Në një video-mesazh të publikuar së fundmi, prifti Frat Ndue Toplana i ka adresuar një apel të drejtpërdrejtë e të fortë opinionit publik shqiptar, klerit dhe klasës politike në vend. Përmes kësaj daljeje, ai ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për qëndresën e protestuesve, ndërsa ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisjes dhe klasës politike për shpopullimin dhe shitjen e interesave kombëtare. Frat Ndue Toplana e ka nisur fjalën e tij me një falënderim për të gjithë qytetarët që vazhdojnë protestat prej katër muajsh. Sipas klerikut, kjo qëndresë qytetare ka shërbyer për të sensibilizuar jo vetëm opinionin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar lidhur me situatën kritike ku ndodhet Shqipëria. “Së pari dëshiroj me falënderue të gjithë protestuesit që po bëjnë katër muaj që nuk janë shkëputur nga protesta, duke sensibilizuar jo vetëm Shqipërinë, por edhe botën mbarë se çfarë po ndodh në vendin tonë. Lusim Zotin për ta, që t’i ruajë nga e keqja e nga pushteti që këta që protestojnë paqësisht i çon në burg, ndërsa ata që e tradhtojnë e vjedhin vendin janë të lirë”, u shpreh Frat Ndue Toplana Duke u ndalur te drejtuesit e shtetit dhe pushtetarët, Frat Ndue Toplana u shpreh i keqardhur dhe i habitur nga veprimet e atyre që kanë marrë votën e popullit për të udhëhequr dhe mbrojtur Shqipërinë, por sipas tij po bëjnë të kundërtën. Ai bëri një krahasim me vendet fqinje si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Greqia apo Turqia, duke theksuar se në asnjë prej këtyre shteteve drejtuesit nuk punojnë kundër vendit të tyre apo kundër popullit të vet. “Po e shpopullojnë Shqipërinë, po e tradhtojnë e po e shesin vendin. E mundësisht po dalin publikisht e po thonë se janë krenarë për atë që po bëjnë. A nuk ju vjen turp si e shitni vendin tuaj, shtetin tuaj, popullin tuaj për një karrige? Asnjë politikan në rajon nuk e tradhton vendin e vet siç po bëhet këtu”, tha ai.
Për përballimin e kësaj situate që e cilësoi si “kritike për ekzistencën e kombësisë”, kleriku kërkoi që qytetarët të bashkohen pa asnjë parti, ideologji, fe apo krahinë për t’i dalë zot atdheut.
Sipas tij, zgjidhja nuk kërkon luftime apo derdhje gjaku, por një reagim masiv e paqësor qytetar ku bllokohen të gjitha institucionet shtetërore derisa drejtuesit aktuale të largohen nga drejtimi i shtetit.
“Nuk ka mbetur gjë tjetër veçse me u bashkuar pa dallim feje, pa dallim partie, pa dallim ideologjie e krahine. Mjafton me dalë të gjithë së bashku në sheshe, me bllokuar çdo institucion shtetëror e me i thënë: këtu nuk lëviz kush pa u larguar prej shtetit. Kështu bëhet paqësisht e ndryshohet menjëherë”, shtoi Toplana.
Në përmbyllje të mesazhit, kleriku solli në vëmendje edhe shprehjen popullore “bënëz e anërr” për të paralajmëruar rrezikun e plogështisë qytetare, duke nëvizuar se pa një reagim të përbashkët rrezikohet vetë ekzistenca e kombit dhe e shtetit shqiptar. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

