E ashtuquajtur “Prania Besnike”, u prezantua më 30 korrik 2026, gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PS. Nga ajo çka Rama shpjegoi sot, në thelb, Prania Besnike është një lloj “zyre pritjeje” periodike e deputetit me qytetarët, por e konceptuar me rregulla të përcaktuara nga Rama. “Çdo të premte në orën 17:00 të gjithë ne që jemi këtu do jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, deklaroi Rama.
Pra, e premtja e orës 17:00 do i gjejë socialistët në një tryezë me një qëllim që do të duhej të ishte përcaktuar 13 vite më parë: të dëgjojë popullin që e ka votuar.
Mirëpo, ky takim i përjavshëm ose siç Rama e ka konsideruar, një dëgjesë me popullin, është e mirëorganizuar për të qenë totalisht e censuruar. Vetë Rama e tha qartë se nuk do të ketë kamera e telefona, por vetëm disa foto para çdo takimi.
“Kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij dhe do të marrë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Besnike refuzon përkatësinë partiake. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave”, tha Rama.
Në një kohë kur transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve do të duhej të ishin pjesë e natyrshme e funksionimit të institucioneve, “Prania Besnike” vjen me rregulla që e mbajnë median jashtë derës. Qytetari mund të flasë, të ankohet dhe të “qajë hallin”, por publiku nuk do të ketë mundësi të shohë apo të dëgjojë se çfarë ndodh në këto takime.
Pas 13 vitesh në pushtet, Rama u kërkon tashmë deputetëve të ulen përballë qytetarëve dhe t’i dëgjojnë. Por pyetja që mbetet është nëse kjo është një mënyrë e re për të dëgjuar popullin apo thjesht një tjetër skenë politike, këtë herë pa kamera. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

