Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj individëve dhe subjekteve kubane, në kuadër të presionit në rritje të administratës Trump ndaj regjimit komunist në Havana. Masat e reja synojnë drejtuesit e Institutit Kuban të Miqësisë me Popujt (ICAP), i cili, sipas Rubio, përdor shkëmbimet arsimore për të “identifikuar, rekrutuar dhe radikalizuar elementë subversivë”.
“Administrata Trump nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa një fuqi e huaj armiqësore përpiqet të shfrytëzojë liritë tona, duke mashtruar dhe korruptuar qytetarët amerikanë përmes gënjeshtrave, teknikave të spiunazhit dhe veprimeve të tjera të paligjshme”, deklaroi Rubio.
Sipas tij, këto aktivitete janë pjesë e përpjekjeve të regjimit kuban për të përhapur në botë “marksizmin, pakënaqësinë racore dhe dhunën komuniste”.
SHBA kishte vendosur më herët sanksione ndaj ICAP në muajin qershor. Masat e reja prekin presidentin e organizatës, Fernando Gonzalez Llort, zëvendëspresidenten e parë Noemi Ramona Rabaza Fernandez dhe drejtoreshën për Amerikën e Veriut, Leima Martinez Freire.
Rubio tha gjithashtu se vetëm pak ditë më parë, regjimi kuban kishte tentuar të shfrytëzonte 100-vjetorin e lindjes së ish-udhëheqësit komunist Fidel Castro për të rigjallëruar këtë rrjet, duke shoqëruar një brigadë të re mbështetësish ndërkombëtarë drejt Havanës, me synimin për të krijuar lidhje me përfaqësues të regjimit.
Paketa e re e masave përfshin gjithashtu sanksione ndaj katër subjekteve që operojnë në sektorin e metaleve dhe industrisë minerare, për shkak se janë në pronësi të shtetit kuban ose kanë lidhje me regjimin.
Në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe tre kompani të angazhuara në aktivitetet e importit dhe eksportit. Ato operojnë në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë e automjeteve, pajisjeve industriale, elektroshtëpiakeve dhe materialeve të ndërtimit.
Vendimi i fundit tregon përshkallëzimin e presionit të administratës Trump ndaj autoriteteve kubane dhe sektorëve që konsiderohen të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e Havanës. Top Channel

