Dikur konsiderohej një pretekst për të bërë disa biseda, por sot rezulton e kundërta: duhanpirësit janë më të vetmuar pikërisht për shkak të cigareve. Janë larguar kohët kur pyetja “A ke një cigare?” mund të shërbente si mënyrë për të krijuar njohje të reja. Tashmë është vërtetuar shkencërisht se pirja e duhanit rrit ndjenjën e vetmisë dhe izolimit social tek personat që pinë cigare.Lexo edhe:Një pije me sheqer në ditë lidhet me rrezik 2.45 herë më të lartë për kancerin e stomakut Ky është përfundimi i një studimi të bazuar në të dhënat e më shumë se 50 mijë personave, i prezantuar në kongresin e Shoqatës Evropiane të Sëmundjeve të Frymëmarrjes në Barcelonë. Rezultatet sugjerojnë se duhet rishikuar ideja e vjetër se duhani ndihmon në krijimin e kontakteve dhe shoqërimit, pasi kjo narrativë është larg realitetit. Lidhja mes duhanit dhe vetmisë Studimet e mëparshme kishin sugjeruar një lidhje mes vetmisë dhe një probabiliteti më të lartë për të nisur duhanin, por shumë pak kërkime kishin shqyrtuar marrëdhënien në drejtimin e kundërt: pra, nëse vetë pirja e duhanit mund të shkaktojë më shumë vetmi. Studiuesit e Imperial College London kishin vënë më herët në dukje se duhanpirësit në Angli janë më të vetmuar dhe më të izoluar sesa personat që nuk pinë duhan. Megjithatë, ishte e mundur që kjo të lidhej me faktorë specifikë sociokulturorë. Për këtë arsye, studiuesit analizuan të dhënat e rreth 50 mijë personave, me moshë mesatare 67 vjeç, nga 15 vende të ndryshme, të cilët kishin marrë pjesë në studimin mbi plakjen Survey of Health and Ageing in Europe. Niveli i vetmisë u mat përmes shkallës UCLA, një instrument psikologjik që përdoret në kërkime për të vlerësuar ndjenjën subjektive të vetmisë dhe izolimit social. Pjesëmarrësit u pyetën, ndër të tjera, sa shpesh ndiheshin të përjashtuar, pa shoqëri apo të izoluar nga të tjerët. Studiuesit krahasuan përgjigjet e duhanmepirësve me ato të joduhanpirësve dhe të njëjtin pyetësor e përsëritën dy vjet më vonë. Në fillim të studimit, 22% e pjesëmarrësve pinin duhan, ndërsa më shumë se 48% vuanin nga të paktën dy sëmundje kronike. Duhanpirësit janë më shpesh të vetmuar. Por pse? Analiza tregoi se personat që ishin duhanpirës në momentin e testimit përjetonin më shpesh ndjenjën e vetmisë sesa joduhanpirësit, edhe kur merreshin parasysh faktorë të tjerë si mosha dhe gjinia. Për më tepër, duhanpirësit përjetuan një rritje më të madhe të izolimit dhe vetmisë me kalimin e kohës. Ky rezultat ishte i pavarur edhe nga niveli fillestar i vetmisë dhe nga faktorët demografikë që mund të ndikojnë në shkëputjen nga të tjerët. Rezultatet sugjerojnë se, veçanërisht tek personat e moshuar, pirja e duhanit mund të dëmtojë shëndetin psikosocial, përveç shëndetit fizik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë të jetës kur marrëdhëniet shoqërore luajnë rol të rëndësishëm edhe për mirëqenien njohëse. Sipas autorëve të studimit, lidhja mes duhanit dhe vetmisë mund të shpjegohet pjesërisht me faktin se pirja e duhanit përkeqëson sëmundjet kronike që kufizojnë lëvizshmërinë dhe, për pasojë, reduktojnë mundësitë për takime dhe kontakte shoqërore. Një tjetër faktor mund të jenë edhe normat sociale, si ndalimi i pirjes së duhanit në ambiente publike. Këto kufizime mund t'i bëjnë aktivitetet në vende të tilla më pak tërheqëse për duhanpirësit dhe të reduktojnë daljet e tyre në shoqëri. Shkencëtarët theksojnë se është e rëndësishme të ndryshohet mënyra se si paraqitet duhani në shoqëri. Ideja se cigaret ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve më të mira sociale në bare apo vende të tjera takimi nuk përputhet me të dhënat shkencore dhe mund të përcjellë një mesazh të gabuar. “Duke qenë se vetmia konsiderohet tashmë një nga sfidat kryesore të shëndetit publik të kohës sonë, ky studim e identifikon duhanin si një faktor të rëndësishëm rreziku për vetminë, për të cilin ekzistojnë trajtime efektive”, deklaroi Des Cox, anëtar i Këshillit të Avokimit të Shoqatës Evropiane të Sëmundjeve të Frymëmarrjes dhe profesor i mjekësisë klinike në University College Dublin. “Duhet të bëjmë gjithçka të mundur për t'i ndihmuar duhanpirësit të lënë duhanin dhe për t'u siguruar që të rinjtë të mos bëhen të varur nga nikotina”, shtoi ai.

