Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) paralajmëron qytetarët për një skemë të dyshuar mashtrimi në Facebook, ku përdoren pa autorizim imazhi dhe zëri i mjekut të njohur Flamur Topi. Përmes inteligjencës artificiale, videot e vjetra janë manipuluar për t’i atribuuar mjekut reklama dhe rekomandime për produkte farmaceutike, ndërsa sipas AMA-s, qëllimi është përvetësimi i të dhënave bankare të qytetarëve.
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë thirrje për kujdes ndaj videove dhe reklamave të manipuluara që qarkullojnë në rrjetet sociale, duke përdorur identitetin e personazheve të njohur për të mashtruar qytetarët.
Sipas njoftimit të AMA-s, institucioni është vënë në dijeni nga familjarët e mjekut Flamur Topi se në Facebook po publikohen video që përdorin pa autorizim imazhin dhe zërin e tij.
Materialet dyshohet se janë krijuar duke marrë fragmente nga emisionet e vjetra “Trupi dhe shëndeti”, të transmetuara në RTSH, dhe duke manipuluar me inteligjencë artificiale zërin e mjekut. Në këtë mënyrë, atij i atribuohen deklarata që, sipas denoncimit, nuk i ka bërë kurrë, duke krijuar përshtypjen se rekomandon produkte të caktuara farmaceutike.
AMA bën të ditur se e ka verifikuar më tej rastin e raportuar dhe se, sipas konfirmimit të marrë nga sistemi bankar, bëhet fjalë për një skemë mashtrimi që synon marrjen e të dhënave bankare të qytetarëve.
Sipas autoritetit, këto materiale shfrytëzojnë besimin e publikut te figurat e njohura, veçanërisht te personat e moshës së tretë, dhe mund të shpërndahen edhe përmes reklamave të sponsorizuara në rrjetet sociale.
Përdorimi i imazhit dhe zërit të një mjeku të njohur synon t’u japë besueshmëri reklamave, duke nxitur qytetarët të klikojnë në faqe të dyshimta ose të kryejnë veprime që mund të vënë në rrezik informacionin e tyre financiar.
Përballë këtij fenomeni, Autoriteti i Mediave Audiovizive u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj reklamave dhe videove që premtojnë shërimin e sëmundjeve apo promovojnë produkte shëndetësore, edhe kur ato shfaqin figura të njohura.
AMA këshillon:
Të verifikohen videot dhe reklamat përpara se t’u besohet përmbajtja.
Të mos blihen produkte shëndetësore pa u konsultuar më parë me mjekun.
Të mos jepen të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta.
Të raportohen videot dhe reklamat e manipuluara në platformat ku publikohen.
Në përfundim, AMA thekson rëndësinë e verifikimit të informacionit në internet, duke paralajmëruar se videot që duken reale mund të jenë të manipuluara dhe të përdoren për qëllime mashtruese.
“Jo çdo video që duket reale është e vërtetë. Verifikoni përpara se të besoni!”, apelon Autoriteti i Mediave Audiovizive. Top Channel

