Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat për progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se fati europian i Shqipërisë është në duart tona dhe se vendi ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim. LEXO edhe...'Dorëheqja ime nuk imponohet nga rruga', Rama për Report TV: Shanin e kërcënonin, por nuk dëgjova asnjë ide për Shqipërinë! Duar të regjimit iranian në bulevard, kemi fakte (VIDEO) "Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat është unike, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë. Historia nuk do të na e falte kurrë vjedhjen e kësaj historie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Unë do të bëj çmos që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje", tha Rama. Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa nënvizoi se korrupsioni mbetet një sfidë reale për vendin. Ajo foli edhe për protestat duke thënë se dhuna nuk ka vend në protesta. "Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog”, tha ajo. Lajm në përditësim... Ora 12:54 Protestat, Rama: Nesër hapim dritaren e dialogut online! 3 grupe studentësh janë kthyer pas duke u bullizuar pse donin të më takonin mua Kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër do të hapë një dritare dialogu online për të gjithë ata që duan të bashkëbisedojnë me të. Ai pretendoi se tri grupe studentësh janë tërhequr nga takimet me të pas kërcënimeve dhe bullizimit nga grupe të tjerë protestuesish.“Nesër do të ndezim një tjetër dritare të dialogut. Dritare të dialogut që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi. Për studentët që kërcënohen nga pseudostudentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që u çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon të hedhë hapin e dialogut.Tri grupe studentësh janë kthyer pas me dhunë online dhe offline nga këto lloj pseudosh, në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tri grupe studentësh me emra dhe mbiemra. Të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si, dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë. Nuk jam më as student, as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë të them atë që dua, ku të dua.Kush mendon se me frikën, me trembjen, me kërcënimin, me dhunën do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Ndryshe, do ta marrë përgjigjen hap pas hapi, ligjërisht, edhe penalisht, edhe administrativisht. Edhe ata që bllokojnë rrugët, edhe ata që ngrenë dorën kundër policëve dhe ndërkohë s’duan të dinë për mijëra të tjerë që kanë lirinë e tyre të bëjnë atë që duan, të thonë atë që duan dhe të shkojnë aty ku duan”, tha Rama. Share Ora 12:53 Ambasadorja e BE për protestat: Dhuna nuk ka vend në demokraci, të gjitha palët të bëjnë përpjekje për dialog Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, tha se protestat paqësore janë një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna është e papranueshme, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo u kërkoi të gjitha palëve, pa përjashtim, të bëjnë përpjekje të vërteta për dialog, në mënyrë që pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen.“Protestat paqësore janë një e drejtë demokratike. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo që mungon sot është dialogu dhe të gjitha palët, pa përjashtim, duhet të bëjnë përpjekje të vërteta për të nisur dialogun. Ne duhet ta luftojmë këtë polarizim dhe kjo mund të bëhet vetëm me mënyra demokratike, duke gjetur mënyrat që pakënaqësitë të dëgjohen dhe të trajtohen, jo me anën e dhunës. Protesta kemi edhe në Europë, në shumë shtete. E rëndësishme është të kuptojmë se cilat janë pakënaqësitë dhe të gjejmë mënyrat për t’i trajtuar ato", Sofia Moreira de Sousa Share Ora 12:43 'Dorëheqja ime nuk imponohet nga rruga', Rama për Report TV: Shanin e kërcënonin, por nuk dëgjova asnjë ide për Shqipërinë! Duar të regjimit iranian në bulevard, kemi fakte (VIDEO) Gjatë konferencës me ambasadoren e BE-së, kryeministri Edi Rama tha se situata në Shqipëri nuk mund të krahasohet me atë në Serbi, ndërsa bëri dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe atyre që, sipas tij, më pas degraduan në dhunë.Ai theksoi