Kryeministri shqiptar Edi Rama ironizoi demokratët amerikanë për protestat e vazhdueshme të “Revolucionit të Flamingove” kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në Shqipëri të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ajo që nisi si një protestë kundër projektit, është shndërruar në protesta më të gjera kundër qeverisë dhe tashmë ka hyrë në ditën e 124-t radhazi, duke tërhequr vëmendjen e gjerë të mediave ndërkombëtare. Në një intervistë për WELT,, Rama ia atribuoi këtë vëmendje “hijes së gjatë të Donald Trump”. Ai shtoi: “U thashë miqve të mi demokratë në Amerikë: Nëse nuk mund ta mundni Trumpin në Amerikë, mos ejani në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë.” Kushner është i lidhur me një projekt shumë miliardë dollarësh për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e pabanuar të Sazanit, në jug të Shqipërisë, si dhe në një brez bregdetar ngjitur me një zonë të mbrojtur, ku jetojnë flamingo, pelikanë dhe një larmi speciesh të faunës së ligatinave. LEXO EDHE:Kurti publikon foton nga takimi me Donald Trump në Nju Jork: SHBA, partneri i pazëvendësueshëm Planet shkaktuan protesta kombëtare dhe ndërkombëtare në fund të muajit maj, ndërsa tubimet kanë vijuar çdo mbrëmje përpara zyrës së Ramës në Tiranë. Protestat kanë marrë vëmendje të gjerë, duke sjellë edhe një rezolutë në Parlamentin Europian, ndërsa në çështje janë përfshirë edhe marka ndërkombëtare e veshjeve Patagonia dhe këngëtarja me origjinë shqiptare nga Kosova, Dua Lipa. Rama tha se planet përfshijnë dy projekte: një në ishullin e Sazanit, pronë publike dhe ish-bazë ushtarake sovjetike, ku sipas tij vetëm 8% e territorit do të zhvillohet, dhe një tjetër në një gadishull në pronësi private. Protestuesit e kundërshtojnë projektin për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe mungesës së konsultimit publik. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, po heton nëse një biznesmen shqiptar ka falsifikuar dokumentet e pronësisë që lidhen me tokën private. Ish-pronari ka mohuar çdo shkelje. Një zëdhënës i investitorëve të projektit, mes të cilëve edhe Kushner, nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në momentin e publikimit. Duke kundërshtuar sloganet e protestuesve, si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Shqipëria për shqiptarët”, Rama tha: “Nëse do të sillnit kapital të huaj në Gjermani, a do të thoshit atëherë se Gjermania po shitet?” “Unë përfaqësoj interesat e vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, shtoi ai. Rama tha gjithashtu se negociatat për projektin janë ende në vazhdim dhe se do të vlerësohet ndikimi i tij në mjedis. Gjatë një konference për shtyp në Tiranë të mërkurën, së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama siguroi se qeveria e tij do të “hedhë dritë mbi procesin, duke garantuar transparencë të plotë për të gjitha dokumentet që lidhen me këtë projekt shumë të diskutuar”. Ndërsa Rama zhvillonte takimin me presidenten e Komisionit Europian, disa qindra persona protestuan jashtë zyrës së tij, duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Jo BE me Ramën”. Rama pyetet për arrestimin e ish-kreut të SHISH dhe SPAK-un Në intervistë, Rama u pyet edhe për arrestimin e ish-kreut të SHISH dhe rastet e tjera të zyrtarëve të lartë nën hetim apo të dënuar. Kryeministri tha se Shqipëria ka kaluar nga një vend ku “korrupsioni ishte vetë sistemi”, në një vend ku “sistemi lufton korrupsionin”. Për SPAK-un, Rama tha se procesi është “i vështirë dhe i pashmangshëm”, por shprehu rezerva se jo të gjitha procedurat, sipas tij, përputhen me standardet