Lajme Zone
Presidenti që “u tërhoq zvarrë” nga Kosova
BotëPamfleti

Presidenti që “u tërhoq zvarrë” nga Kosova

Kosova është një histori tjetër. Atje Vuçiç nuk foli për kilometra, por për centimetra. Për vite me radhë u premtoi serbëve se nuk do të lëshonte “asnjë centimetër”, duke e vendosur veten në rolin e udhëheqësit që mund të negociojë me Perëndimin, të ulet me shqiptarët në Bruksel, të bëjë kompromise, por pa kaluar ‘vijën e kuqe’ të interesit kombëtar serb.

Aleksandar Vuçiç / Aleksandar Vuçiç premtoi se nuk do të lëshonte asnjë centimetër nga Kosova. Bilanci i tij politik tregon një histori tjetër... Aleksandari ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me kilometrat. Autostrada, hekurudha, rrugë të reja, ura e kantiere janë përdorur prej vitesh si dëshmi konkrete e Serbisë që po ndërtohej dhe modernizohej nën drejtimin e tij. Asfalti është, në fund të fundit, një aleat i shkëlqyer për pushtetet, sidomos për pushtetet autoritare.

Kosova është një histori tjetër. Atje Vuçiç nuk foli për kilometra, por për centimetra. Për vite me radhë u premtoi serbëve se nuk do të lëshonte “asnjë centimetër”, duke e vendosur veten në rolin e udhëheqësit që mund të negociojë me Perëndimin, të ulet me shqiptarët në Bruksel, të bëjë kompromise, por pa kaluar ‘vijën e kuqe’ të interesit kombëtar serb.

Tani, kur në Serbi po bëhet bilanci i epokës së tij presidenciale, pikërisht kjo metaforë i kthehet në një ironi politike. “Danas”, duke cituar kritikët e presidentit serb, përdor foljen e rëndë: Vuçiç “u zvarrit” nga Kosova.

Është gjuhë polemike dhe duhet lexuar si e tillë. Vuçiç nuk e njohu Kosovën, Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e saj dhe Beogradi nuk ka hequr dorë nga beteja diplomatike kundër shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, bilanci i një politikani nuk bëhet me deklarata, por me realitete që ka prodhuar politika e tij. Pikërisht këtu nis sikleti i Vuçiçit.

Gjatë viteve të tij në pushtet, policia serbe në veri u integrua në Policinë e Kosovës, gjyqësori u përfshi në sistemin juridik të Kosovës dhe një pjesë e strukturave që dikur funksiononin nën autoritetin e Beogradit humbën rolin që kishin pasur. Marrëveshjet e Brukselit e zhvendosën gradualisht konfliktin nga ruajtja e strukturave paralele drejt integrimit dhe normalizimit, ndërsa marrëveshja evropiane e vitit 2023 e çoi procesin edhe më tej, duke parashikuar që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Asnjë prej këtyre hapave nuk u shit në Beograd si tërheqje. Secili kishte shpjegimin e vet: kompromis i domosdoshëm, shmangie e një skenari më të keq, mbrojtje e serbëve të Kosovës. Kjo ishte një nga aftësitë më të spikatura politike të Vuçiçit: të bënte një hap prapa në tryezën e negociatave dhe, kur kthehej në Beograd, ta shpjegonte sikur Serbia sapo kishte avancuar dy hapa para.

Problemi është se historia nuk i lexon konferencat për shtyp një nga një. Ajo i vendos marrëveshjet pranë njëra-tjetrës dhe sheh se ku ke qenë në fillim dhe ku ke mbërritur në fund.

Në fillim të epokës së Vuçiçit, Beogradi kishte një prani institucionale shumë më të drejtpërdrejtë në veri të Kosovës. Sot autoriteti i Prishtinës atje është dukshëm më i gjerë. Kjo nuk do të thotë se Serbia është zhdukur politikisht nga Kosova, aq më pak se konflikti është zgjidhur. Asociacioni mbetet i pazbatuar, komuniteti serb vazhdon të jetë një faktor vendimtar dhe vetë Prishtina është përplasur disa herë me aleatët perëndimorë për mënyrën se si ka vepruar në veri.

Megjithatë, për Vuçiçin mbetet një paradoks që nuk zhbëhet me retorikë. Politikani që e ndërtoi autoritetin e tij duke premtuar se Serbia nuk do të lëshonte asnjë centimetër nga Kosova, e mbyll epokën e tij presidenciale me më pak instrumente institucionale serbe në Kosovë sesa kishte kur mori pushtetin.

Këtu metafora e “zvarritjes” merr kuptimin e saj të vërtetë politik. Nuk bëhet fjalë për një largim të menjëhershëm, për një kapitullim apo për një dokument ku Vuçiç ka firmosur njohjen e Kosovës. Përkundrazi, bëhet fjalë për një proces të ngadaltë, marrëveshje pas marrëveshjeje, kompetencë pas kompetence, ndërkohë që para publikut serb ruhej përshtypja se pozicioni themelor nuk kishte ndryshuar.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe e trashëgimisë së tij. Vuçiç kërkon të mbahet mend si presidenti që ndërtoi kilometra të tërë rrugësh në Serbi, ndërsa kundërshtarët e tij do ta kujtojnë si presidentin gjatë të cilit Beogradi humbi terren në Kosovë.

Dhe për një politikan që u premtoi serbëve se nuk do të lëshonte asnjë centimetër, historia mund të rezervojë një matje shumë më të pakëndshme se ajo e autostradave: të mbledhë të gjithë centimetrat e lëshuar gjatë viteve dhe të shohë sa kilometra bëhen në fund./Pamfletipresidenti që “u tërhoq zvarrë” nga kosova gjergj zegi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Pse është trembur Edi Rama? 27 Shtator 2026, 19:2619:26Editorial Pse Edi Rama e sulmoi presidentin Joe Biden? 26 Shtator 2026, 11:5411:54Editorial Radarët e Vlorës dhe dritat e Librazhdit! 25 Shtator 2026, 11:1211:12Editorial Edi Rama ka “vdekur”, por nuk ka kush e varros... 24 Shtator 2026, 11:4511:45Editorial Kur Presidenti ta sjell në “majë të hundës” 23 Shtator 2026, 11:3511:35Editorial Vlora, arketipi i zyrtarëve të Edi Ramës 22 Shtator 2026, 11:3511:35Editorial