Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë hyrë në fuqi më 5 gusht, pas miratimit në Kuvend më 18 qershor dhe publikimit në Fletoren Zyrtare më 22 korrik.
Një nga ndryshimet që prek drejtpërdrejt drejtuesit e automjeteve lidhet me përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit.
Sipas rregullave të reja, nëse një drejtues automjeti ndëshkohet dy herë brenda të njëjtit vit për përdorim të telefonit, ndaj tij aplikohet pezullimi i lejes së drejtimit. Më parë, pezullimi parashikohej pas tre shkeljeve.
Por zbatimi i rregullit të ri ka sjellë edhe reagime nga qytetarët. Një drejtues automjeti ka denoncuar një rast të ndodhur në Lezhë ku është gjobitur me 60 mijë lekë për përdorim telefoni.
“Po na marrin në qafë këta policët ‘sy shqiponjë’, që të shohin nga një kilometër larg se je duke përdorur telefonin edhe kur nuk je me telefon në dorë. Sot më kanë vendosur gjobë 60 mijë lekë në Lezhë. Po tani, me ligjin e ri, nëse del edhe një polic tjetër brenda 12 muajve dhe më vendos gjobë, më hiqet patenta fare dhe më le pa punë”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Ndërsa qytetarët kërkojnë që kontrollet të jenë të drejta dhe të bazuara në shkelje të qarta të faktuara me pamje, autoritetet theksojnë se masa synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të frenojë përdorimin e celularit në timon.
Policia e konsideron përdorimin e celularit në timon një nga faktorët kryesorë që ndikon në shpërqendrimin e drejtuesit, humbjen e kontrollit mbi automjetin dhe përfshirjen në aksidente.
Por për drejtuesit e mjeteve dy shkelje brenda 12 muajve tashmë mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për lejen e drejtimit.

