Ekonomisti dhe mendimtari austriak i shekullit XX, Joseph Schumpeter e shihte demokracinë jo si triumfin e rrugës mbi institucionet, por si garën e alternativave për të fituar besimin e qytetarëve. Në këtë kuptim, pakënaqësia mund të jetë fillimi i një ndryshimi politik, por jo vetë ndryshimi. Kjo sepse legjitimiteti mund të nisë të ndërtohet në sheshe, por ai certifikohet vetëm në kutinë e votimit. Shqipëria po përjeton aktualisht një valë protestash që shpreh një pakënaqësi reale të një pjesë të shoqërisë. Kjo pakënaqësi nuk duhet nënvlerësuar dhe duket se edhe qeveria ka dhënë besën, bashkë me praninë besnike, për të dëshmuar se e ka vlerësuar. Kjo pakënaqësi buron nga lodhja me një qeverisje të gjatë, nga perceptimi se pushteti është përqendruar tej mase dhe nga bindja se institucionet nuk prodhojnë më përgjigjet që qytetarët presin. Në këtë kuptim, protesta është jo vetëm legjitime, por edhe e domosdoshme. Kjo sepse demokracitë nuk funksionojnë vetëm me qytetarë që votojnë, por edhe me qytetarë që reagojnë. LEXO edhe...Rikthehen 'lule gjelat'; në sulm ndaj faqeve të SHBA në Tiranë Megjithatë, pakënaqësia është karburant i shkëlqyer për të mbushur një shesh. Por, ajo nuk mjafton për të ndërtuar një kabinet. Themi kështu sepse, deri më tani, protestuesit kanë artikuluar qartë dhe me forcë refuzimin ndaj qeverisë së Edi Ramës. Kanë kërkuar largimin e saj, një qeveri teknike dhe një fillim të ri politik. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë vjen më pas. Kush do ta drejtojë vendin? Cili është programi? Cili është lidershipi që kërkon besimin e qytetarëve? Në politikë është e nevojshme të bindësh se kundërshtari duhet të largohet, por është edhe më e nevojshme të bindësh pse ti duhet të votohesh. Për më tepër, mungesa e thellë e besimit tek opozita me vulë e bën edhe më të domosdoshme që kjo energji qytetare të shndërrohet në një alternativë antiqeveritare. Dhe për Shqipërinë ky nuk është vetëm një debat teorik. Shqipëria e ka provuar më parë idenë se pushteti mund të ndryshohet duke ushtruar presion mbi sistemin, pa kaluar përmes mekanizmave normalë të demokracisë. Vendimi i Lulzim Bashës për të djegur mandatet u mbështet mbi bindjen se largimi nga institucionet do ta detyronte sistemin të dorëzohej. Ndodhi e kundërta dhe ashtu sikundër duhej të ndodhte. Në vend që të dorëzohej sistemi u dorëzua Lulzim Basha duke dalë nga qendra e jetës politike. Ndoshta edhe kjo shpjegon rezervën me të cilën partnerët ndërkombëtarë i kanë pritur protestat e sotme. Ata mund të ndajnë shumë prej kritikave ndaj qeverisjes, por vështirë se do të mbështesin një transferim pushteti që nuk mbështetet mbi një alternativë politike të organizuar. Demokracitë nuk ndërrojnë qeveri vetëm sepse një pushtet është konsumuar. Ato i ndërrojnë kur përballë pushtetit të konsumuar shfaqet një alternativë e rinovuar. Kjo nuk është një kritikë ndaj protestës. Përkundrazi është një sugjerim që energjia e saj të mos humbasë në rrugët e qyteteve. Një lëvizje qytetare bëhet faktor historik vetëm kur arrin të kalojë nga zemërimi te organizimi, nga refuzimi te vizioni, nga protesta te përfaqësimi. Në të kundërt, protesta rrezikon të mbetet një fotografi mbresëlënëse e pakënaqësisë, por jo instrumenti i ndryshimit. Në këtë kuptim, zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm janë prova e parë serioze. Ato u japin protestuesve mundësinë të provojnë se përfaqësojnë më shumë sesa revoltën e momentit. Të përgatisin kandidatë, të paraqesin një vizion dhe të kërkojnë besimin e qytetarëve. Nëse besojnë se modeli i qeverisjes së Edi Ramës ka hyrë në fazën e konsumimit, atëherë vendi ku kjo duhet të provohet nuk është vetëm sheshi, por edhe kutia e votimit. Në fund, protesta mund të tronditë pushtetin. Vetëm alternativa e fituar me votë mund ta zëvendësojë atë. Ky është dallimi mes një revolte që lë gjurmë dhe një ndryshimi që ndërton të ardhmen./TemA SI.E./ReportTv.al Vilant Xhori protestat kunder qeverise Komento Komente Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki? I drejtë 61.7% I gabuar 30.7% I/e dyzuar 7.6% Vota total: 1866 Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki?

