Ergys Agasi / Ndërsa opinioni shqyen “koordinatorin”, Edi Rama përfiton nga reduktimi i dosjes së një mekanizmi shtetëror në historinë personale të Ergys Agasit... Dosja e SPAK-ut për tenderët e AKSHI-t, dhunën ndaj konkurrentëve dhe 59 milionë euro procedura publike nuk përshkruan aventurën e një adolishenti të vonuar, por degradimin e shtetit që Edi Rama ndërtoi. Prej dy ditësh Shqipëria merret me Ergys Agasin. Ku u fsheh, me kë udhëtonte, çfarë makine përdorte, si e ndoqi policia dhe nëse do të bashkëpunojë me drejtësinë. Një vend i tërë pret të dëgjojë se çfarë do të thotë “koordinatori”, dhe e gjitha kjo pasi shteti ka përfunduar në duart e një adoleshenti të vonuar, të përkëdhelur nga pushteti dhe të bindur se mund të komandonte çdo zyrë. Arrestimi rrezikon ta fshehë pikërisht këtë fakt. Pavarësisht nëse policia e kapi në befasi apo ai zgjodhi të dorëzohej, situata po prodhon një efekt të leverdisshëm për Ramën. Peshkatarët e vjetër u hedhin peshkaqenëve fuqinë, masën me gjak që ua ndez urinë dhe i largon nga varka. Sot fuqia që po u hidhet peshkaqenëve të opinionit publik quhet Ergys Agasi. Të gjithë mund të shqyejnë “Gysin”, të numërojnë pronat, makinat, miqtë dhe veset e tij, ndërsa varka vazhdon udhëtimin me të njëjtin ekuipazh. Rama mbetet kryeministër, ministrat vazhdojnë punën, drejtorët heshtin dhe institucionet paraqiten si viktima të një të riu që ua paska hedhur të gjithëve.
Ky version i ngjarjes i shërben vetëm kryeministrit. Ai e redukton dosjen e një mekanizmi shtetëror te historia personale e “koordinatorit”. Kjo është pikërisht përgjegjësia e Edi Ramës.
Ergys Agasi nuk fitoi zgjedhje, nuk mori mandat publik dhe nuk drejtoi zyrtarisht ndonjë institucion. Megjithatë, sipas dosjes së SPAK-ut, ai dhe Ermal Beqiraj dyshohet se ngritën një grup të strukturuar kriminal që manipulonte tenderët e AKSHI-t, përdorte dhunë kundër konkurrentëve dhe pastronte paratë e përfituara. Prokuroria i lidh procedurat e hetuara me rreth 59 milionë euro fonde publike. Agasi nuk ka marrë ende një dënim dhe avokati i tij i kundërshton akuzat.
Asnjë biznesmen nuk mund ta ndërtojë i vetëm një mekanizëm të tillë. Duhet dikush që t’i hapë derën e institucionit, dikush që të hartojë kriteret e tenderit, dikush që të nxjerrë informacionin, dikush që të rrëzojë ankesat dhe dikush që t’i bindë drejtuesit e administratës se urdhri nga lart vlen më shumë se ligji.
Gysi mund të ketë luajtur rolin e koordinatorit. Shtetin ia dha në përdorim pushteti.
Në shtator 2023, ai krijoi “EA Solutions” me një kapital prej 1 mijë lekësh. Sipas dokumenteve nga dosja hetimore, kompania arkëtoi brenda një kohe të shkurtër miliona euro për shërbime, ndërsa prokurorët dyshojnë se paratë lidhen me tenderë të paracaktuar. Shqipëria nuk pa ndonjë shpikje teknologjike, ndonjë platformë të re apo ndonjë produkt që justifikonte fitimet. Ajo pa formulën që prodhoi qeverisja e Ramës: një kompani pa histori, një njeri me akses dhe një administratë që zbatonte porositë.
Kryeministri kërkon ta trajtojë këtë dosje si punë të SPAK-ut, për të cilën ai nuk paska pasur dijeni. Ky justifikim e fs edhe më shumë. Nëse një person pa asnjë post publik kontrollonte tenderët e institucionit që administron të dhënat, sistemet dhe sigurinë digjitale të shtetit, ndërsa kryeministri nuk dinte asgjë, atëherë Rama pranon se nuk kontrollonte qeverinë e tij. Nëse kishte dijeni dhe heshti, përgjegjësia bëhet më e rëndë.
Në të dyja rastet, alibia bie.
Rama e ka ndërtuar pushtetin mbi dublimin e institucioneve. Ministrat mbajnë postet, ndërsa njerëzit e besuar marrin vendimet. Drejtorët firmosin, ndërsa ndërmjetësit përcaktojnë fituesit. Komisionet përgatisin dokumentet, ndërsa klientët e pushtetit njohin rezultatin para se të hapet gara. Administrata ruan fasadën ligjore, ndërsa rrjeti joformal ndan paratë, lejet dhe privilegjet.