se qeveria ka marrë masa për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, duke përmendur uljen e TVSH-së për shportën në 6%, uljen e çmimit të naftës me 32 lekë dhe rritjen e transparencës për projektet në Zvërnec e Sazan.Rama tha se i ka dëgjuar çdo ditë protestuesit, por nuk ka dëgjuar prej tyre asnjë ide apo program për Shqipërinë, ndërsa theksoi se dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk mund të imponohet nga rruga.Ai deklaroi se përparësia e tij është mbyllja e negociatave me BE-në në vitin 2027 dhe pretendoi se në protestat në bulevard ka pasur përfshirje të elementëve të lidhur me regjimin iranian, për të cilët tha se ka fakte.Deklarata e plotë e Ramës:“Sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situatat atje me këtu, këtë mund ta konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE-së ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria këtë vit. Janë dy realitete që s’kanë asgjë të përbashkët, pavarësisht përpjekjes për t’i bashkuar në funksion të një agjende që nuk është e BE-së, e qeverisë, por e atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë.Sa i takon pastaj mobilizimit të madh, e kam bërë dallimin mes protestave masive të fillimqershorit dhe degradimit më pas të bulevardit në një arenë sorrash dhe korbash, që nuk kishte se si të mos sillte te dhuna, sepse ishte e dhunshme pa qenë me gurë dhe molotovë, kur parrullë kishte ‘S’ka dialog, jep dorëheqjen’.Legjitime në demokraci që ta mendojnë kështu, totalisht ilegjitime të përdoret guri dhe zjarri në funksion të këtij mendimi, por në funksion të protestave ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për arsyet e mobilizimit qytetar.Hapa në drejtim të transparencës. Me këtë rast kujtoj se kemi publikuar gjithçka lidhur me Zvërnecin dhe Sazanin dhe nuk kemi parë asnjë kontestim përmbajtësor, pasi gjithçka është në anën tonë sa i takon procesit të ndjekur, ligjshmërisë dhe moralit të republikës që ne përfaqësojmë.Me buxhetin e ri kemi adresuar çështje të cilat lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve, që nga realizimi i zotimit të kahershëm të uljes së TVSH-së për shportën në 6%, deri tek ulja e çmimit të naftës në pompë me 32 lekë, duke rispostuar taksën e qarkullimit tek automjeti, dhe të tjera gjëra.Kam dëgjuar që është quajtur kthimi tek e majta ideologjike. Këta nuk dinë çfarë flasin. Është krijimi i mundësive për të rishpërndarë më shumë nga rritja ekonomike. Ajo që ka qenë prej kohësh objektivi dhe shqetësimi ynë kryesor, si të rishpërndajmë më shumë duke rritur ekonominë.Nuk e bën e majta dhe e djathta vezën e kuqe, por vetëm ekonomia që na jep sot mundësitë. Ekonomia jonë rritet, ndryshe nga çfarë mund të thuhet, dhe rritja e saj na ka dhënë mundësinë të shpërndajmë masivisht me një paketë të re.Ky është realiteti i fakteve, të tjerat janë si zhurmat e makinave.Dua të them që unë i kam dëgjuar me më shumë vëmendje ata që kanë ardhur këtu poshtë çdo ditë. I kam dëgjuar sepse kam qenë i detyruar të dëgjoj, sepse ndërkohë që ata ulërinin, shanin, kërcënonin dhe kërkonin dorëheqjen duke thënë ‘S’ka dialog’, unë isha duke punuar me zërin e tyre në sfond.Di gjithçka është thënë aty, se është përsëritur aq shumë sa e kam mësuar përmendësh. Di bejtet me muzikë, këngët fyese, por s’kam marrë dot shënim asnjë ide, asnjë program, opsion për Shqipërinë.Përfitoj nga rasti për t’i risqaruar të gjithë, lidhur me faktin se në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht nuk imponohet nga rruga, por në rastin tim ka një specifikë tjetër që është ky këtu.Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 cm dhe çdo cm do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, sepse këtu është e shkruar e zeza me të bardhë mbyllja e negociatave, objektiv ambicioz, por i arritshëm.Nëse arrihet, arrihet duke u fokusuar këtu, jo duke humbur mendjen pas këngëve kërcënuese, gurëve, molotovëve dhe agjendave që kanë lidhje me këtë mision kombëtar.Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre është reale dhe nuk isha unë apo një përfaqësues i institucioneve tona, por një personalitet i Francës për ndërhyrjet malinje në vendet demokratike që para pak ditësh tha që Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride.S’kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duar të regjimit kriminal të Teheranit janë në bulevard dhe janë me fakte.Çuditërisht, ushtria dixhitale iraniane, e identifikuar prej nesh si shumë aktive në shpërndarje videosh me zogj, u shfaq aktive në goditjen e Parisit. Këto janë fakte.Shkaku është këtu. Detyra jonë është të adresojmë shkakun. Por të jemi të vetëdijshëm çfarë po bëjmë, të shohim faktet, të pranojmë reciprokisht kush ka dhe s’ka të drejtë, në vend se të gëzohemi për viralitetin që u jep videove tona ndërhyrja e atyre që nuk e duan Shqipërinë këtu, që Shqipëria të fokusohet këtu, që 2027 të mbyllet me sukses, por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten çdo ditë dhe pas të cilave rrotullohemi çdo ditë, ku gjëja më skandaloze, më e turpshme ka qenë justifikimi në kor i dhunës.” Share Ora 12:41 Integrimi/ Ambasadorja e BE: Reformat kërkojnë konsensus politik, anëtarësimi varet nga ritmi i miratimit dhe zbatimit të tyre (VIDEO) Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, kërkoi konsensus politik dhe debat të hapur në Kuvend për reformat e integrimit europian. Ajo theksoi se përparimi i Shqipërisë do të varet nga ritmi i miratimit dhe zbatimit të tyre.“Reformat kërkojnë konsensus të mirë dhe debat të hapur në Kuvend, që është përgjegjësi e të gjitha forcave politike. Synimi për t’u anëtarësuar në BE është zgjedhje që e kanë bërë qytetarët shqiptarë, prandaj janë kyçe konsultimet e vërteta dhe kuptimplota. Këto reforma nuk synojnë të kënaqin Brukselin, por të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe demokratike, të gatshme për t’u bërë pjesë e BE-së. Shqipëria ka ecur përpara, por ende nuk kemi mbërritur në fund të këtij rrugëtimi.Shqipëria mori dje udhërrëfyesin, në të cilin nuk ka më afate të tjera kohore, por merret parasysh synimi dhe kalendari që Shqipëria ia ka caktuar vetes për t’u bërë pjesë e BE-së. Është e mundshme, por është punë sfiduese. Kërkon shumë përpjekje dhe shumë punë. Ajo pjesa e fundit varet nga ritmi që do t’i japësh vetes.Ka të bëjë me zbatimin e reformave dhe diskutimet që duhen bërë me të gjithë shoqërinë shqiptare, për t’i treguar se çfarë janë këto reforma. Gjithçka do të varet nga ritmi dhe mënyra se si do të miratohen këto reforma dhe si do të vihen ato në zbatim", tha ambasadorja. Share Ora 12:31 Rama për akuzat e Veliajt: Po aq të rëndësishme sa zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard (VIDEO) Kryeministri Edi Rama i krahasoi me “zhurmat e makinave në bulevard” akuzat që Erion Veliaj i ka drejtuar nga burgu duke thënë se e ka kërcënuar përmes ministrit Toni Gogu dhe i ka kërkuar dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës, duke i thënë se ai qëndronte pas protestave. Rama tha se qeveria është në krye të detyrës dhe po punon për objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.Rama: Dua të them që raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik.Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë.Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju. Share Ora 12:24 'Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike', ambasadorja e BE-së për protestat: Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut (VIDEO) Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, tha se protestat paqësore janë pjesë e demokracisë, por dhuna nuk ka vend në të. Sipas saj, çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Ajo nënvizoi se pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë dhe se institucionet demokratike duhet të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore të majit, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë dhe llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë dialog.” Share Ora 12:21 Ambasadorja Sousa mesazh në gjuhën shqipe: Shqipëria ka ecur përpara! Progres-raporti i KE paraqet punën e qeverisë drejt integrimit në BE (VIDEO) Ambasadorja e BE-së Sofia Moreira de Sousa gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama vlerësoi punën e qeverisë për integrimin në BE, teksa tha në shqip se 'Shqipëria ka përparuar' drejt integrimit në BE.Dje KE miratoi progresraportin e Shqipërisë që unë sapo i dorëzova Ramës, më pas do ta paraqes në Kuvend. Raporti është tashmë publik dhe të gjithë shqiptarët mund ta lexojnë. Mesazhi i këtij raporti është shumë i thjeshtë: Shqipëria ka ecur përpara’. Ky raport paraqet punën tuaj, vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje të vazhdueshme. Sa i takon drejtësisë, korrupsionit, raporti evidenton një punë të mirë. