Personat që janë përfshirë në episodet e dhunshme gjatë protestave kundër qeverisë janë paguar për të krijuar pasiguri dhe për ta detyruar qeverinë të tërhiqet. Kështu deklaroi nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste në Elbasan, Evis Kushi, e cila në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV tha se mazhoranca disponon informacione për përfshirjen e krimit të organizuar dhe ndërhyrje të huaja në rrjetet sociale. Këto pretendime ajo i paraqiti si të dokumentuara, por gjatë deklaratës së dhënë nuk paraqiti prova konkrete. “Patjetër që në protestë ka pasur studentë dhe qytetarë të tjerë, por duhet të ndajmë të dhunshmit nga qytetarët e tjerë të lirë që në mënyrë paqësore dhe në të drejtën e tyre kushtetuese protestojnë për kërkesat e tyre. Ne kishim dyshime dhe informacione për këtë pjesë të dhunshme të protestës, por sot e kemi të dokumentuar që këta persona janë paguar dhe angazhuar për të krijuar këtë pasiguri, klimë terrori dhe për ta bërë qeverinë që të zmbrapset. Ne tani kemi dhe shumë informacione të tjera që do t'i japim çdo ditë, që qytetarët të informohen çfarë ka ndodhur. Që nga viti 2022, pjesa më e madhe e institucioneve publike ishin objekt i sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga Irani. Edhe krimi i organizuar e ka sponsorizuar pjesën e dhunës, por ka dhe ndërhyrje të huaja të fokusuara shumë në rrjetet sociale. Është një dhunë dhe një gjuhë urrejtjeje e madhe në rrjetet sociale, por edhe në media e bulevard”, u shpreh ajo. Kushi u ndal edhe te përplasjet në Kuvend gjatë seancës së së enjtes, për të cilat fajësoi Sali Berishën dhe deputetët e opozitës. Sipas saj, pamjet e dhunës në Parlament janë një shembull i keq për fëmijët dhe të rinjtë. LEXO EDHE:Nga Balluku, te Tahiri, Beqaj e Koka, Berisha nxjerr fotot dhe i përgjigjet Ramës pas listës së protestuesve me precedent penal: Ja ministrat e tu të dënuar! (VIDEO) “Është shembulli më i keq që mund t’i ofrohet brezit të ri, fëmijëve dhe minorenëve, ato pamje që ndodhën në Kuvend”, deklaroi nënkryetarja e Kuvendit. Kushi tha se mazhoranca nuk i mohon problemet dhe kërkesat e studentëve por i qëndron idesë se dialogu ndihmon në zgjidhjen e tyre. “Patjetër që ka shumë punë për të bërë. Nuk themi që reformat kanë përfunduar dhe kemi përmbushur kërkesat e studentëve. Ato të 2018-s ishin protesta legjitime dhe kishin kërkesa të qarta dhe qeveria pas dialogut me ta shtoi edhe pika të tjera, duke filluar jo vetëm nga kushtet siç janë konviktet, por edhe çështje thelbësore për arsimin siç janë tarifat, bursat, transparenca, bordet e administrimit. Prandaj ne si mazhorancë duam dialog, se vetëm dialogu çon drejt zgjidhjes dhe nuk i zëvendëson mekanizmat demokratikë dhe kushtetues. Dialogu na vë në tryezë të diskutojmë dhe shkojmë drejt zgjidhjes. Kam dëgjuar që kërkesa e parë është dorëheqja e kryeministrit. Nuk ka një grup që të jetë përfaqësues i kësaj proteste. Ka kërkesa të ndryshme nga grupe të ndryshme. Janë të paqartë në atë çfarë kërkojnë. Megjithatë kjo nuk na bën që të mos reflektojmë apo të mos i dëgjojmë. Ne jemi të hapur për dialog. Ne po reflektojmë ndonëse nuk jemi ulur në tryezë.”, përfi Kushi. Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur prej 4 ditësh Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me protestuesit por nga ana tjetër ka ndarë protestuesit paqësorë nga ata të dhunshëm duke publikuar fotografitë e 45 personave, të cilët i ka paraqitur si individë me precedentë penalë. U.D/Shqiptarja.com TAG: edi rama protestat kunder qeverise Evis Kushi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Tetor, 13:43
A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.7% Jo 78.3% Disi 3% Vota total: 12266 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43 A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?

