Lajme Zone
Po vjen një rend i ri botëror dhe ne nuk jemi gati!
BotëPamfleti

Po vjen një rend i ri botëror dhe ne nuk jemi gati!

Por njerëzit shpesh i lexojnë gabim këto shenja ose zgjedhin t’i injorojnë. Ata mund ta bindin veten se disa pika shiu janë thjesht një reshje kalimtare, derisa të ketë mbërritur stuhia e vërtetë. E njëjta gjë ndodh edhe me historinë dhe politikën. Regjimet duken të pathyeshme, deri në çastin kur shemben.

Foto Ilustruese / Shenjat e një ndryshimi të madh global janë tashmë të dukshme, por bota vazhdon t’i shpërfillë ato. Rendi ndërkombëtar i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore po dobësohet me shpejtësi dhe askush nuk e di ende se çfarë do ta zëvendësojë… Kur po afron një stuhi, zakonisht shenjat shfaqen përpara se ajo të shpërthejë. Era mund të pushojë papritur, batica të tërhiqet më shumë se zakonisht dhe retë të shfaqen në horizont si paralajmërim i asaj që po vjen.

Por njerëzit shpesh i lexojnë gabim këto shenja ose zgjedhin t’i injorojnë. Ata mund ta bindin veten se disa pika shiu janë thjesht një reshje kalimtare, derisa të ketë mbërritur stuhia e vërtetë. E njëjta gjë ndodh edhe me historinë dhe politikën. Regjimet duken të pathyeshme, deri në çastin kur shemben.

Revolucionet brenda vendeve dhe përmbysjet e rendit ndërkombëtar, ecin shpesh paralelisht dhe, kur i shohim nga e ardhmja, shenjat duken të qarta. Por në kohën kur ngjarjet po zhvillohen, ato shpesh mbeten të padukshme.

Shoqëritë që jetojnë në stabilitet dhe mirëqenie, priren të besojnë se bota e tyre do të vazhdojë pak a shumë njëlloj. Mund të ankohen për ekonominë, të shqetësohen për ndonjë luftë të largët ose të dëgjojnë zërat radikalë në të majtë e në të djathtë, por rrallë imagjinojnë se rendi i njohur mund të përmbyset krejtësisht.

Albert Kamy e përshkroi këtë verbëri në romanin e tij të famshëm “Murtaja”. Kur minjtë e ngordhur fillojnë të shfaqen në rrugët e qytetit Oran dhe njerëzit preken nga një sëmundje misterioze, autoritetet dhe qytetarët zgjedhin të mos e pranojnë realitetin derisa është tepër vonë.

Kamy shkruante se historia ka njohur po aq murtaja sa edhe luftëra, por njerëzit gjithmonë befasohen kur ato rikthehen. Sot, shenjat paralajmëruese janë kudo. Rekordet e temperaturave po thyhen vazhdimisht, thatësirat po shkatërrojnë rajone të tëra dhe zjarret po përpijnë sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha.

Borxhi i ekonomive të zhvilluara po i afrohet niveleve historike, ndërsa shkurtimet në ndihmat për shëndetësinë dhe ushqimin po krijojnë pasoja të rënda. Në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale po përparon me ritme shumë më të shpejta sesa aftësia e qeverive për ta kontrolluar.

Ajo po ndryshon tregun e punës, sigurinë dhe vetë mënyrën se si njerëzit marrin vendime.

Fuqitë që kërkojnë të ndryshojnë status quo-në po sfidojnë hapur rregullat ndërkombëtare. Elektoratet janë të zemëruara dhe të polarizuara.

Diplomacia e ngadaltë dhe e durueshme, e ndërtuar mbi besimin dhe mirëkuptimin, po zëvendësohet nga një stil politik spektakolar, agresiv dhe i përshtatur për ritmin e rrjeteve sociale.Të dhënat e Programit të Konflikteve të Universitetit të Upsalës, treguan se vitin e kaluar në botë pati 65 konflikte midis shteteve, numri më i lartë që nga viti 1946.

Fuqitë e mëdha po përballen gjithnjë e më shpesh me luftëra të zgjatura dhe asimetrike, ku teknologjitë e reja u japin avantazhe edhe aktorëve shumë më të dobët. Lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë, e cila pritej të përfnte brenda pak ditësh, po hyn në vitin e saj të pestë.

Irani ka treguar gjithashtu se përdorimi i teknologjive relativisht të lira, si dronët e prodhuar në masë, mund të ndryshojë ekuilibrat strategjikë dhe të vërë në vështirësi fuqitë shumë më të mëdha. Një luftë botërore nuk është e pashmangshme.

Por rreziku i një përplasjeje katastrofike mes fuqive të mëdha dhe të armatosura rëndë, është sot më pranë sesa ka qenë prej dekadash. Ashtu si banorët e Oranit, edhe ne hezitojmë të pranojmë se sa shumë ka ndryshuar bota.

