Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar në lidhje me mosmiratimin e ligjeve për ndryshimet në pagat e magjistratëve nga Kuvendi.
Përmes një deklarate publike, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë theksojnë se duke qenë se nuk u mor asnjë vendim nga Kuvendi brenda afateve, tashmë do të zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, sipas formulës së referuar në vendimin nr. 35/2022, me efekt edhe për periudhën 01.04.2023–31.07.2026.
Shoqatat e magjistratëve mbeten të vendosura për të kërkuar zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15/2026.
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet përkatëse deri më 31.07.2026 dhe përcaktoi se, në rast mosveprimi, do të zbatohej formula e përllogaritjes së pagave sipas funksionarit të administratës së lartë publike, referuar vendimit nr. 35/2022. “Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në mbrojtje të statusit të magjistratit dhe standardeve kushtetuese, kanë ndjekur me përgjegjësi procesin lidhur me rregullimin e pagave të magjistratëve.
Pas kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, shfuqizoi ndryshimet ligjore që cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës dhe përcaktoi kriteret për miratimin e një rregullimi të ri.
Gjykata Kushtetuese detyroi Kuvendin të miratonte ndryshimet përkatëse deri më 31.07.2026 dhe përcaktoi se, në rast mosveprimi, do të zbatohej formula e përllogaritjes së pagave sipas funksionarit të administratës së lartë publike, referuar vendimit nr. 35/2022.
Pavarësisht afatit të përcaktuar, nga ana e Kuvendit nuk u miratuan ndryshimet ligjore të nevojshme. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, sipas formulës së referuar në vendimin nr. 35/2022, me efekt edhe për periudhën 01.04.2023–31.07.2026.
Shoqatat e magjistratëve mbeten të vendosura për të kërkuar zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15/2026. Ky proces nuk lidhet vetëm me respektimin e të drejtave të magjistratëve, por mbi të gjitha me respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i tyre është një detyrim për çdo institucion dhe një garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Shoqatat tona mbeten të angazhuara për të ndjekur zbatimin e këtij vendimi dhe rikonfirmojnë gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces", thuhet në deklaratë./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

