Protesta e nisur paraditen e së mërkurës përpara Ministrisë së Arsimit ka degjeneruar në akte dhune dhe vandalizmi ndaj disa institucioneve dhe bizneseve në kryeqytet. Protestuesit janë zhvendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë ndezur zjarre pranë Kryeministrisë, në zonën e Piramidës dhe pranë Kullave Binjake. Për shkak të tensioneve, policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën, e cila më pas është zhvendosur në drejtim të Parlamentit. Gazetari Ardit Hoxha raportoi se protestuesit janë shpërndarë në disa grupe në lagje të ndryshme të Tiranës, ndërsa një grup më i madh është zhvendosur në zonën e Pazarit të Ri. Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa protesta është shoqëruar me përplasje, zjarre dhe dëmtime të pronës.
