1 ORE ME PARE Fieri në flakë, reagon Policia: Banesa e biznese të dëmtuara, disa familje të evakuuara Zjarr i madh në Fier Policia e Fierit ka reaguar zyrtarisht për zjarrin e përmasave të mëdha që ka përfshirë disa fshatra, duke konfirmuar se flakët kanë dëmtuar banesa dhe biznese, ndërsa disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut.
Sipas Policisë, zjarri ka nisur gjatë ditës së sotme në fshatin Fermë Çlirim dhe, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur me shpejtësi drejt Radostinës dhe zonave përreth, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe bimësie.
Flakët janë shtrirë në fshatrat Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan.
Përhapja e zjarrit ka shkaktuar dëme në disa banesa dhe biznese, ndërsa ka rrezikuar edhe banorë dhe prona të tjera. Përballë situatës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për evakuimin e disa familjeve nga zonat më të rrezikuara.
Në operacion janë angazhuar Komisariati i Policisë Fier, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, emergjencat civile dhe struktura të tjera përgjegjëse. Forcat vijojnë të qëndrojnë në terren për sigurimin e banorëve dhe për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa era e fortë vijon të vështirësojë situatën.
Paralelisht me operacionin për shuarjen e flakëve, ka nisur edhe hetimi për të zbuluar se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut. Nëse nga hetimet rezulton se zjarri është shkaktuar nga veprime të kundërligjshme, po punohet edhe për identifikimin e autorit.
Policia e Fierit u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, duke paralajmëruar se përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të rrezikojë jetën, pronën dhe mjedisin.
Qytetarëve u kërkohet gjithashtu të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie. 1 ORE ME PARE Fieri mes flakëve, banorët marrin ç’mundin dhe largohen të përlotur; Haki Çako jep detaje nga terreni Zjarr apokaliptik në Fier Situata nga zjarri i madh në Fier vijon të jetë e rëndë, ndërsa banorë të zonave të rrezikuara kanë nisur të largohen nga shtëpitë e tyre. Ata shihen teksa marrin me vete sendet personale dhe evakuohen, ndërsa flakët vijojnë të përhapen të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era.
Mes banorëve ka edhe momente të vështira. Disa prej tyre shfaqen të përlotur dhe nuk pranojnë të largohen, duke hezituar të lënë pas shtëpitë dhe pronën ndërsa zjarri ndodhet pranë zonave të banuara.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi se të gjitha forcat dhe strukturat janë angazhuar për të vendosur zjarrin nën kontroll, si nga toka ashtu edhe nga ajri. Sipas tij, kapacitetet për evakuimin e banorëve janë në gatishmëri, ndërsa mbrojtja e jetës së njerëzve mbetet prioritet.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, të gjitha njësitë vendore, të suportuara dhe të mbështetura edhe nga forcat nga ajri me helikopter. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin.
Natyrisht që, për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Po punohet për të evituar çdo lloj problemi që mund të ketë në zonat e banuara dhe me njerëzit. Kjo është një prioritet i padiskutueshëm. Vazhdojmë punën”, deklaroi Çako. Flakët janë afruar edhe pranë disa njësive të biznesit. Sipas kreut të Emergjencave Civile, objektet e rrezikuara deri tani kanë mundur të shpëtohen, por situata vazhdon të konsiderohet problematike.
“Kapacitetet për të evakuuar janë në gatishmëri, pasi zjarri ka qenë më shumë pranë disa njësive të bizneseve, të cilat, fatmirësisht, janë shpëtuar dhe nuk janë shkrumbuar apo djegur nga zjarri.
Por, gjithsesi, mbetet akoma problem. Mbetet një rrezik potencial dhe njerëzit duhet të na mirëkuptojnë, përtej faktit që duhet të jenë të kujdesshëm në ndezjen e zjarreve në këto temperatura të jashtëzakonshme, sepse, kuptohet, zjarri ka faktor vetëm njeriun”, tha Çako.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa nga ajri operacioni po mbështetet me helikopter. Gatishmëria për evakuime mbetet në fuqi për sa kohë flakët vazhdojnë të përbëjnë rrezik për banesat dhe njerëzit. 1 ORE ME PARE Zjarri në Fier avancon në mënyrë të frikshme, kapërcen rrugën dhe linjën hekurudhore; në rrezik edhe një pikë karburanti Situata nga zjarri në Fier vijon të përkeqësohet, ndërsa flakët që nisën në zonën e Radostinës janë përhapur me shpejtësi drejt Levanit dhe tashmë po avancojnë në drejtim të pyllit të Peshtanit të Vogël. Të favorizuara nga era e fortë, flakët kanë përshkuar kodrat dhe kanë djegur sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte e pisha. Zjarri ka kapërcyer në një pjesë rrugën e asfaltuar, si dhe linjën hekurudhore Fier-Vlorë, duke zgjeruar më tej perimetrin e vatrës.
