisë së Arsimit, në vijim të protestës së nisur në orën 14:00. Protestuesit ishin shpërndarë më herët nga efektivët e policisë, me ndërhyrjen edhe të autobotit me ujë. Pas rikthimit para institucionit, qytetarët kanë vijuar thirrjet për dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe kryeministrit Edi Rama. Forca të shumta policie vijojnë të jenë të pranishme në terren, ndërsa situata është tensionuar sërish, pasi protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe gurë në drejtim të efektivëve. Deri më tani, disa protestues janë shoqëruar në polici, por ende nuk është bërë i ditur numri i saktë i tyre. Ndërkohë, policia ka ndërhyrë sërish me autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit.