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë, sepse korrupsioni mbetet një sfidë reale. Çdo reformë apo sfidë reale duhet të mbetet në reformën e vitit 2016. Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë të polarizuar. Reforma kërkon përmbushjen e OSBE/ODIHR. Në lidhje me të drejtat themelore, përbëjnë hapa realisht pozitivë. Për sa i përket lirisë së medias, shpifja është dekriminalizuar, financimi i medias mbetet ende jo transparent. Përdorimi i forcës së policisë ndaj gazetarëve duhet hetuar. Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën. Projektligjet madhore, që përfshijnë edhe atë të BE-së, duhet që të shqyrtohen sipas standardeve të BE-së", tha ajo. Share Ora 12:17 'Një dëftesë objektive e përparimit të madh të Shqipërisë', Rama për progresraportin e KE-së: Integrimi në BE është për shqiptarët, jo për Brukselin (VIDEO) Kryeministri Edi Rama tha se shqiptarët për vite me radhë kanë jetuar mes një kontrasti të madh, duke gjetur jashtë vendit mundësi për një jetë më të mirë që nuk i kanë pasur në Shqipëri.Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, Rama theksoi se për shumë familje emigracioni ka qenë rruga drejt shërbimeve më të mira dhe një marrëdhënieje më të sigurt me shtetin.Sipas tij, integrimi në Bashkimin Europian nuk është një proces që bëhet për Brukselin, Parisin apo Berlinin, por për të ndërtuar një shtet europian në Shqipëri, ku qytetarët të kenë mundësi ekonomike, institucione, siguri juridike dhe kushte për rritjen e fëmijëve si në vendet e BE-së."“Shqiptarët kanë jetuar për shumë vite në një kontrast të madh, mes mundësive jashtë vendit dhe atyre brenda vendit. Për shumë familje, emigracioni ka qenë rruga drejt një jete më të mirë, një shërbimi më të mirë apo një marrëdhënieje më të sigurt me shtetin.Ndaj nuk dua të hyj te gjërat që kanë ndryshuar dhe as sa dhe si duhet të ndryshojnë akoma, por s’mund të flasim me seriozitetin e duhur për bashkimin me BE-në pa pasur parasysh këtë realitet.I gjithë ky proces nuk është për Brukselin, Parisin, Berlinin, por për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, ku shqiptarët të kenë institucionet, mundësitë ekonomike, sigurinë juridike dhe vendrritjen e fëmijëve si në Europë.Progresi duhet të mbajë parasysh këtë thelb të këtij procesi, që është përmirësimi i standardeve të jetës së tij personalisht, kudo ku ndodhet këtu në Shqipëri.Kjo është arsyeja që unë jam kaq i përkushtuar ndaj këtij procesi, por edhe arsyeja pse mua më gëzon shumë ky raport i progresit, si një dëftesë shumë objektive e përparimit të madh të Shqipërisë.” tha Rama Share Ora 12:16 Rama: Mbyllja e negociatave në 2027, objektiv ambicioz por i arritshëm! Mundësia historike s’mund të vihet në pikëpyetje për mustaqet e asnjë 'Çeloje' (VIDEO) Kryeministri Edi Rama tha se Komisioni Europian e konsideron ambicioz, por të arritshëm objektivin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Rama tha se kjo mundësi nuk duhet të vihet në pikëpyetje “për mustaqet e asnjë Çeloje”.“Për herë të parë, KE ka paraqitur udhërrëfyesin orientues për katër vendet më të përparuara në procesin e negociatave. Për Shqipërinë, ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara, duke i dhënë procesit shumë qartësi dhe parashikueshmëri. KE e konsideron objektivin për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 si ambicioz, por të arritshëm. Vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë.Udhërrëfyesi nuk përcakton datë anëtarësimi, se nuk ka si ta përcaktojë, se nuk e paracakton dot as rezultatin e negociatave. Por na tregon, centimetër për centimetër, kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objektiv kombëtar dhe historik. Kjo do të thotë që koha merr çdo ditë më shumë rëndësi. Dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë ata që janë përfshirë në vijë të parë të këtij procesi: Parlamenti, qeveria, gjyqësori. Dhe, para të gjithëve, duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse.Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat është unike, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë. Historia nuk do të na e falte kurrë vjedhjen e kësaj historie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Unë do të bëj çmos që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje", tha Rama. Share Ora 12:10 Protesta/ Rama: Progres-raporti i KE-së kërkon dialog, detyrë e qeverisë që ta garantojë (VIDEO) Kryeministri Rama tha se progres-raporti i KE-së ka vlerësuar me nota pozitive punën e Shqipërisë, teksa vuri në dukje edhe problematikat e tij.“Kush e njeh historinë e shtetit shqiptar dhe kthen kokën deri në vitin 2016, kur mori jetë reforma në drejtësi, kupton rëndësinë që ka ky raport. Raporti po ashtu vlerëson vonesën në gjykata, çështjet e korrupsionit, po kështu raporti ngre shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai trajton edhe protestat e kohëve të fundit, duke vendosur gishtin te plagët e dhunës.Kurse dialogu vlerësohet si dhuna, ku duhet të angazhohemi të gjithë seriozisht. Asnjë konstatim i progresraportit nuk mund të anashkalohet. E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet anashkaluar. Ndërsa dialogu është një etikë për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca jonë e ka për detyrim që ta garantojë këtë”, tha Rama. Share Ora 12:06 'Progresraporti më i mirë', Rama: Shqipëria në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE, fati europian është në duart tona (VIDEO) Kryeministri Edi Rama e cilësoi progresraportin e Komisionit Europian si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë. Në konferencën e përbashkët me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama tha se vendi ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim. “Raporti më i mirë i progresit që Shqipëria ka marrë në dorë ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të BE-së në Shqipëri. Për një kohë të gjatë, rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit: po, jo, kur? Hapja e negociatave: po, jo, kur? Miratimi i piketave të ndërmjetme: po, jo, kur?Sot, ky raport i publikuar dje nga KE përcakton një rrëfim të ri. Jo më mbi atë që ne presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe, fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer.Raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton përparim nga ekonomia, transformimi digjital, energjia, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së", tha Rama, Share Ora 11:46 Ambasadorja e BE-së i dorëzon Ramës progres-raportin e KE-së për Shqipërinë Ambasadorja e BE-së i ka dorëzuar sot kreut të qeverisë Edi Rama progres-raportin e KE-së për Shqipërinë.Një ditë më parë Komisioni Europian vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, pavarësisht disa shqetësimeve për funksionimin e demokracisë dhe mungesën e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë. Share Ora 11:10 Begaj pret ambasadoren e BE-së dhe merr progres-raportin për Shqipërinë, në fokus reformat dhe lufta kundër korrupsionit Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa e cila i dorëzoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.Gjatë takimit, kreu i shtetit e vlerësoi progres-raportin si dëshmi të avancimit të vendit në procesin e integrimit evropian dhe si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.Ai rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.Në fokus të diskutimit ishte edhe vijimi i reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.Begaj theksoi gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten elementë thelbësorë për përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit evropian. Share Xh.K/SI.E./ReportTv.al integrimi ne be Sofia Moreira de Sousa edi rama Komento Komente Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 55.9% Veliajn 22.7% Asnjërin 21.4% Vota total: 556 Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?