Situata paraqitet veçanërisht problematike në zonën përgjatë aksit të vjetër Fier-Levan, ku flakët kanë avancuar në drejtim të pyllit të Peshtanit të Vogël. Hektarë me ullishte dhe sipërfaqe pyjore janë përfshirë nga zjarri.
Në rrezik ndodhen edhe banesa, lokale dhe një pikë karburanti. Për shkak të afrimit të flakëve, policia ka evakuuar banorët e disa banesave pranë zonës së zjarrit, ndërsa është kërkuar boshatisja e lokaleve përgjatë rrugës nga Qafa e Koshovicës drejt Levanit.
Stafet dhe klientët janë larguar nga ambientet e rrezikuara, ndërsa në zonë ndodhet edhe një fabrikë vaji. Flakët në disa pika janë afruar rreth 100 metra nga rruga kryesore.
Përmasat e zjarrit kanë bërë të nevojshme edhe ndërhyrjen nga ajri. Një helikopter është angazhuar në operacion dhe ka kryer hedhje uji mbi vatrat, duke u rikthyer për ndërhyrje të tjera pas furnizimit.
Në terren vijojnë të operojnë forcat zjarrfikëse, por era e fortë po vështirëson izolimin e flakëve dhe po favorizon përhapjen e tyre në bimësinë e dendur dhe kurorat e pishave.
Për arsye sigurie është ndërprerë edhe qarkullimi i automjeteve në segmentin Levan-Fier dhe në drejtimin e kundërt, për shkak të vatrave të zjarrit pranë rrugës dhe tymit të dendur.
Deri në informacionet e fundit nga kjo zonë nuk raportohet për banesa apo lokale të djegura, por rreziku për to mbetet serioz. Zjarri, i cili nisi mesditën e së premtes mbi fshatin Radostinë, është zgjeruar përgjatë kodrave dhe tashmë ka krijuar një front të gjerë drejt Levanit dhe Peshtanit të Vogël. 2 ORE ME PARE Zjarri i madh në Fier, shtëllungat e tymit mbërrijnë edhe në Vlorë! Foto nga zjarri Përmasat masive të zjarri që ka rënë ditën e sotme në kodrat e Radostinës në Fier, kanë bërë që shtëllungat e tymit të mbërrijnë edhe në Vlorë.
Në pamjet nga qyteti bregdetar, duket se një pjesë e qiellit në hyrje të Vlorës ka marrë ngjyrën e zezë, për shkak të tymit të ardhur nga zjarri në Fier, ç’ka tregon ndotjen e madhe që vjen edhe drejt Vlorës nga kjo situatë e rrezikshme. Situata paraqitet e vështirë për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve. Një tjetër problem për ekipet zjarrfikëse mbetet terreni i thyer, që vështirëson lëvizjen e mjeteve. Qarkullimi në Fier-Levan është vështirësuar, teksa është ndaluar edhe treni i mallrave. 3 ORE ME PARE Rëndohet situata nga zjarret në Fier, flakët përfshijnë një stallë në Levan Zjarr i përmasave të mëdha në fier Rëndohet situata nga zjarret në Fier. Pas përhapjes së flakëve në zonën e Radostinës dhe rrezikut për banesat e bizneset, një stallë bagëtish është përfshirë nga zjarri në Levan, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët kanë depërtuar në ambientet e stallës, ku kanë shkrumbuar ushqimin e grumbulluar për bagëtitë, si dhe një sasi të konsiderueshme makinerish bujqësore që ndodheshin brenda saj.
Situata ka qenë veçanërisht e rrezikshme për shkak të pranisë së bagëtive në stallë. Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur nxjerrjen dhe shpëtimin e mbi 20 krerëve lopë përpara se flakët të përfshinin të gjithë ambientin.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë njëkohësisht për izolimin e vatrës, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe pasoja më të rënda. Nga të dhënat e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në stallë janë të konsiderueshme. Ngjarja në Levan vjen në një kohë kur situata me zjarret në zonën e Fierit është përkeqësuar. Flakët e përhapura në Radostinë kanë avancuar gjatë ditës në ullishte dhe sipërfaqe me shkurre, duke iu afruar banesave dhe bizneseve.
Zjarri dhe tymi i dendur kanë krijuar një situatë të vështirë në zonë, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll të vatrave dhe shmangien e përhapjes së tyre drejt zonave të banuara.
