Lajme Zone
“Po, nuk jemi të kënaqur”/ Trump shqyrton shkarkimin e Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores në Greqi, nis hetimi nga Departamenti i Shtetit
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

“Po, nuk jemi të kënaqur”/ Trump shqyrton shkarkimin e Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores në Greqi, nis hetimi nga Departamenti i Shtetit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores amerikane në Greqi, pas një serie raportimesh për parregullsi të dyshuara para dhe pas emërimit të saj në këtë detyrë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores amerikane në Greqi, pas një serie raportimesh për parregullsi të dyshuara para dhe pas emërimit të saj në këtë detyrë. “Po, nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Trump të hënën në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar çështjes që ka vënë në qendër të vëmendjes ambasadoren amerikane në Athinë.

Sipas CNN, presidenti amerikan pritet të marrë një vendim për të ardhmen e Guilfoyle së shpejti. Ndërkohë, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit (OIG) po heton akuzat për sjellje të pahijshme, sipas burimeve të cituara nga rrjeti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë pas publikimeve të Wall Street Journal, e cila ka ngritur dyshime për përdorimin e lidhjeve politike dhe të pozicionit diplomatik të Guilfoyle për interesa private.

Sipas raportimeve të Wall Street Journal, Guilfoyle dyshohet se i ka kërkuar Eric Dieters, një donator i Trump, 100 mijë dollarë për të shlyer një detyrim të kartës së kreditit American Express. Në këmbim, ajo pretendohet se i ka ofruar akses te zyrtarë të qeverisë amerikane.

Gazeta ka raportuar gjithashtu për takime diplomatike ku dyshohet se kanë marrë pjesë lobistë, si dhe për përdorimin e avionëve privatë dhe qëndrimet luksoze, të cilat pretendohet se janë financuar nga biznesmenë grekë.

Të gjitha këto akuza mbeten të pavërtetuara. Avokatët e Guilfoyle i kanë mohuar pretendimet për shkelje dhe kanë kundërshtuar interpretimin e marrëdhënieve të saj financiare si shkëmbim të favoreve me ndikim politik.

Në reagimin e tyre publik, avokatët Jesse Binnall dhe David M. Schwartz deklaruan se Dieters i detyrohet ambasadores rreth 150 mijë dollarë për shërbime profesionale të ofruara përpara emërimit të saj në detyrën diplomatike.

Sipas tyre, marrëdhënia financiare lidhet me angazhime për fjalime, konsulencë dhe shërbime të komunikimit strategjik gjatë vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025.

Avokatët argumentojnë se Dieters kishte nënshkruar një kontratë për pjesëmarrjen e Guilfoyle si folëse kryesore në aktivitetet “Freedom Fest” në Kentucky, me një tarifë prej 200 mijë dollarësh. Sipas mbrojtjes së saj, pagesat nuk u kryen plotësisht brenda afateve të përcaktuara dhe një pjesë e detyrimeve mbeti e papaguar.

Ata mohojnë që kërkesa për pagesë të ketë pasur lidhje me ushtrimin e ndikimit politik dhe thonë se Guilfoyle po kërkonte të arkëtonte detyrimet për punën e kryer përpara se të merrte detyrën publike.

Në deklaratë përmendet edhe një propozim prej një milion dollarësh, i cili, sipas avokatëve, ishte bërë nga Dieters për të promovuar një padi private për neglizhencë mjekësore dhe për ta sjellë çështjen në vëmendjen e zyrtarëve amerikanë. Sipas tyre, propozimi u refuzua.

Avokatët e ambasadores kanë kundërshtuar gjithashtu raportimet për përdorimin e avionëve privatë, duke deklaruar se Guilfoyle kishte kërkuar dhe marrë udhëzime nga Departamenti i Shtetit për udhëtimet e saj.

Sipas mbrojtjes, ajo ka respektuar rregullat federale për etikën, pranimin e dhuratave dhe deklarimin e shpenzimeve. Megjithatë, deklarata e avokatëve nuk përmbante detaje të hollësishme për fluturimet konkrete apo mënyrën e mbulimit të kostove.

Sipas Associated Press, Trump dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po shqyrtojnë mundësinë e largimit të Guilfoyle nga posti i ambasadores në Athinë. Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar në kushte anonimiteti, ka deklaruar se të dy janë jashtëzakonisht të zemëruar për zbulimet e fundit dhe mund të vendosin brenda javës për hapat e mëtejshëm.

Rubio raportohet të jetë veçanërisht i shqetësuar nga situata, pasi vizitoi Athinën javën e kaluar dhe u prit nga Guilfoyle, e cila e shoqëroi në aktivitetet e tij publike.

Çështja ka marrë vëmendje edhe për shkak të raportimeve të tjera të Wall Street Journal mbi një darkë me zyrtarë grekë dhe amerikanë, ku Guilfoyle pretendohet se ka bërë komente lidhur me mundësinë e ndërhyrjes amerikane në zhvillimet politike të një vendi.

Ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavrou, e ka mohuar se në atë takim është diskutuar ndonjë kërcënim apo ushtrim presioni ndaj Greqisë. Mohime të ngjashme janë bërë edhe nga zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, dhe sekretari i Demokracisë së Re, Kostas Kyranakis.

Për momentin, e ardhmja e Guilfoyle në krye të ambasadës amerikane në Athinë mbetet e paqartë. Vendimi i administratës Trump pritet të përcaktojë nëse ajo do të vazhdojë mandatin diplomatik apo do të largohet nga detyra në kushtet e hetimit dhe polemikave të fundit. Top Channel