Lajme Zone
Prapaskenat e zgjedhjeve 2021/ Rama e Basha në “luftë” për votat, konsulentët izraelitë të PS-PD “miq” pas perdeve
PolitikëPamfleti

Prapaskenat e zgjedhjeve 2021/ Rama e Basha në “luftë” për votat, konsulentët izraelitë të PS-PD “miq” pas perdeve

Në prapaskenën e kësaj përballjeje vepronte një rrjet konsulentësh izraelitë, të cilët, megjithëse paguheshin për të ndihmuar dy kundërshtarët kryesorë politikë, kishin mes tyre marrëdhënie të hershme profesionale.

Foto ilustruese/ Adi Timor dhe Tal Silberstein, dy konsulentë izraelitë që kishin punuar së bashku për vite, u angazhuan në kampe kundërshtare në Shqipëri. Ndërsa Rama fitoi mandatin e tretë, Basha siguroi 622 mijë vota dhe 59 mandate. Pesë vjet më vonë, emri i një tjetër këshilltari të Bashës, Srulik Einhorn, shfaqet në komunikimet e Ergys Agasit, të përfshira në dosjen e SPAK për ish-kreun e SHISH. Në pranverën e vitit 2021, socialistët dhe demokratët u përfshinë në një luftë të ashpër politike. Edi Rama kërkonte mandatin e tretë, Lulzim Basha premtonte rrëzimin e tij, ndërsa mijëra shqiptarë besonin se po merrnin pjesë në një përballje vendimtare për të ardhmen e vendit. Militantët përplaseshin nëpër qytete, akuzat dominonin ekranet televizive dhe dy partitë mobilizonin çdo strukturë për të siguruar votën.

Në prapaskenën e kësaj përballjeje vepronte një rrjet konsulentësh izraelitë, të cilët, megjithëse paguheshin për të ndihmuar dy kundërshtarët kryesorë politikë, kishin mes tyre marrëdhënie të hershme profesionale.

Dy emra meritojnë vëmendje të veçantë: Adi Timor, konsulente e fushatës së Lulzim Bashës, dhe Tal Silberstein, strateg politik i angazhuar në ekipin e Edi Ramës.

Sipas informacioneve të përcjella në redaksinë e Pamfletit, gjatë periudhës së fushatës elektorale, konsulentët e angazhuar në dy shtabet kundërshtare janë parë duke frekuentuar ambiente të përbashkëta. Dokumentimi publik i marrëdhënies së tyre profesionale, ndërkohë, shkon shumë më larg vitit 2021.

Gazeta izraelite The Times of Israel, në një investigim të botuar më 7 maj 2021, zbuloi se Timor dhe Silberstein kishin punuar së bashku në fushatën e Gideon Sa'ar në Izrael, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve parlamentare shqiptare. Në mars ishin në të njëjtin ekip politik. Në prill, njëri punonte për Ramën dhe tjetra për Bashën.

Historia e tyre kishte nisur shumë më herët. Në një intervistë për gazetën ekonomike izraelite Globes, në vitin 2013, Adi Timor tregonte se kishte punuar për disa vite me Silberstein në fushata politike në Europën Lindore, përfshirë Ukrainën, Bullgarinë, Çekinë dhe Rumaninë. Ajo kishte qenë pjesë e ekipit të tij përpara se të ngrinte kompaninë e vet të konsulencës.

Kështu, ndërsa Rama dhe Basha përballeshin publikisht si kundërshtarë të papajtueshëm, dy këshilltarët e tyre kishin një histori të gjatë bashkëpunimi, njihnin metodat e punës së njëri-tjetrit dhe vetëm pak javë më parë kishin ndjekur të njëjtin objektiv elektoral.

Kjo marrëdhënie e dokumentuar e bën të rëndësishëm informacionin për kontaktet mes njerëzve të dy shtabeve. Kush i organizonte këto kontakte? A kishin dijeni Rama dhe Basha për afërsinë profesionale mes këshilltarëve të tyre? Ku përfnte bashkëpunimi i vjetër dhe ku fillonte detyrimi për të ruajtur sekretet e dy fushatave kundërshtare?

Në politikë, informacioni elektoral ka vlerë të jashtëzakonshme. Sondazhet e brendshme, dobësitë e kundërshtarit, strategjitë e goditjes, shpenzimet e reklamimit dhe mobilizimi i votuesve janë të dhëna që përcaktojnë mënyrën si zhvillohet një fushatë. Pikërisht për këtë arsye, marrëdhëniet mes profesionistëve që punojnë për kampe rivale kanë rëndësi përtej njohjeve të zakonshme personale.

Rezultati i Bashës dhe paradoksi i 25 prillit

Zgjedhjet përfunduan me fitoren e Edi Ramës, i cili siguroi 74 mandate parlamentare dhe 768.134 vota. Koalicioni i udhëhequr nga Lulzim Basha mori 622.187 vota dhe 59 mandate.

Megjithëse humbi zgjedhjet, Basha arriti rezultatin më të lartë të PD-së gjatë drejtimit të tij deri në atë kohë. Krahasuar me vitin 2017, kur demokratët kishin siguruar 43 mandate, në vitin 2021 fituan 16 më shumë. Edhe numri i votave u rrit ndjeshëm.

Rezultati i vitit 2021 ishte një rikuperim i rëndësishëm për opozitën, megjithëse koalicioni i saj mbeti nën rezultatet e koalicioneve të mëdha të së djathtës në vitet 2009 dhe 2013.

Kjo e bën edhe më interesante prapaskenën izraelite. Basha kishte një ekip konsulentësh me përvojë ndërkombëtare, ndërsa Rama përdorte profesionistë të së njëjtës industri, disa prej të cilëve kishin bashkëpunuar drejtpërdrejt me njerëzit e kampit kundërshtar.

