Dhuna policore nuk ka kursyer as median. Një gazetar i TVA-së është goditur nga një kapsulë gazi lotsjellës e hedhur nga policia, duke mbetur i lënduar në këmbë, teksa po dokumentonte zhvillimet e protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve.
Gazetari po filmonte momentin kur të rinjtë po hidhnin breshëri fishekzjarrësh në drejtim të selisë së Partisë Socialiste, kur një kapsulë gazi lotsjellës ka ardhur me forcë në drejtim të tij, duke e goditur në këmbë dhe duke e lënduar.
Duket se policia ishte e vendosur ta mbronte selinë e PS-së me çdo kusht, aq sa në këtë përpjekje nuk u kursye as gazetari që po dokumentonte ngjarjen. Por, në gjithë këtë zell për të mbrojtur godinën e partisë në pushtet, kush do t'i mbrojë gazetarët që po bëjnë detyrën e tyre?
Është e papranueshme që një gazetar, i cili ndodhet në terren për të dokumentuar atë që po ndodh, të përfjë vetë i lënduar nga ndërhyrja e policisë. Në vend që të garantojë sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga protestat, policia po bëhet burim rreziku edhe për ata që kanë detyrën të informojnë publikun.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si efektivët po përdorin mjetet e gazit lotsjellës në zonat ku ndodhen protestues, gazetarë dhe qytetarë. Përdorimi i forcës nuk mund të justifikohet duke vënë në rrezik këdo që ndodhet në terren.
Në ditën e 12-të të protestës kombëtare, mes përplasjeve, gazit lotsjellës dhe kapsollave zhurmuese, tashmë edhe një gazetar është mes personave të lënduar. Goditjet ndaj gazetarëve që dokumentojnë ngjarjet janë të papranueshme dhe çdo rast i tillë kërkon sqarim dhe përgjegjësi.

