Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin italian G.T., administrator i kompanisë “Euro Beton 2005” sh.p.k., i akuzuar për tre vepra penale: mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Në kuadër të procedimit penal nr. 1718 të vitit 2026, hetimet disa mujore kanë zbardhur dyshimet për një skemë mashtrimi, përmes së cilës kompania dyshohet se përfitonte lëndë të para nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, por më pas mohonte furnizimet dhe detyrimet financiare.
Sipas Prokurorisë, lëndët e para përdoreshin për prodhimin dhe shitjen e betonit, ndërsa furnizimet e pafiskalizuara dhe shitjet dyshohet se shërbenin për fshehjen e të ardhurave dhe pastrimin e përfitimeve të paligjshme.
Në kuadër të hetimeve është vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e kompanisë, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 10 milionë eurosh.
Mes pasurive të sekuestruara janë 8 prona të paluajtshme, përfshirë tokë, një pallat, njësi tregtare dhe sipërfaqe ndërtimi. Gjithashtu, janë sekuestruar 25 automjete dhe mjete pune, mes tyre betoniere, pompa betoni dhe automjete transporti.
Pasuritë e sekuestruara, përfshirë edhe aktivitetin tregtar të kompanisë, i janë kaluar në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Shtetasi italian G.T. dhe shoqëria “Euro Beton 2005” sh.p.k. do të përballen tashmë me procesin gjyqësor për veprat penale të parashikuara nga nenet 143/3, 180/3 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetimet janë kryer nga Prokuroria e Tiranës, e cila bën me dije se ka dokumentuar dyshimet për skemën e mashtrimit dhe aktivitetin e paligjshëm financiar. Top Channel

