Lajme Zone
Prishta me halle
Të tjeraShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Prishta me halle

Pak minuta me makinë nga Çorovoda, me të kaluar mbi urën metalike mbi Osum, një dorë e padukshme më tërhoqi në një rrugë të ngushtë të asfaltuar që shkonte përpjetë plot me kthesa.

Pak minuta me makinë nga Çorovoda, me të kaluar mbi urën metalike mbi Osum, një dorë e padukshme më tërhoqi në një rrugë të ngushtë të asfaltuar që shkonte përpjetë plot me kthesa. Dredhat e asfaltit kallauz rrenacak, më rrotulluan nja gjysmë ore si kali në lëmë dhe s'më çuan asgjëkundi. Kisha lajthitur rrugën. Duhej të isha kthyer te një kalldrëm më të djathtë sapo hodha urën. LEXO EDHE:Shqipëria prezanton progresin në forumin më të madh të UNESCO-s për trashëgiminë botërore, merr vlerësime për Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën (FOTOT) Kalldrëmi më shpuri te një urë e sajuar mbi një përrua, por e fortë, me këmbë dhe trarë betoni. Mbi atë urë desh rash dëshmor. Kthesa, ura e ngushtë, mungesa e parmakëve, dielli që më ra në sy si te "I Huaji" i Albert Kamysë, u bënë shkak që diferenciali i përparëm i Jeep-it të përplasej me zhurmë mbi betonin e urës. Rrota e përparme nga ana e pasagjerit u var në erë mbi përroin shkëmbor. Rrota diagonale u ngrit përpjetë. Lëkundje tmerruese si te filmat e horrorit. Kërcitje të frikshme të varjes në humnerë. Tërhoqa menjëherë frenin e dorës, fika motorin, dola. Vinçi që erdhi nga Çorovoda sa hap e mbyll sytë, ndreqi gjithçka në pak minuta. Asnjë cen, asnjë lëndim, as unë, as makina. Po të ishte një dënim hyjnor, do kisha vajtur te të shumtët. Ishte një paralajmërim hyjnor nga shpirti i Abaz Aliut mbi qiellin e Skraparit, që më pa dhe më bëri të ditur se në Prishtën me halle nuk shkohet si ai në dasmë, por seriozisht dhe solemnisht për të kryer një Rit të moçëm. Si në çdo vend të shenjtë — kishë, manastir, tempull — që ndodhen majë shkëmbinjve ose nëpër hone e humnera, ku për t'i arritur duhet të udhëtosh një copë herë me këmbë, po ashtu edhe vajtja në vendin e shenjtë, Prishta me halle, ka një çmim, ka një haraç. Nuk shkohet te Prishta me halle me muzika dhe fantazira. Te Prishta me halle shkohet duke kaluar nëpër ca vuajtje, nëpër një Purgator. Freskova surratin dhe gjymtyrët me ujin që e mora me vete për ta pirë, se përroi ishte i thatë. Ndala muzikën. Hoqa nga puna navigatorin. Dhe u nisa. Këtë herë, sipas paralajmërimit hyjnor, i bindur për të vajtur te Prishta me halle jo duke ëndërruar gjëra idilike si iso, polifoni etj. por duke vuajtur. Rruga për te Prishta me halle shkon përgjatë luginës së përroit të thatë të urës së psherëtimave paralajmëruese hyjnore. Pas pak minutash ndalet e fundit lidhje me qytetërimin: valët e celularit. Faleminderit, Abaz Ali, që në vendin e shenjtë Prishta me halle nuk më lejon të vete me djallëzira teknologjike. Në të dy anët e luginës, gjelbërim i dendur, i lartë. Aty-këtu drurë frutorë, kryesisht rrush dhe mollë. Tabelë që të drejton te një rrugë e frikshme nga e djathta për në Dorës. Mes drurëve dhe shkurreve, vështirë ta marrësh me mend ku struket Dorësi. Në përrua rrjedh një curril uji në proporcion të zhdrejtë me lartësinë. Sa më përpjetë, aq më i trashë currili. Sa më tatëpjetë, aq më i hollë. Derisa te ura ku desh rashë dëshmor i Atdhjeut me lapidar, pllakë përkujtimore, fjalime, superlativa e të tjera e të tjera, currili thahet krejt. E dyta dhe e fundit tabelë deri te Prishta me halle, me shigjetë drejt mesit të kurrkundit, për tek Kalaja e Orgesës dhe fshati Rehovicë, që veç Zoti e di ku mund të ndodhen. Më tutje, rruga më së fundi e lë përroin nga e majta, hidhet në anën tjetër, dhe ia ther