Pas bojkotit në Tiranë, rreth 35 punonjës të administratës së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë kanë bojkotuar sot punën për rreth dy orë. Punonjësit kërkojnë që t’u kalojë paga e muajit, e cila duhej të ishte marrë më datë 3 shtator. Korrespondenti i Top Channel Bledar Korreshi raporton se sipas tyre, vonesa e pagave lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, ndërsa kjo situatë ka sjellë vonesa edhe për administratën e gjykatës.
Bojkoti i sotëm zgjati vetëm dy orë, por punonjësit paralajmërojnë se protesta do të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin që pagat të kalojnë.
Administrata kërkon zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave që u takojnë, duke shprehur shqetësimin për vonesat në pagesat mujore.
Ndërkohë protestë u mbajt edhe në Fier, teksa kanë paralajmëruar se do të jetë pa afat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, siç raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.
Bojkot është regjistruar këtë të mërkurë edhe në Gjykatën e shkallës së parë Vlorës. Sipas burimeve të korrespondentit të Top Channel Mikel Marsi, sekretariati dhe administrata gjyqësore kanë bojkotuar punën.
Mësohet se do të ketë kështu kufizim të orareve të sporteleve të kësaj Gjykate në ofrimin e shërbimeve. Nga ora 15.45-16.00,shërbimi do të ofrohet vetëm për urgjenca. Ndërkohë që sipas burimeve do të zhvillohen vetëm seancat gjyqësore të masave të sigurisë. Në Gjykatën e Vlorës,61 është numri i administratës, pa gjyqtarët. Top Channel

