Banorë të qytetit të Maliqit dhe zonave përreth protestuan këtë të diel para godinës së Bashkisë Maliq kundër projektit të Reformës Territoriale, e cila planifikon që kjo njësi t'i kalojë Bashkisë Korçë. “Shkrirja” e bashkisë nga reforma/ Banorët e Maliqit dalin në protestë 2 Gusht, 19:13 Me pankarta dhe thirrje kundër ndryshimit të hartës administrative, protestuesit thanë se një vendim i tillë do të sjellë humbjen e funksioneve administrative, rënie të aktivitetit ekonomik dhe vështirësi për qytetarët në marrjen e shërbimeve.
Protestuesi Jurgen Isufllari, tha se nisma për kundërshtimin e reformës nisi nga shqetësimi se Maliqi rrezikon të humbasë identitetin dhe rolin e tij si bashki. Ai kërkoi transparencë për mënyrën se si është propozuar bashkimi me Korçën, duke theksuar se Maliqi është një bashki me shtrirje të madhe territoriale dhe me profil të qartë bujqësor, çka sipas tij e bën të pajustifikuar shkrirjen e saj. Isufllari u shpreh gjithashtu i zhgënjyer nga mungesa e reagimit të përfaqësuesve politikë dhe administratës, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të mos votojnë këtë ndryshim në Parlament. "Unë kam qenë i pari që kam nisur këtë protestë, kam bërë thirrje sepse kam kuptuar që diçka e pisët dhe diçka e keqe po luhet për këtë qytet. Në fakt, unë vij nga një fshat këtu dhe më vjen shumë keq që nuk po shikoja asnjë nga Maliqi. Është e çuditshme se kush e ka hedhur ose kush e ka nxjerrë nga goja shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe kush e ka firmosur. Pra, dua të di se cila është ajo dorë që ka firmosur shkrirjen e këtij qyteti dhe jo të kësaj godine, sepse kjo në fund të fundit është një godinë, por qyteti është ai që do të shkrihet dhe këtu nuk do të ketë më asnjë funksion, nuk do të ketë më asnjë kafene, asnjë furrë buke dhe këtu do të ngelet një xhep edhe nuk do të ketë më asnjë gjë që do të kalojë. Pra, jemi një bashki e madhe me 81 fshatra, me 31 mijë banorë dhe kemi një shtrirje shumë të madhe. Pra, jemi nga bashkitë më të mëdha që ne mund të quheshim shumë mirë një bashki bujqësore sepse territori është një fushë dhe ne nuk kemi se si mund të bashkohemi me Korçën. Ne nuk kemi asnjë problem me Korçën, por Korça mund të jetë e fokusuar tek turizmi dhe ne tek bujqësia. Unë jam shumë i zhgënjyer sot me administratën dhe ndjehem shumë i tradhtuar. Nuk kam frikë t'i them gjërat siç janë, ndjehemi i tradhtuar nga të gjithë kolegët sepse sot më duket sikur jam i shitur nga ata, por unë do të luftoj për ata, do të jem këtu edhe kur të kaloj këtu në Maliq do të kaloj me kokën lart. Në fakt unë edhe në postimet e mia i kam bërë thirrje të gjithë deputetëve, qoftë edhe ai që ka marrë një votë, që ka përgjegjësi dhe nuk duhet të votojë shkrirjen në parlament të Bashkisë Maliq”,-tha ai. Protestuesit argumentuan se një reformë e tillë nuk do të ndikojë vetëm në administratë, por edhe në jetën ekonomike dhe sociale të qytetit. Sipas tyre, largimi i institucioneve do të sjellë më pak lëvizje qytetarësh, më pak konsum për bizneset lokale dhe më pak investime për zonën. Protestuesja Manjola Doko tha se pasojat do të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe bizneset, ndërsa ngriti shqetësimin se shërbimet publike mund të përqendrohen në Korçë, duke e lënë Maliqin pa zhvillim dhe pa investime të reja. "Mendo se çfarë mund të ndodhë pas mbylljes të bashkisë. Asnjë gjë, do kthehet vërtet si një fshat. Në takimin që bëmë për reformën me territorin që, gjatë u kthyem me pak fjalë, fjalimi im ishte ky: Luftoni që mos mbylleni, për arsye sepse do kthehet Maliqi si fshatu Kolanec. Shumë nga ata punonjësit e administratës mu sulën sepse menduan sikur unë po thoja që nuk ka bërë kryetari asnjë gjë për Kolanecin. Këtu ishte ajo theksja atyre ku qëndronte. Asnjë nuk foli që ç'do ndodhë me këtë institucion, me qytetin, me qytetarët, me bizneset, me asnjë. U prishën bizneset tuaja? Si biznes, normale që dëmtohem, si nuk dëmtohem?! Unë shikoj që ka lëvizje kur vijnë për një hall, për një problem nga fshatrat, vijnë tek unë. Unë kam edhe gjënë tjetër që ndjek dhe pazaret nëpër fshatrat e Maliqit dhe më njohin. Më njohin mua, njohin bashkëshortin tim sot dhe vijnë e thonë: Ky është dyqani i filanit? Po, këtu e kemi, duam ta bëjmë këtë. Por Korça është shumë afër, ka shumë shërbime që merren sot në Korçë. A i druhen që edhe shërbime të tjera, si gjendja civile, mund të shkojnë atje? Po u mbyll bashkia, çfarë do merret? Problemi është që s'do vijë asnjë investim. Se ti mendon që kur duke u zgjeruar kjo do vijnë investimet? Ti mendon se do rritet turizmi? Kur nuk është marrë për një fshat aq të vogël siç ishte Kolaneci dhe nuk i është bërë një rrugë, sepse kjo bashki është aq e madhe dhe mbase si ka ardhur radha",-u shpreh banorja. Mes protestuesve kishte edhe emigrantë që ishin kthyer në Maliq dhe iu bashkuan tubimit për të shprehur kundërshtimin ndaj reformës. Ata thanë se bashkimi me Korçën do ta bëjë edhe më të vështirë marrjen e shërbimeve administrative, veçanërisht për të moshuarit dhe banorët e fshatrave, të cilët do të detyrohen të udhëtojnë drejt Korçës për çdo dokument apo procedurë. Fredi Isufllari, i ardhur nga Italia, tha se kjo reformë do të rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve. "Unë të thashë që kam ardhur nga Italia për këtë punë. Që bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë e Korçës, nuk më pëlqen kjo gjë. Të kemi vuajtur 45 vjet, tashi të vuajmë akoma? Të shkojmë gjende në Korçë, një gënjej këtej, një gënjej andej, të paguajnë para, të rrijnë me muaj të tëra nëpër dyert e zyrave? Nuk është e drejtë! Pensionet janë mizeri. Bashkia këtu ku është, mua më ka pëlqyer të rrijë këtu ku është",-tha ai. Banorët kërkuan që propozimi për bashkimin e Bashkisë Maliq me Korçën të rishikohet dhe u bënë thirrje deputetëve të qarkut të Korçës që të mos mbështesin në Parlament asnjë nismë që çon në shkrirjen e Bashkisë Maliq. Ndër të tjera protestuesit shprehën keqardhje dhe zhgënjim për mungesën e punonjësve të administratës së Bashkisë Maliq në protestë. Sipas tyre, kjo çështje prek të gjithë dhe kërkon angazhimin e çdo institucioni dhe qytetari në mbrojtje të statusit të bashkisë./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