përpjetë. Ura e ngushtë s'kishte qënë kushedi se çë. Aty nis e merr kuptim të plotë paralajmërimi hyjnor për haraçin që duhet paguar drejt Prishtës me halle, vend i shenjtë. Përpara del një hukubet me kthesa, gropa të pafundme, gunga, gurë, shkëmbinj, që e bëjnë makinën të ecë më ngadalë se këmbësori, dhe s'do të ndahen edhe nja dy a tri orë të tjera derisa me shenjtërinë ta kesh kryer Ritin, pavarësisht në je qejfli udhëtimesh, çoban, baxhoxhi, aventurier, çek, polak, gjerman, austriak apo gjithkush tjetër i magjepsur nga natyra shqiptare. Prishta me halle është si Londra: nuk merret vesh ku fillon e ku mbaron. Por ndërsa Londra është "non-stop" e zhurmshme, Prishta me halle po fle, e ka zënë një gjumë i thellë nën një jorgan të blertë rrethuar nga aromat dehëse dhe cicërrimat e pyllit. Dy a tre prishtanakë të Prishtës me halle që takova, flasin me zë të ulët, si të përkujdesur mos i dalë gjumi shenjtores Prishta me halle. Pyeta për rrugën heshtanakët prishtallinj. Atë që më tha i pari, e asgjësoi i treti. Atë që më tha i dyti, e anuloi i pari. Atë që s'e tha asnjëri, e mora me mënt vetë. Një tip pionieri me bluzë të kuqe, nja 12 vjeç, tha se e njihte mirë rrugën. Çekët, polakët, gjermanët dhe të tjerët që kalonin andejpari (prej të cilëve unë nuk pashë asnjë), i jepnin pionierit 100 euro për t'u treguar rrugën e vetme për Zhepovë, Kajcë, Ballaban, Sukë. Prishta me halle është e zhytur në një javashllëk brenda të cilit s'ka asnjë rëndësi sa është ora, sa është data, cila është java, muaji, viti, shekulli, nëse është diktaturë, demokraci, sulltanat, republikë, mbretëri. Në Prishtën me halle horizonti është pothuaj krejt i mbyllur. Prishtës me halle Zoti i ka lënë vetëm një dritare në lindje, nga ku duken madhështorët Tomorri dhe Ostrovica pranë e pranë, si nuse e dhëndërr që zbritën e bënë foto te një fotograf në Çorovodë. Te Prishta me halle mund të vish të falesh te Teqeja e famshme. Të kënaqesh me ajrin dhe aromat e pyllit. Të kalosh për qef si unë dhe çekët e polakët e padukshëm me motorë e fuoristrada. Për të jetuar në Prishtën me halle s'bëhet fjalë. Prishta me halle është tepër larg. Tepër e vetmuar. Repër e harruar. Ca stane, ca baxho, ca bletarë, ca blegtorë nuk premtojnë perspektivë. Kur një ditë rruga të ndreqet e të asfaltohet, Prishta me halle do të bëhet Prishta pa halle — vend përrallë, vend fantastik klimatik e turistik me hotele e restorante, ku do të hahet mish bio e do të gjerbet raki Skrapari — por fshat në kuptimin klasik Prishta me halle nuk do të jetë më kurrë. I zhytur në aromat dehëse të pyllit dhe freskun e luginës, nuk i dhashë asnjë prishtanaku kënaqësinë të mburrej: Këtu ishte shkolla, këtu zyrat e kooperativës, ambulanca, mensa... e me radhë infrastruktura vajtimtare diktatoriale komuniste. Megjithatë, Prishta me halle, Teqeja, Babai i Teqesë së Prishtës me halle — subjekte të shpeshta të rrëfimeve të nënës sime, Hasijes — janë ende gjallë. Sa kohë ruan besimin, Bektashizmin, le të mbetet gërmadhë Prishta me halle. Edhe Koloseu, lavdia e një perandorie të rrënuar, gërmadhë është. Në të dalë të Prishtës me halle rruga duket si e bombarduar dje. Rruga te Qafa e Muhrrit, rruga Kukur-Bishnicë, rruga Bizë-Fush Studë, nuk janë aq tmerr sa rruga për te Prishta me halle. Aty-këtu ndonjë stan ose baxho e braktisur. Shtëpi pa njerëz. Bagëti pa çoban. Fshat pa tym oxhakësh dhe pa të lehura qensh. Në rrugë dhe anës rrugës ka parafango të shqyera dhe pjesë plastike nga makina që guxuan të kalojnë këtejoari. Rruga ndjek përpikërisht rrudhat e pafundme të malit. S'kam asnjë ide sa mund të vazhdojë ferri i gropave dhe gungave që janë aq identike, sa më duket se po vërtitem