Fermerët lodhen shumë dhe fitojnë pak, pasi kostot e prodhimit janë tepër të larta për bujqit shqiptarë, të cilëve punimi i tokës dhe gjendja shëndetësore e bimëve u rëndojnë financat. Më shumë se 30% të kostove të prodhimit në sektorin e bujqësisë e zënë pesticidet, ku për vitin 2025 dhe tetëmujorin e vitit 2026, importi i këtyre helmeve në doganë shkoi afërsisht në 25 milionë euro.
Tregu i medikamenteve bujqësore në vendin tonë është në kushtet e oligopolit, që do të thotë se numri i importuesve të mëdhenj që merren me biznesin e ilaçeve bujqësore është tepër i vogël.
Shtatë prej këtyre tregtarëve kanë më shumë se 20 vite që dominojnë tregun e pesticideve. Ata që rrisin çmimin e frutave dhe perimeve për konsumatorët janë të njëjtët njerëz që rrisin edhe fitimin e tyre.
Kompania AGRO-BLEND është në emër të biznesmenit Fiqiri Ismail, ku data e regjistrimit mban vitin 1995.
SHEGAJ-AGR, kjo kompani është hapur në vitin 2007 dhe është në emër të Adriatik Haderit.
Kompania MELDI sh.p.k. është në emër të Elina dhe Mehmet Shahollit dhe është në treg që prej vitit 2002.
ARLI INTERNACIONAL është në treg që prej vitit 1993 dhe drejtohet nga Agim Rameta.
AGROHELP SH.P.K. u krijua në vitin 2004 dhe administrohet nga familja e Aleksandër Kolecit.
AGRO-ZANI, kompani e Ramazan Kapllanit në Berat, në letra është regjistruar në vitin 2021, por aktiviteti i saj ka filluar shumë më herët me tregtimin e pesticideve në farmaci bujqësore.
Dhe e fundit, kompania e Edmond Hidros, e regjistruar në vitin 2007 me emrin INTERLOGISTIC.
Nëse u referohemi shifrave të doganës, vetëm për vitin 2025, këto biznese kanë shkarkuar 1.979 tonë kimikate, ku vlera e tyre kap shifrën e 16,7 milionë eurove.
Nga kategoria e PMB-ve, produktet që shiten më tepër janë herbicidet, ose ilaçet që asgjësojnë barërat e këqija. Vetëm për vitin që lamë pas janë importuar 573 mijë kilogramë herbicide, ndërsa produktet që kushtojnë më tepër, jo vetëm për biznesmenët, por edhe për bujqit, janë fungicidet, preparatet që luftojnë sëmundjet kërpudhore në bimë.
Këto produkte, që kanë emra tregtarë të ndryshëm, por lëndë aktive të njëjtë, për vitin që lamë pas, në sasinë prej 525 mijë kilogramësh, kushtuan 836.639.111 lekë.
Në llojet e kategorive të pesticideve bëjnë pjesë edhe insekticidet, ku për 534.040 kilogramë u paguan 406.545.253 lekë. Kurse 266.647 kilogramë dezinfektantë kushtuan 83.326.227 lekë. Ndërsa produktet më pak të përdorshme janë rodenticidet, pra preparatet kundër brejtësve të arave. Për vitin 2025, 79.188 kilogramë kushtuan 25.248.546 lekë.
Ndërsa për vitin 2026, nga janari deri më 31 gusht, janë importuar 1,25 tonë pesticide, në vlerën e 8,2 milionë eurove.
Autoriteti i Konkurrencës, në vitin 2021, nisi një hetim ndaj këtyre bizneseve, sepse shumë prej tyre, përveçse mbajnë patentën ekskluzive për të importuar pesticide të ndryshme, janë pothuajse të njëjtët që importojnë edhe plehrat kimike. Top Channel