Problemet janë të ndërlikuara dhe shpesh aq të mëdha, sa është më e lehtë të kthesh kokën në anën tjetër. Kështu, e vazhdojmë jetën tonë të zakonshme ndërsa zjarret përpijnë pyje dhe qytete. I kërkojmë inteligjencës artificiale të mendojë për ne dhe shpresojmë që të përfjnë luftërat, institucionet të forcohen përsëri dhe të mbijetojnë aleancat e vjetra.

Por realiteti i ri ka mbërritur shumë më shpejt nga sa prisnim. Rendi botëror që ka diktuar pjesën më të madhe të jetës së brezave të sotëm, filloi të dobësohej kur ata që përfitonin prej tij u bënë tepër të vetëkënaqur dhe kur shkeljet e rregullave filluan të toleroheshin.

Tashmë kemi hyrë në një epokë të re kaosi. Për t’u përballur me të, duhet së pari të pranojmë seriozitetin e momentit dhe të kuptojmë se sistemi mbi të cilin kemi mbështetur sigurinë tonë është duke u lëkundur. Historia ofron mjaft shembuj për atë që ndodh kur elitat refuzojnë të përshtaten.

Para Revolucionit Francez, Franca ishte një nga fuqitë më të mëdha të Evropës, por financiarisht ndodhej pranë falimentimit. Borxhet, korrupsioni dhe ekstravaganca e elitave kishin dobësuar shtetin. Një klasë e mesme në rritje kërkonte pjesëmarrje politike, ndërsa shtresat më të varfra përballeshin me urinë dhe dëshpërimin.

Në të njëjtën kohë, idetë e Iluminizmit për të drejtat e njeriut dhe forma të reja qeverisjeje po përhapeshin me shpejtësi. Mbreti dhe oborri i tij nuk e kuptuan thellësinë e pakënaqësisë popullore. Ata besonin se pozita e tyre ishte e sigurt, dhe se sistemi do të vazhdonte të funksiononte.

Gabuan. Monarkia u përmbys dhe Franca hyri në një periudhë të gjatë kaosi. Brenda pak më shumë se një dekade, Napoleoni do të shpallej perandor. Nuk ekziston një model unik për revolucionet, por një element përsëritet shpesh: njerëzit në majë të pushtetit, nuk arrijnë të kuptojnë se sa i brishtë është sistemi që kontrollojnë.

Revolucioni Rus i vitit 1917, erdhi pas humbjeve ushtarake dhe krizës së brendshme, por Cari Nikolla II vazhdoi të besonte se reformat nuk ishin të nevojshme. Në Gjermaninë e viteve 1930, elitat konservatore menduan se mund ta përdornin Adolf Hitlerin për interesat e tyre dhe ta mbanin nën kontroll.

Të dyja palët gabuan rëndë. Pasojat e këtyre përmbysjeve nuk mbetën brenda kufijve kombëtarë, por e ndryshuan të gjithë rendin ndërkombëtar. Historia njeh edhe raste kur shoqëritë arrijnë të kuptojnë rrezikun në kohë.

Në Britaninë e viteve 1820, Revolucioni Industrial kishte krijuar një klasë të mesme të re, e cila kërkonte përfaqësim politik. Elitat britanike kishin ende të freskët në kujtesë Revolucionin Francez dhe kuptuan se sistemi duhej të reformohej për të mbijetuar. Reforma zgjedhore e vitit 1832, zgjeroi pjesëmarrjen politike dhe ndihmoi në shmangien e një krize më të madhe. Paralelet me botën e sotme janë të dukshme. Popullsi të zemëruara, elita me pasuri të jashtëzakonshme dhe ndikim të madh mbi qeveritë, si edhe liderë që refuzojnë të kërkojnë konsensus apo të dëgjojnë këshilla.

Ata që shpërfillin shenjat paralajmëruese dhe besojnë se historia nuk ka asgjë për t’u mësuar, mund të zgjohen një ditë përballë ngjarjeve që nuk i kishin imagjinuar kurrë.

Rendi ndërkombëtar ka qenë gjithmonë i varur nga vullneti i fuqive të mëdha dhe nga bashkëpunimi i shteteve të tjera.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dukej se do të vazhdonin të ishin garantuesi kryesor i sistemit të ndërtuar pas vitit 1945. Sot kjo nuk është më e sigurt. Uashingtoni ka treguar gjithnjë e më pak gatishmëri për të luajtur rolin tradicional të mbrojtësit të institucioneve dhe aleancave ndërkombëtare.

Është e mundur që një administratë e ardhshme amerikane të rikthehet te një politikë më tradicionale dhe Shtetet e Bashkuara të marrin përsëri rolin e fuqisë garantuese të rendit global. Por ekziston edhe një mundësi tjetër: që bota të ketë hyrë tashmë në fazën e parë të një periudhe të gjatë çrregullimi.

