Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së djeshme. Sipas informacionit nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë protestës së djeshme kanë marrë kujdes shëndetësor gjithsej 89 persona, nga të cilët 61 efektivë të Policisë dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT. Në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht ndodhen 4 efektivë policie dhe 2 protestues të shtruar në spital, të cilët do të vijojnë të jenë nën kujdesin e ekipit mjekësor. Ndërsa të tjerët kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, pas marrjes së kujdesit mjekësor, sipas këshillave të mjekut. Në QSUT, 10 pacientët janë trajtuar në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Pas vlerësimit dhe marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor, të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve. Aktualisht, nuk ka persona të lënduar që vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në QSUT. Në SUT priten t’i nënshtrohen ndërhyrjes një protestues si dhe dy efektivë policie, të cilët janë koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

