Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë ka njoftuar mbështetje dhe solidaritet për protestën e studentëve që do të mbahet ditën e nëserme. Në deklaratën e SPAKMSH thuhet se e ardhmja e vendit është përgjegjësia e çdo qytetari.
Po ashtu thuhet se secili duhet të mbrojë dinjitetin dhe të ngrejë zërin për paga e pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe lirinë për të folur pa frikë.
Deklarata e plotë: Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë u bën thirrje anëtarëve të saj, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias t’i bashkohen protestës kombëtare, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë.
Misioni ynë sindikal na kërkon të jemi pranë njerëzve, të mbrojmë dinjitetin dhe të ngremë zërin për paga e pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe lirinë për të folur pa frikë.
Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara.
Nesër, ora 11:00, përpara Kryeministrisë!
Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë! /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