pafund brenda të njëjtës kthesë. Por, ashtu si nata shekspiriane që gjithmonë gdhin, edhe kjo rrugë diku mbaron. Te një qafë fërkoj sytë: jam zgjuar apo në ëndërr? Përpara më del një lumturim i rrallë i syrit dhe mendjes. Pamja më madhështore në botë. Nga Qafa e Kiçokut, Trebeshina me rrudha e katunde te këmbët, deri në Këlcyrë. Mirëpo, në atë qafë s'di nga t'ia mbash: Djathtas, ku duken gjurmë gomash dhe me gjasa ndodhet Kajca? Apo majtas, nga ku nuk duket si rrugë, ka gjurmë rrotash, dhe terreni me kodra të buta duket disi më i ëmbël? Meqënse aq ment kam, më rrëmbeu ëmbëlsia e kodrave si gjinj femrash. Vazhdova kodër më kodër në gjurmët mbi gjinj të udhëtarëve të tjerë, çekë, polakë, gjermanë, turq, arabë, të verdhë, të kuq, të zinj, e të tjerë. Tatëpjetë mbi butësinë e gjinjve dhe mahnitjen e thithkave vullkanike, arrita te një Tyrbe e shkretë. As Baba, as Dervish, as besimtarë, asgjë; edhe çesma e thatë. Vetëm një tabelë e zezë nën një flamur që i është këputur shtiza e ka rënë, ku është shkruar: "Këtu do të ndërtohet tyrbja e Dervish Islam Bregut". Tyrbja është e ndërtuar. Duket si paradoks. Sikur në Përmet tabelat që paralajmërojnë ndërtimin e tyrbeve vendosen pasi tyrbet ndërtohen. Te Tyrbja që pritet të ndërtohet edhe pse është ndërtuar, ky udhëtim mbaron. Asnjë makinë, asnjë motor, asnjë këmbësor, as tutje as tëhu nuk pashë. Duke zbritur tatëpjetë, u ktheva te një fshat ku bëra një rrugaçëri që s'e bëj kurrë. Një mëhallë e vogël me pesë a gjashtë shtëpi ku më solli rruga, ishte aq e shkretë dhe e pashpresë për të folur me dikë, sa, desha-s'desha, i rashë borisë. Doli menjëherë te porta një mesoburrë me gruan. Të dy buzagaz. Kur në fund të bisedës për fshatin, ekonominë, emigracionin etj., i falënderova për mirësjelljen dhe mikpritjen, më thanë me një gojë: - U, ç'është ay llaf, jemi përmetarë! Kisha lënë Prishtën me halle dhe Skraparin, kisha dalë në Përmet, në Zhepovë. I komplimentova burrë e grua që nuk kontribuojnë në shkretimin e Shqipërisë. Që aty e tatëpjetë deri në Sukë, nja njëzet minuta nëpër një rrugë të pa asfaltuar me taban të fortë. Në Sukë, te një lokal ku piva ujë, kot për qejf, e vura banakierin të më thoshte një për një emrat e katundeve të magjishme nën këmbët e Trebeshinës. Në Këlcyrë, te Tyrbja e Hasan Dedesë, jo se jam mëkatar, por për të kryer Ritin, ndeza një qiri. Skrapari, Prishta me halle, rruga e skëterrshme, Përmeti, Këlcyra m'u bënë aq lëmsh, sa më doli nga mendja të veja pak më tutje te një Baxho anës udhës të merrja pak djathë bio a ndonjë gjizë të fundbotshme. Nën një hije përgjatë Grykës së magjishme të Këlcyrës hëngra ç'kisha marrë nga shtëpia. Pak para kthesës së Frakullës, desh çova në Parajsë një tip me biçikletë që mbante mbi shpinë pompën e spërkatjes dhe në zgarrë një bidon të madh. Ku kthen rruga për Bubullimë, thashë se bëra hatanë. Një i shkalluar me një Opel të vogël frenoi befas para meje. Mezi shpëtova nga përplasja veten dhe të shkalluarin, që kur e parakalova vura re se po vazhdonte të shkruante mesazhe në celular. Kështu ndodhi që nga ëndrra për të dëgjuar iso përmetare dhe botërore në Prishtën me halle, përfva në një Rock and Roll me gropa dhe gurë. Asgjë më e rëndësishme asaj dite korriku në krejt hapësirën dardane nga Danubi në Peloponez. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Berat prishta Edison Ypi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! Komento Komente Sondazhi i ditës:

24 Korrik, 13:38

Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63% Jo 30% Nuk e di 7.1% Vota total: 4737 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38 Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?