Propozimi i mazhorancës për reformën administrativo-territoriale ka sjellë reagime dhe protesta në disa bashki të vendit. Në Klos, administrata vendore ka dalë në protestë kundër planit për shkrirjen e bashkisë, duke bojkotuar punën. Gazetari Enver Doçi raportoi për News24 se punonjësit e administratës së Bashkisë Klos kundërshtojnë përfshirjen e bashkisë në procesin e riorganizimit territorial dhe kërkojnë rishikimin e vendimit. Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë aksionin deri në marrjen e një vendimi tjetër nga institucionet përgjegjëse.
Reagime të ngjashme janë paralajmëruar edhe në Belsh dhe Prrenjas, dy bashki të tjera që sipas propozimit të mazhorancës pritet të përfshihen në procesin e shkrirjes. Një ditë më parë, protesta u zhvilluan edhe në Poliçan, ku disa qytetarë të lidhur me Partinë Socialiste dogjën teserat e anëtarësisë, ndërsa kreu i PS-së në këtë qytet dha dorëheqjen përpara protestuesve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