europiane. I pyetur për përgjegjësinë politike për arrestimet dhe dënimet në rrethin e tij, ai u përgjigj: “Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’u kërkojë llogari njerëzve, kudo që ata ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike”. Intervista e plotë e Kryeministrit Edi Rama WELT AM SONNTAG: Zoti Kryeministër, ju e keni krahasuar Bashkimin Europian me “Titanikun” që po shkon drejt ajsbergut. Pse? Edi Rama: Ajsbergu është identifikuar tashmë nga europiani i madh Mario Draghi. BE-ja është më pak inovative dhe konkurruese sesa aktorët e tjerë të mëdhenj dhe i mungon aftësia për të marrë vendime të guximshme dhe strategjike. Nëse nuk ndryshon asgjë, ajo shndërrohet në “Titanik”. WELT AM SONNTAG: Megjithatë, ju dëshironi të anëtarësoheni sa më shpejt të jetë e mundur. Rama: Jo vetëm unë, të gjithë në Shqipëri e duan këtë. BE-ja është projekti politik më vizionar që është konceptuar ndonjëherë. Ajo ka bërë të mundur që breza të tërë të rriten pa luftë. Si mund të mos duash të jesh pjesë e saj – apo të jesh aq i marrë sa të thuash se duam të dalim sërish prej saj? WELT AM SONNTAG: Çfarë mund t’i ofrojë Shqipëria BE-së? Rama: Me 2.5 milionë banorë, jemi shumë të vegjël për të pasur një ndikim të madh. Por mund ta forcojmë Europën. Aktualisht ajo është një organizëm me një vrimë të rrezikshme. WELT AM SONNTAG: Çfarë doni të thoni? Rama: Shikoni hartën. Zakonisht vendet kanë vetëm një kufi, që shtrihet përreth tyre. Europa ka edhe një të dytë, brenda saj. Vrima në mes të Europës është Ballkani Perëndimor. Ka forca që përpiqen të na shkëpusin. WELT AM SONNTAG: E keni fjalën për Kinën me investimet e saj – dhe Rusinë e Turqinë, të cilat kërkojnë ndikim politik? Rama: Këto janë klishe. Po, Rusia është një kërcënim real. Por Kina nuk ka një axhendë imperialiste – ajo është thjesht një realitet me të cilin të gjithë duhet të përballen. Nga Turqia nuk vjen asnjë rrezik për Ballkanin Perëndimor. Unë shoh vetëm një ndërhyrje vëllazërore për stabilitet dhe paqe. WELT AM SONNTAG: Kreditë kineze pothuajse e çuan vendin tuaj fqinj, Malin e Zi, drejt falimentimit shtetëror. Rama: Në Shqipëri nuk e kemi këtë problem. Marrëdhënia jonë me Pekinin është më e distancuar, sepse kemi pasur lidhje të ngushta në periudhën më të keqe, gjatë Revolucionit Kulturor. Por sot unë e admiroj Kinën. Zellin, meritokracinë. Europa nuk duhet të izolohet, por duhet të rifitojë aftësinë për të pasur marrëdhënie me të gjithë. WELT AM SONNTAG: Të kthehemi te “vrima” në Europë – cili është konkretisht rreziku? Rama: Një bark i hapur është diçka e keqe. Ekziston rreziku i infeksioneve, plagëve dhe kalbëzimit. Rusia është një virus. Islami radikal është një virus. Kriminaliteti është një virus. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka shtatë fëmijë. Edhe ne jemi shtatë – shtatë shtete që duan të hyjnë në BE. A është më mirë t’i lësh fëmijët të rriten brenda familjes apo t’i lësh jashtë derisa të rriten? Sigurisht, një fëmijë në tryezë ka më pak të drejta. Nuk mund të kërkojë gjithçka. Por jashtë rreziqet janë të mëdha. Njëri fëmijë miqësohet me gangsterë rusë. Tjetri bëhet i varur nga lodrat kineze. Fëmija i tretë zbulon ekstremizmin dhe hedh në erë lagjen. WELT AM SONNTAG: Viti 2030 përmendet si një datë e mundshme për anëtarësimin. