Deputetët e PS kanë zbritur sot në terren për zhvillimin e asaj që Edi Rama e emërtoi si “Praninë Besnike”, me qëllim uljen ballë për ballë me popullin për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet e tyre. Urdhri i Ramës për të tijtë ishte dalja jashtë zyrave lokale të PS dhe takimi me popullin, pa praninë e kamerave dhe aparateve fotografikë.
Në ditën e parë të nismës, që startoi këtë pasdite në ora 17:00, në takimet e publikuara në zona të ndryshme u pa edhe prania e drejtorëve të institucioneve dhe militantëve të Partisë Socialiste.
Këtij urdhri duket se nuk iu bindën të gjithë deputetët, teksa Erion Braçe do t’i nisë dëgjesat javën e ardhshme, pasi të jetë konsultuar me grup-seksionet e PS të njësisë pesë. Po ashtu edhe ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministria e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, nuk e ka publikuar ende vendtakimin si deputete e Tiranës.
Sikurse edhe Fatmir Xhafaj nuk ka publikuar ende se ku do ta aplikojë “Praninë Besnike”.
Ndërkohë deputetët e tjerë njoftuan në rrjetet sociale vendet ku do të mbajnë këto dëgjesa. Ish-ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka njoftuar takimin me qytetarët në një kafene në Bërzhitë.
Ish-kolegu i saj i Punëve të Brendshme Ervin Hoxha ka përzgjedhur një lokal, tek rruga “Migjeni”, Njësia 11, Tiranë.
E propozuara për garën e ardhshme të zgjedhjeve lokale për Tiranën Ogerta Manastirliu ndryshe nga kolegët e saj që do të zhvillojnë takime nëpër kafene ka zgjedhur Bibliotekën “Petro Zheji”, Njësia 9, Tiranë.
Numri dy i qeverisë Albana Koçiu ka zgjedhur Sheshin Garibaldi, Kombinat. Ndërsa Blendi Gonxhe ministër i Kulturës ka zgjedhur një tjetër bar-kafe për tu takuar me qytetarët e Mëzezit.
Qytetarët e Kavajës do të kenë në dispozicion të dëgjohen kryetarin e grupit të PS Taulant Ballën. Top Channel