Në Levan, ndërhyrja në stallën e përfshirë nga flakët ka shmangur humbjen e bagëtive, por pronarët përballen me dëme të mëdha nga djegia e bazës ushqimore dhe makinerive bujqësore. 4 ORE ME PARE Pamje apokaliptike nga Radostina e Fierit, zjarri u afrohet shtëpive dhe bizneseve; evakuohen banorët (Video) Foto nga zjarri në Radostinë Përkeqësohet situata nga zjarri në Radostinë të Fierit dhe po avancon drejt zonës së Liqenit të Levanit. Flakët kanë djegur një banesë, ndërsa disa shtëpi, biznese dhe një pikë karburanti mbeten të rrezikuara. Autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve, ndërsa pronarët e lokaleve kanë larguar stafin, klientët dhe orenditë. Tymi ka vështirësuar qarkullimin në aksin Fier-Levan dhe në Qafën e Koshovicës. Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të Bashkisë Fier, ndërsa flakët janë përhapur drejt zonës së Liqenit të Levanit.
Zjarri ka avancuar drejt banesave dhe bizneseve të zonës. Një banesë është djegur, ndërsa disa shtëpi të tjera mbeten të rrezikuara nga përhapja e flakëve. Afrimi i zjarrit ka detyruar autoritetet të nisin evakuimin e banorëve nga pjesët e rrezikuara të Radostinës.
Situata paraqitet problematike edhe pranë Liqenit të Levanit. Flakët janë afruar rreth 200 metra nga disa prej objekteve në këtë zonë, ku ndodhen lokale dhe një pikë karburanti.
Pronarët e lokaleve kanë nisur largimin e stafit dhe klientëve. Ata kanë nxjerrë nga ambientet edhe orendi dhe mjete, ndërsa zjarri vazhdon të përhapet në ullishtet përreth.
Një punonjëse e një prej lokaleve ka treguar shqetësimin për afrimin e flakëve dhe rrezikun ndaj bizneseve.
“Janë shpenzime të mëdha, atje punojmë, mos të kapë te lokali, janë miliona lekë të hedhura, punëtorë janë të gjithë, është shumë e vështirë për të gjithë. Zjarri ka përmasa të mëdha, ullinj, anash lokalit. Është katastrofë!”, është shprehur ajo. Tymi vështirëson qarkullimin
Përhapja e zjarrit ka krijuar probleme edhe në qarkullim. Tymi i dendur ka mbuluar zonën dhe ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve në aksin Fier-Levan dhe në Qafën e Koshovicës.
Ndërkohë, operacioni i zjarrfikësve nga toka po vështirësohet nga terreni i thyer. Mjetet zjarrfikëse nuk mund të depërtojnë në të gjitha zonat ku janë përhapur vatrat. Erërat po ndikojnë gjithashtu në përhapjen e flakëve, duke e zgjeruar zonën ku duhet të ndërhyjnë ekipet e emergjencës.
Nis ndërhyrja me helikopter
Pas kërkesave për ndërhyrje nga ajri, në operacion është përfshirë edhe një helikopter, i cili po mbështet ekipet që operojnë nga toka. Ndërhyrja synon të frenojë avancimin e zjarrit drejt banesave dhe bizneseve, por edhe të shmangë përfshirjen e pikës së karburantit që ndodhet në zonën e rrezikuar.
Situata në Radostinë dhe drejt Liqenit të Levanit mbetet e përqendruar në disa fronte. Autoritetet po evakuojnë banorët pranë zonave ku po afrohen flakët, ndërsa ekipet zjarrfikëse po ndërhyjnë nga toka dhe ajri për të kufizuar përhapjen e zjarrit. zjarr fier Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Shtatori ndez vrullshëm protestat, të hënën rrethohet Kryeministria 2 Shtator 2026, 22:1522:15LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Shtatori sjell surpriza, Rama bllokohet në Kryeministri; policia përplaset me protestuesit 1 Shtator 2026, 21:0221:02LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Protestuesit mesazh Ramës: Po vjen shtatori! 14 Gusht 2026, 21:3721:37LIVE UPDATES Minutë pas minute/ 64 ditë para Kryeministrisë, protestuesit mesazh Ramës: Mos tento të blesh protestën! 2 Gusht 2026, 20:5920:59LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Protestë kombëtare para Kryeministrisë: Edi Rama hap krahun! 1 Gusht 2026, 20:3620:36LIVE UPDATES Shkrirja e bashkive ndez zemërimin qytetar, shpërthejnë protestat për hartën e re territoriale 31 Korrik 2026, 19:5019:50LIVE UPDATES

