“Prania Besnike”, nisma e re e Partisë Socialiste për takimet e deputeteve me qytetarët, nisi këtë të premte në orën 17:00 në të gjithë vendin, por jo të gjithë deputetët socialistë zhvilluan takime. Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e “Pranisë Besnike”, duke theksuar se ajo do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.
Ai e përshkruan nismën si një hapësirë neutrale ku qytetarët mund të paraqesin personalisht shqetësimet, ankesat apo kërkesat e tyre, pa kamera dhe pa simbole partiake.
Rama thekson se “Prania Besnike” nuk do të jetë një mbledhje, por një dëgjesë individuale, ku shqetësimet e qytetarëve do të mbahen shënim dhe do t’u adresohen zyrtarisht institucioneve përmes deputetit.
Sipas tij, nisma nuk premton zgjidhjen e çdo problemi, por synon të garantojë që asnjë kërkesë të mos mbetet pa u adresuar dhe që qytetarët të marrin përgjigjen që u takon.
“SOT NË 17.00 ka nisur në të gjithë Shqipërinë PRANIA BESNIKE e Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe të njëjtin vend, GJITHNJË TË PREMTEN NË ORËN 17.00.
Çdo njësi administrative e Shqipërisë zonë urbane sipas brenda qyteteve më të mëdha, do të ketë PRANINË e vet BESNIKE një të premte në muaj. PRANIA BESNIKE është vend neutral. Hyhet PA KAMERA dhe PA TESËR PARTIE. NUK ËSHTË MBLEDHJE PO DËGJESË INDIVIDUALE e hallit, ankesës, kërkesës. MBAN SHËNIM, adreson institucionet zyrzarisht përmes deputetit dhe sigurohet që qytetari merr përgjigje.
Nuk premton zgjidhje, po zotohet se asgjë nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush pa marrë përgjigjen që i takon me ligj e me zakon. PRANIA BESNIKE të dëgjon dhe BESA të thotë më kontrollo”, shkruan Rama.
Kujtojmë se pas urdhrit të Ramës për këtë nismë, ish-ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka njoftuar takimin me qytetarët në një kafene në Bërzhitë.
Ish-kolegu i saj i Punëve të Brendshme Ervin Hoxha ka përzgjedhur një lokal, tek rruga “Migjeni”, Njësia 11, Tiranë.
Numri dy i qeverisë Albana Koçiu ka zgjedhur Sheshin Garibaldi, Kombinat. Ndërsa Blendi Gonxhe ministër i Kulturës ka zgjedhur një tjetër bar-kafe për t’u takuar me qytetarët e Mëzezit.
E propozuara për garën e ardhshme të zgjedhjeve lokale për Tiranën Ogerta Manastirliu ndryshe nga kolegët e saj që do të zhvillojnë takime nëpër kafene ka zgjedhur Bibliotekën “Petro Zheji”, Njësia 9, Tiranë.
Mësohet Erion Braçe do t’i nisë dëgjesat javën e ardhshme, pasi të jetë konsultuar sot me grup-seksionet e PS të njësisë pesë.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministria e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, nuk e ka publikuar ende vendtakimin si deputete e Tiranës.
Sikurse edhe Fatmir Xhafaj nuk ka publikuar ende se ku do ta aplikojë “Praninë Besnike”.
Qytetarët e Kavajës do të kenë në dispozicion të dëgjohen kryetarin e grupit të PS Taulant Ballën i cili muajt e fundit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij qyteti. Sikurse kolegët e tyre të qarkut Tiranë, edhe deputetët e 11 qarqeve të tjera publikuan vend takimet në kafene dhe qendra fshatrash si vendtakime për të çuar përpara “Praninë Besnike”. Top Channel

