Po e nis me një sqarim që e konsideroj të nevojshëm. Jam historian, pedagog universitar dhe studiues në Akademinë e Shkencave. Megjithatë, në asnjë shkrim apo prononcim publik nuk kam pretenduar të flas në emër të Akademisë. Përkundrazi, sa herë ka qenë e nevojshme, kam sqaruar se shpreh mendimet e mia dhe mbaj përgjegjësi vetëm për to. Kësisoj, edhe ky shkrim është një qëndrim personal, i një studiuesi dhe mësimdhënësi, që nuk pretendon t'i japë mendimit të vet më shumë peshë duke përmendur institucionin ku punon. Se sa qëndrojnë argumentet e mia, këtë ia lë lexuesit ta gjykojë. E them këtë sepse kohët e fundit po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që mendimi i dikujt të marrë një tjetër peshë sapo pranë emrit të tij vendoset titulli akademik apo institucioni ku punon. Rasti më i fundit është deklarata që, sipas raportimeve të sotme, ka mbledhur firmat e 735 pedagogëve e profesorëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Të jem i sinqertë, nuk e kam parë fare listën e firmëtarëve. Nuk më intereson veçanërisht kush e ka firmosur e kush jo dhe aq më pak bindjet e tyre politike. Më intereson ajo që thuhet në deklaratë dhe argumentet mbi të cilat ajo mbështetet. LEXO EDHE:Përfn protesta, nis pastrimi i bulevardit nga gurët (VIDEO) Prej ditësh po shohim në Tiranë protesta që paraqiten si studentore, por që janë shoqëruar me djegie, sulme ndaj institucioneve dhe shkatërrim e bastisje të pronës publike e private. Pjesëmarrja e studentëve, me sa duket, po përdoret për t'u dhënë këtyre protestave një legjitimitet të veçantë. Ndërkaq, në një pjesë të mirë të debatit publik, vëmendja është përqendruar te përgjegjësia e qeverisë dhe e policisë. Flitet për arrogancën e pushtetit, për mungesën e dialogut dhe për veprimet e dhunshme të policisë. Të gjitha këto mund dhe duhen diskutuar. Ama për duarflkadanët xhokezinj që hedhin molotovë, u vënë zjarrin institucioneve dhe plagosin policë, dëgjojmë shumë më pak. Madje, jo rrallë dhuna shpjegohet në atë mënyrë sa në fund duket sikur përgjegjës për të është gjithkush tjetër, përveç atij që e ushtron. Në këtë klimë vjen edhe deklarata e pedagogëve. Ajo paraqitet si reagim i botës akademike ndaj dhunës së ushtruar mbi studentët, por përmbajtja e saj shkon shumë më tej. Në thelb kemi të bëjmë me një thirrje politike, me një kërkesë të drejtpërdrejtë për largimin e kryeministrit. Nisma është promovuar nga Forumi për Dialog Politik, i krijuar me synimin e bashkimit të opozitës shqiptare, i cili kishte propozuar më parë dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Pikërisht këtë kërkesë politike kanë marrë përsipër të mbështesin tani disa qindra pedagogë e profesorë. Kësisoj, që në pikënisje, ata janë rreshtuar në krah të opozitës ndaj qeverisë. Kjo është një zgjedhje politike, që nuk ka pse të fshihet pas autoritetit akademik të firmëtarëve. Po t'i kthehemi përmbajtjes së deklaratës, vërejmë se firmëtarët paralajmërojnë policinë për përgjegjësinë personale në rast të zbatimit të urdhrave të paligjshëm, u kërkojnë përfaqësive diplomatike të ndërhyjnë publikisht dhe ftojnë qytetarët t'u bashkohen protestuesve, duke iu referuar edhe lëvizjes studentore të viteve 1990-1991. Ndërkaq, për molotovët, institucionet e sulmuara dhe policët e plagosur nuk gjendet kund në dokument një dënim i qartë ndaj dhunës. Është e vërtetë që protestuesve u kërkohet të mbrojnë pronën publike dhe private. Por edhe këtu arsyetimi është që të mos i jepet qeverisë justifikim për përdorimin e forcës. Pra, prona duhet mbrojtur që të mos përfitojë politikisht qeveria dhe jo se djegia dhe shkatërrimi i saj janë në vetvete të papranueshme. Këtu, sipas meje, qëndron problemi kryesor i deklaratës. Për veprimet e policisë kërkohet përgjegjësi. Me të drejtë kjo, nëse ka pasur shkelje të ligjit. Por për dhunën që ka pushtuar prej ditësh Tiranën, për institucionet e djegura, pronën e shkatërruar dhe policët e plagosur, nuk jepet një gjykim i qartë. Përse kjo heshtje? Mos vallë firmëtarët e konsiderojnë të justifikueshme dhunën kur ajo ushtrohet kundër një qeverie që nuk e duan? Apo e shohin dhunën si një mjet të pranueshëm demokratik për të imponuar ndryshimin e qeverisjes? Nuk dua të besoj se ky është qëndrimi i tyre. Por kur qindra pedagogë e profesorë nënshkruajnë një deklaratë politike në një kohë kur Tirana përjeton skena të tilla dhune, është e arsyeshme të presësh prej tyre një përgjigje të qartë. Aq më tepër kur për veprimet e policisë kërkojnë përgjegjësi individuale. Protestat