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ofruar përshpejtimin e procesit, për shembull përmes një qasjeje graduale në tregun e përbashkët të BE-së. A do të ishte e dobishme kjo? Rama: Kancelari juaj dhe Europa në tërësi duhet të rigjejnë guximin e Helmut Kohl. Kur ra Muri në vitin 1989, Kohl nuk u tha gjermanolindorëve: Tani keni 33 kapituj negociatash dhe më pas do t’ju pranojmë. Përkundrazi, tha: Jemi të gjithë në të njëjtën varkë. WELT AM SONNTAG: A duhet BE-ja të mbyllë sytë përpara problemeve për arsye gjeopolitike? Rama: BE-ja duhet të na kërkojë edhe më shumë detyra shtëpie. Por ne duam të jemi pjesë e saj. Shikoni Ukrainën. Ajo që i premtohet Ukrainës është një gënjeshtër. Në rrugën e zakonshme të anëtarësimit, duke plotësuar të gjitha kriteret, ajo nuk do të pranohet kurrë. Këtë e dinë të gjithë. Ajo që do të ishte realiste është që Ukraina të ulet në tryezë që tani dhe, përmes një procesi të bazuar te performanca, t’i jepet anëtarësimi i plotë. WELT AM SONNTAG: Edhe sot, me 27 vende anëtare, BE-ja e ka të vështirë të marrë vendime. Çfarë do të ndodhë kur ajo të zgjerohet më tej? Rama: Sigurisht që do të ishte rrezik pranimi i vendeve të reja që mund të bllokojnë vendimmarrjen. Në çdo rast, unë do të angazhohesha për heqjen e së drejtës së vetos. Nëse Europa duhet të konkurrojë me Kinën, SHBA-në dhe Indinë, është absurde që një vend i vetëm anëtar të mund të bllokojë gjithçka. WELT AM SONNTAG: Në Shqipëri korrupsioni vazhdon të jetë problem, drejtuesja e Shërbimit Informativ është arrestuar dhe ka shumë raste të tjera hetimesh dhe dënimesh. Çfarë po bëni për këtë? Rama: Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte vetë sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton korrupsionin. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit. WELT AM SONNTAG: Struktura kundër korrupsionit, SPAK, nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe BE-së, po vepron ashpër kundër zyrtarëve të lartë. A po funksionon? Rama: Pjesërisht është e dhimbshme. Jo të gjitha procedurat, sipas mendimit tim, janë në përputhje me standardet europiane. Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të paraburgosurve në kontinent. Por kjo është pjesë e një procesi të vështirë dhe të pashmangshëm. Ne duhet të marrim vlerësim për këtë. WELT AM SONNTAG: Ka zëra që kërkojnë nga ju përgjegjësi politike, duke pasur parasysh arrestimet dhe dënimet e njerëzve në rrethin tuaj... Rama: Përpara se unë të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u themelua shteti ynë, asnjë ministër i vetëm në Shqipëri nuk ishte paraqitur ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur. Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’u kërkojë llogari njerëzve, kudo që ata ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike. WELT AM SONNTAG: Por duket se ka mungesë besimi. Prej muajsh qytetarët protestojnë përpara selisë së qeverisë suaj. Shkak ishte projekti i planifikuar për një resort luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan. Protestuesit ju akuzojnë se po e shisni Shqipërinë. Rama: Jetojmë në një botë ku gjithmonë ka dikë të zemëruar. Çdo demokraci vuan nga kjo. Protestuesit kanë shqetësime legjitime, të cilat unë nuk i mohoj. Por ata nxiten nga gënjeshtra dhe teori konspirative. WELT AM SONNTAG: Në këtë projekt bëhet fjalë për katër miliardë dollarë, një shumë gjigante. Ju keni kontribuar në mënyrë të konsiderueshme përmes kontakteve tuaja me presidentin amerikan. Ku e vendosni kufirin mes diplomacisë ekonomike dhe një sistemi që varet së tepërmi nga marrëdhëniet tuaja personale? Rama: Edhe ju jeni viktimë e një narrative që përsëritet vazhdimisht. Kur nisi e gjithë kjo, Trump nuk ishte më në detyrë; ai mund të përfnte në burg ose mund të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Për më tepër, ende nuk ka një kontratë përfundimtare – ne vazhdojmë negociatat. Edhe vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces. Dhe në fakt bëhet fjalë për dy projekte të ndara. Njëri ndodhet në një ishull që është pronë publike. Vetëm tetë për qind e këtij ishulli mund të ndërtohet dhe ishulli do të mbetet pronë publike. Projekti tjetër ndodhet në një gadishull që është pronë private. Nëse do të sillnit kapital të huaj në Gjermani, a do të thoshit se Gjermania po shitet? A do të thoshit: Gjermania u përket gjermanëve? Unë përfaqësoj interesat e vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. WELT AM SONNTAG: Atëherë, pse projekti po kritikohet ndërkombëtarisht? Rama: Është hija e gjatë e Donald Trump që ka sjellë këtu të gjitha mediat e botës dhe të gjithë të majtën. U kam thënë miqve të mi demokratë në Amerikë: Nëse nuk mund ta mposhtni Trumpin në Amerikë, mos ejani në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë. WELT AM SONNTAG: Si e keni nisur këtë projekt? Në BE do të kërkohej një tender publik. Rama: Edhe në BE nuk nevojitet një tender publik për të investuar në një pronë private. Pronarët duhet ta shesin pronën ose të japin miratimin për zhvillimin e saj. Kaq. WELT AM SONNTAG: Me 3.5%, Shqipëria ka një rritje të lartë ekonomike. Në të gjithë Tiranën po ngrihen ndërtesa mbresëlënëse. Por pagat janë të ulëta, çmimet të larta. Shumë njerëz po largohen nga vendi. Rama: Edhe shumë të rinj gjermanë sot nuk kanë mundësi të blejnë një banesë. Kur nisa detyrën si kryeministër, të ardhurat për frymë ishin më pak se 3 mijë dollarë. Sot jemi në pothuajse 12.500 dollarë. Po, të rinjtë emigrojnë. Kjo është Europa, lëvizja brenda një tregu të madh pune. Kur pagat të arrijnë një nivel të krahasueshëm, ata do të kthehen. WELT AM SONNTAG: Cili është vizioni juaj ekonomik? Rama: Ne kemi mot me diell, të cilin ju nuk e keni në Gjermani. Kemi ushqim fantastik dhe mikpritje. Kemi lumenj dhe e prodhojmë energjinë elektrike tërësisht nga burimet e rinovueshme. Do të jemi inovativë dhe do të rritemi. Pyetja nuk është se çfarë do të bëjë Shqipëria, por çfarë do të bëjë Europa. WELT AM SONNTAG: Çfarë duhet të bëjë Europa? Rama: Të gjithëve na pret një dimër i ashpër demografik; popullsia po plaket gjithnjë e më shumë. Duhet të flasim se çfarë lloj emigracioni na duhet dhe çfarë emigracioni duam – por duhet të flasim si të rritur. Kushdo që e përdor këtë çështje si një top politik për të krijuar fantazma frike, mund të fitojë zgjedhje në afat të shkurtër. Por kjo nuk është burrështetësi. Është njësoj si të luash muzikë në kuvertën e “Titanikut”. WELT AM SONNTAG: Italia ndërtoi në Shqipëri qendra për emigrantët që dy vite më parë. Brukseli ndërkohë lejon që kërkesat për azil të trajtohen përmes vendeve të treta. A po i ofroni Gjermanisë mundësinë që të ndërtojë qendra të tilla? Rama: Italia nuk është vetëm një partner veçanërisht i afërt, por është alter egoja jonë europiane. Por të tjerëve u themi jo, sepse vetëm qendrat në vendet e treta nuk janë zgjidhja. Ka probleme shumë më të mëdha. Dhe tani është shtuar edhe inteligjenca artificiale. Ndërsa kinezët dhe amerikanët po bëjnë një sprint përpara, njerëzit në Europë grinden për një qendër emigrantësh në Shqipëri për një grusht emigrantësh. Kjo është absurde. SI.E./Shqiptarja.com TAG: resorti ne zvernec Jared Kushner donald trump SHBA edi rama Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.3 / 5 (6 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
30 Shtator, 16:02
Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 69.7% Jo 25% Jam i/e dyzyuar 5.3% Vota total: 2637 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02 Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?