Përballja prodhoi dy rezultate të ndryshme: Rama ruajti pushtetin, ndërsa Basha përmirësoi ndjeshëm rezultatin e opozitës krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Çfarë roli patën strategjitë izraelite në këtë rezultat dhe sa kushtoi angazhimi i tyre?

Nga propaganda elektorale te paratë me administratorë në Izrael

Një muaj pas zgjedhjeve, BIRN publikoi një investigim mbi gjashtë faqe Facebook-u që shpërndanin mesazhe në favor të Partisë Socialiste dhe kundër opozitës.

Sipas investigimit, këto faqe kishin regjistruar 51.44 milionë shikime videosh nga shtatori 2020 deri në ditën e zgjedhjeve. Vetëm gjatë periudhës 11 mars–25 prill 2021, për reklama politike ishin shpenzuar 36.810 dollarë.

Të gjashtë faqet kishin administratorë të regjistruar në Izrael.

Identiteti i administratorëve dhe burimi i parave nuk u përcaktuan në investigim. Pikërisht këtu shfaqet një tjetër pjesë e mekanizmit elektoral: reklamimi politik përmes faqeve që vepronin në favor të një partie, ndërkohë që personat pas tyre nuk njiheshin nga publiku.

Në Shqipëri, qytetarët ndiqnin spotet dhe mesazhet e fushatës. Jashtë vëmendjes së tyre mbeteshin kontratat e konsulencës, pagesat dhe njerëzit që administronin një pjesë të përmbajtjes politike në internet.

Nga shtabi i Lulzim Bashës te komunikimet e Ergys Agasit

Pesë vjet pas zgjedhjeve të 25 prillit, një tjetër emër i ekipit izraelit të Bashës u shfaq në një çështje shumë më të ndjeshme se konsulenca elektorale.

Bëhet fjalë për Yisrael “Srulik” Einhorn, strateg politik që kishte punuar për Benjamin Netanyahun dhe ishte angazhuar në fushatën e PD-së në vitin 2021.

Eemri i tij u lidh publikisht me komunikimet e Ergys Agasit, të përfshira në materialet e dosjes së SPAK për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Sipas fragmenteve të vendimit gjyqësor të publikuara në media, Agasi kishte komunikuar me dy shtetas izraelitë, të identifikuar si “Shalev I.” dhe “Srulik E.K.”. Ky i fundit është identifikuar në raportimet shqiptare si Srulik Einhorn, ish-konsulenti i Bashës. Nga fushata e Lulit te dosja e SHISH/ Koordinatori i Edi Ramës komunikonte me strategun e Netanyahut të kërkuar në Izrael 6 Nëntor, 16:53 Në një prej komunikimeve të cituara nga dosja, Agasi i referohej një prokurori dhe një ndërhyrjeje që, sipas tij, mund të realizohej nga drejtuesja e SHISH. Biseda zhvillohej në një kontekst krejt tjetër nga zgjedhjet e vitit 2021, por identiteti i bashkëbiseduesit rikthen në vëmendje rrjetin izraelit që kishte operuar në politikën shqiptare.

Një njeri që pesë vjet më parë ishte pjesë e fushatës së Lulzim Bashës shfaqej tashmë në komunikimet e Ergys Agasit, emër i përfshirë në një prej dosjeve më të ndjeshme të hetuara nga SPAK.

Materialet e publikuara dokumentojnë një marrëdhënie të mëvonshme që meriton të shqyrtohet për të kuptuar vazhdimësinë e kontakteve të Einhorn në Shqipëri.

Historia e 25 prillit ka një anë që shqiptarët e njohin mirë: mitingjet, premtimet, përplasjet politike dhe rezultatin që i dha Ramës mandatin e tretë.

Ana tjetër është shumë më pak e ndriçuar. Tetë konsulentë izraelitë të angazhuar në dy kampe rivale, bashkëpunime profesionale që datojnë prej vitesh, reklamim politik me administratorë të regjistruar në Izrael dhe, pesë vjet më vonë, shfaqja e njërit prej këtyre konsulentëve në komunikimet e koordinatorit të Ramës Ergys Agasi.

Këto fakte nuk mjaftojnë për të shpallur një pazar të fshehtë mes Ramës dhe Bashës. Megjithatë, ato krijojnë një pistë konkrete për hetimin e marrëdhënieve, interesave dhe pagesave që shoqëruan angazhimin e konsulentëve të huaj në dy partitë kryesore. /Pamfleti zgjedhje 2021 rama basha Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Zoti Kryeministër, lidhe bulldogun! 7 Nëntor 2026, 13:0513:05Dosja e zezë Nga fushata e Lulit te dosja e SHISH/ Koordinatori i Edi Ramës komunikonte me strategun e Netanyahut të kërkuar në Izrael 6 Nëntor 2026, 16:5216:52Dosja e zezë SPAK i afrohet Mirela Kumbaros, hap dosjen e Syrit të Kaltër; ministrja 'mullar' me afera 5 Nëntor 2026, 20:2520:25Dosja e zezë BE nxjerr zbuluar propagandën e Ramës dhe sukseset e SPAK: Milionat e krimit mbeten jashtë konfiskimit, tenderët pa konkurrencë 5 Nëntor 2026, 08:5408:54Dosja e zezë Edi Rama, frika e një sundimtari që i trembet edhe hijes së tij! 4 Nëntor 2026, 13:5713:57Dosja e zezë Afera në SPAK/ Rama ndryshoi rregullat e prokurimit ushtarak, TIMAK Defence mori kontratën 11 mln euro për antidronët 3 Nëntor 2026, 20:0820:08Dosja e zezë