Dhe në një botë të tillë, nuk mund të jemi më të sigurt se ajo që ishte e vërtetë dje do të mbetet e tillë edhe nesër. Institucionet që duken të qëndrueshme mund të dobësohen ose të zhduken shumë më shpejt sesa pritet. Konfliktet shpërthejnë pa ekzistuar një arbitër i qartë që mund t’i ndalë.

Aleanca të besueshme, si NATO-ja, po vihen vazhdimisht në provë. Lufta hibride e Rusisë kundër Evropës po zgjerohet, ndërsa Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të përplasen për Tajvanin. Në një botë që po ngrohet dhe po bëhet më e thatë, konkurrenca për burimet natyrore po kthehet gjithashtu në një burim të ri dhune.

Po hyjmë në një epokë gjithnjë e më të paparashikueshme, ku fati i vendeve varet më shumë nga vendimet e liderëve të tyre. Ata ndihen më pak të kufizuar nga rregullat dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe kanë më shumë hapësirë për të improvizuar.

Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e liderëve duhet të bëhet më e kujdesshme se kurrë. Por paradoksi është se elektoratet duket se po tregojnë gjithnjë e më pak kujdes në këtë drejtim. Megjithatë, fundi i rendit të vjetër nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i bashkëpunimit.

Bota zotëron ende shumë nga elementët e nevojshëm për ndërtimin e një sistemi të ri.

Ekziston një rrjet i gjerë institucionesh ndërkombëtare që vazhdojnë të menaxhojnë marrëdhëniet mes vendeve në fusha që shtrihen nga aviacioni civil deri te interneti. Shumë marrëveshje ndërkombëtare vazhdojnë të respektohen dhe opinioni publik global ende mund të ushtrojë presion mbi qeveritë. Organizata si Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Banka Botërore mund të jenë dobësuar, por ato vazhdojnë të ekzistojnë.

Në një fjalim në Davos, kryeministri kanadez Mark Carney e përshkroi fundin e Pax Americana si fundin e një “iluzioni të këndshëm”. Por ai argumentoi se vendet e tjera mund të reagojnë, sidomos nëse bashkohen në koalicione që ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa.

Disa fuqi të mesme, mes tyre Kanadaja, Australia dhe Japonia, po përpiqen tashmë të mbushin boshllëkun e krijuar nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga roli i tyre tradicional. Ndryshimi është gjithmonë i vështirë, por kapja pas një sistemi që po shpërbëhet mund të jetë edhe më e rrezikshme.

Në verën e vitit 1914, shumë udhëheqës evropianë besonin se kriza në Ballkan do të zgjidhej si krizat e mëparshme, përmes negociatave mes fuqive të mëdha. Ata nuk e kuptuan se sa shpejt Evropa po rrëshqiste drejt luftës dhe nuk vepruan në kohë.

Lufta e Parë Botërore ndryshoi përgjithmonë Evropën dhe botën. Deri në vitin 1945, Britania, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kishin kaluar përmes dy luftërave botërore shkatërrimtare brenda vetëm tri dekadash.

Kur filluan të ndërtonin rendin e ri ndërkombëtar, ata e dinin shumë mirë se çfarë kërkonin të shmangnin. Sistemet e vjetra kishin dështuar dhe duhej krijuar diçka e re. Optimizmi i verbër, besimi se gjithçka do të shkojë mirë sepse gjithmonë ka shkuar mirë, nuk është një strategji.

Por kjo nuk do të thotë se bota është e dënuar të rrëshqasë drejt katastrofës. Historia tregon se njerëzit dhe shtetet kanë qenë edhe më parë përballë sistemeve që po shembeshin dhe kanë qenë në gjendje të ndërtojnë struktura të reja.

Sfida e kohës sonë është të pranojmë se rendi i vjetër po përfn, të mos mashtrohemi nga nostalgjia për një botë që nuk ekziston më dhe të fillojmë punën e vështirë për të ndërtuar diçka të re. Sepse shenjat e stuhisë janë tashmë në horizont. Pyetja nuk është nëse bota do të ndryshojë, por nëse ne do të jemi të përgatitur kur të vijë ndryshimi./Pamfleti nga “New York Times”

Shënim: Margaret MacMillan, është historiane dhe ish-drejtoreshë e Kolegjit St. Antony’s, Oksford, Angli.rendi i ri Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Mjeku që dëgjon 2 Shtator 2026, 09:3409:34Forum Deputet 500 metra, kryetar bashkie 1 kilometër 2 Shtator 2026, 08:2508:25Forum Motivi sekret i nxitimit të Sali Berishës për në SHBA 1 Shtator 2026, 20:2720:27Forum Paralajmërimet e shtatorit 1 Shtator 2026, 18:1518:15Forum Sekti Rama e ka shndërruar partinë në shtet! 1 Shtator 2026, 17:3517:35Forum Pse ndërtimi është kthyer në një sektor të rrezikshëm për ekonominë? 1 Shtator 2026, 14:5414:54Forum