studentore janë bazuar mbi pakënaqësitë e tyre për kushtet e studimit, koston e arsimit dhe perspektivën e të rinjve. Mirëpo, në përplasjen politike të ditëve të fundit, kërkesa që ka dalë në plan të parë është dorëheqja e kryeministrit. Pikërisht këtë kërkesë mbështesin tani edhe pedagogët e profesorët firmëtarë. Kësisoj, pavarësisht problemeve nga të cilat mund të jetë nisur pakënaqësia studentore, studentët protestues dhe pedagogët firmëtarë duket se janë në unison për një objektiv të mirëfilltë politik. Sigurisht që është tërësisht normale që studentët apo pedagogët të kenë qëndrime politike. Por duhet të jemi të qartë se as studentët që protestojnë nuk përfaqësojnë automatikisht të gjithë studentët, as disa qindra pedagogë nuk përfaqësojnë universitetet shqiptare. Përndryshe, do të duhej të pranonim se kushdo që mbledh një numër të konsiderueshëm firmash mund të flasë në emër të një institucioni apo të një komuniteti të tërë. Më duket po aq i pavend edhe krahasimi me lëvizjen studentore të viteve 1990-1991. Atëherë studentët u ngritën kundër një regjimi monist, që u kishte mohuar shqiptarëve të drejtën e zgjedhjes dhe liritë politike. Sot, pavarësisht problemeve të shumta që ka vendi, jetojmë në një sistem pluralist. Ta paraqesësh protestën e sotme si vazhdim të dhjetorit 1990 është t'i japësh asaj peshën historike dhe legjitimitetin moral të përmbysjes së diktaturës. Të paktën nga pedagogët do të prisja më shumë kujdes me analogji të tilla. Mbetet për t'u sqaruar edhe çështja e qeverisë kujdestare. Se çfarë nënkuptojnë konkretisht firmëtarët me këtë term, nuk thuhet. Natyrisht, koncepti caretaker government njihet në praktikën politike ndërkombëtare, por në shumë raste bëhet fjalë pikërisht për qeverinë në largim, e cila vazhdon përkohësisht detyrën deri në formimin e kabinetit pasardhës. Atëherë, çfarë propozohet? Një qeveri e dalë nga një marrëveshje politike? Një kabinet teknik? Apo thjesht një qeveri pa Ramën? Janë gjëra të ndryshme dhe mirë do të ishte të na shpjegohej edhe se si mendohet të realizohet një ndryshim i tillë. Sigurisht, kushdo ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e qeverisë. Por këtu kemi edhe një rrethanë që nuk mund të anashkalohet: protestat janë shoqëruar me dhunë të rëndë. A duhet të pranojmë se një qeveri mund të largohet si rezultat i kësaj dhune? Çfarë precedenti krijojmë nëse djegia e institucioneve dhe përplasja me policinë kthehen në mjete për arritjen e një objektivi politik? Këto janë pyetje që nuk mund të kapërcehen me një deklaratë, sado firma të ketë ajo. Për ta thënë më qartë, nuk më shqetëson që kolegët e mi kërkojnë largimin e Edi Ramës. Është e drejta e tyre. Më shqetëson mënyra se si një kërkesë politike vishet me vello akademike dhe, sidomos mungesa e një qëndrimi të prerë ndaj protestës së dhunshme që po shohim prej ditësh. Profesorët mund të jenë edhe aktivistë politikë. Shumë studiues e mësimdhënës kanë qenë të tillë në periudha të ndryshme historike. Por ama, nëse pranojnë të hyjnë në debatin politik, duhet të pranojnë që qëndrimet e tyre të gjykohen për argumentet që paraqesin, jo për titujt akademikë që mbajnë. Në fund të fundit, nuk është çështja nëse Edi Rama duhet të qëndrojë apo të largohet. Për këtë mund të kemi mendime krejt të ndryshme. Çështja është se me çfarë mjetesh kërkohet largimi i tij dhe nëse jemi të gatshëm ta dënojmë dhunën pa pyetur më parë se kujt i shërben politikisht. Nga studiuesit e mësimdhënësit do të prisja më së paku, që kërkesën për largimin e qeverisë ta shoqëronin me një dënim po aq të qartë të dhunës që po ushtrohet në emër të protestës. P.J/Shqiptarja.com TAG: protestat kunder qeverise Tirane marenglen kasmi pedagoge Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.9 / 5 (7 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Arta: 19/10/2026 22:45 Policia duhet te meret ne mbrojtje dhe jo te denohen,sepse ato jane ne krye te detyres jane studenten 35 vjecar me kapuc te PD qe kane sulmuar.Edhe ne itali doli presidenti i vendit ne mbrojtje te forcave te policise dhe u denuncia si nga populli e nga prinderit adolescente per veprimet qe kan bere .vetem ne shqiperi mbrohen keqeberisit,sepse ata qe i mbrojnejane mesu vetem te vrasin grabisin e djegin Përgjigju Sondazhi i ditës:
15 Tetor, 13:43
A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.8% Jo 77.9% Disi 3.4% Vota total: 7636 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43 A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?

