Këngëtari Taulant Hoti mbeti i plagosur me armë zjarri pas një sulmi të ndodhur në një lokal në fshatin Shtoj, në Shkodër. Autori i dyshuar ende nuk është identifikuar, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, Hoti punonte si këngëtar në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe, në momentin e sulmit, ishte duke konsumuar kafen e mëngjesit.
Një person i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbante një maskë të ngjashme me ato të përdorura gjatë pandemisë së COVID-19, është afruar papritur dhe e ka qëlluar me armë zjarri nga pas shpine. Pas të shtënave, autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, burime të JOQ Albania bëjnë me dije se Taulant Hoti ka jetuar për shumë vite në Francë dhe Angli dhe se ka vuajtur nje dënim me burgim për një plagosje.
Të njëjtat burime pretendojnë se rreth tre vite më parë, Hoti është përmendur në lidhje me një vrasje të ndodhur në një lokal nate, ku viktimë mbeti një person nga Tropoja.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të plagosjes.