Ky model i ktheu zyrtarët në shërbëtorë të njerëzve pa mandat. Disa u bënë lakej të Gysit, disa të tjera lavire të Gysit dhe shumë prej tyre zgjodhën heshtjen. Askush nuk mund të thotë se nuk e kuptoi çfarë po ndodhte kur një biznesmen hynte në institucionet e sigurisë digjitale dhe trajtohej si autoritet mbi autoritetet.
Dosja përmban edhe akuzën se grupi rrëmbeu biznesmenin Gerond Meçe për ta detyruar të tërhiqte ankesat ndaj tenderëve. Sipas dëshmisë së administruar nga hetuesit, rrëmbyesit u paraqitën si punonjës të BKH-së, i vunë pranga dhe i treguan listën e procedurave që kompania e tij kishte ankimuar. Nëse gjykata e provon këtë episod, skema nuk ka përdorur vetëm korrupsionin. Ajo ka kopjuar shtetin, ka veshur uniformën e tij dhe ka përdorur emrin e drejtësisë për të mbrojtur tenderët.
Kjo është trashëgimia politike e Ramës: shteti nuk luftonte mafian, mafia imitonte shtetin.
SPAK sekuestroi në prill pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro, të lidhura me personat nën hetim. Hetuesit gjetën në emër të Ergysit prona, toka, ndërtesa, automjete dhe llogari bankare. Kryeministri nuk mund të fshihet pas figurës së djaloshit të llastuar që i mori të gjithë në qafë. Agasi nuk emëroi drejtorët. Nuk miratoi organigramat. Nuk kontrolloi shumicën parlamentare. Nuk drejtoi policinë, shërbimet informative apo administratën. Të gjitha këto i kontrollonte Edi Rama.
Ai krijoi mjedisin ku besnikëria ndaj oborrit vlente më shumë se profesionalizmi, ku një telefonatë mposhtte procedurën dhe ku drejtuesit e institucioneve e matnin karrierën me afërsinë ndaj njerëzve të kryeministrit. Gysi përfitoi nga ky system që Edi Rama e ndërtoi.
Edhe arrestimi pas tetë muajsh arrati ngre shumë pyetje. Policia thotë se e mbajti nën vëzhgim dhe e arrestoi në Durrës, ndërsa udhëtonte me ish-punonjësin e policisë Uljan Shpataraku. Autoritetet duhet të shpjegojnë ku qëndroi gjatë kësaj kohe, kush e strehoi, kush e financoi dhe si lëvizte brenda vendit pa u ndaluar. Qoftë arrestim i papritur apo dorëzim i menaxhuar, prangat nuk e kthejnë dosjen në çështje personale.
Tani mediat pyesin nëse Agasi do të flasë. Pyetja më e rëndësishme është nëse SPAK-u do të ngjitet nga koordinatori te Babloku. Hetimi duhet të identifikojë çdo zyrtar që përgatiti tenderët, dorëzoi informacionin, bllokoi konkurrentët dhe mbrojti grupin. Pa këtë hallkë, drejtësia do të arrestojë njeriun që shpërndante porositë dhe do të lërë të paprekur pushtetin që i prodhonte ato.
Ergys Agasi mund të heshtë, të mohojë ose të bashkëpunojë. Edi Rama nuk ka të drejtë të heshtë. Për trembëdhjetë vjet ai emëroi drejtuesit, kontrolloi administratën dhe e paraqiti shtetin si pronë të suksesit të tij. Tani duhet të mbajë përgjegjësi edhe për kalbëzimin e këtij pushteti.
Me koordinatorin nuk bie vetëm një biznes. Bie alibia e kryeministrit që e ktheu shtetin në salet privat, institucionet në dekor dhe drejtorët në shërbëtorë të njerëzve pa mandat./Pamfletiergys agasi gysi fuqia që edi ua hodhi peshkaqenëve gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Sa na duhet edhe ne një Dolly Parton 26 Gusht 2026, 10:3310:33Editorial Donald Trump, ky humbës i madh 25 Gusht 2026, 15:1015:10Editorial Vjeshta e Mbijetesës 24 Gusht 2026, 13:0313:03Editorial Kush po kërkon t’i rrëmbejë “Flamingot”? 23 Gusht 2026, 16:0016:00Editorial Katovica buzë liqenit të Ohrit 22 Gusht 2026, 16:4516:45Editorial Pse Edi Ramës do t’ia hanë kokën të vetët 21 Gusht 2026, 16:4416:44Editorial

