Zyra e Shtypit e Presidencës së Republikës së Shqipërisë ka reaguar publikisht këtë të enjte për pretendimet se Alqi Bllako mban apo ka mbajtur detyrën e këshilltarit pranë këtij institucioni. Përmes një reagimi zyrtar për mediat, Institucioni i Presidentit bën me dije se Bllako nuk ka asnjë lidhje me Kabinetin e Presidentit dhe se nuk ka qenë dhe nuk është këshilltar i Presidentit. “Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me pretendimin se zoti Alqi Bllako është këshilltar i Presidentit të Republikës, saktësojmë se zoti Alqi Bllako nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është këshilltar i Presidentit të Republikës dhe nuk ka asnjë marrëdhënie me këtë institucion,” thuhet në deklaratë. Sipas Zyrës së Shtypit, ky sqarim bëhet me qëllim shmangien e çdo keqinformimi në publik lidhur me përbërjen zyrtare të kabinetit të Kreut të Shtetit.
