Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se gjatë veprimeve hetimore lidhur me rastin në Zubin Potok është identifikuar një lokacion i dyshuar ku mund të ketë mbetje mortore.Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, lokacioni është identifikuar gjatë punës në terren më 2 gusht. “Gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion i dyshuar ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore”, thuhet në komunikatë.Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, në përputhje me procedurat ligjore, do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.Pas marrjes së autorizimit nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, pritet të ndërmarrë veprimet e nevojshme në këtë lokacion.Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë për vendndodhjen e saktë të lokacionit apo për identitetin e mundshëm të personave që mund të lidhen me mbetjet e dyshuara, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

