Tetë civilë, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore të ndërmarra nga Jordania në jug të Sirisë. Bombardimet, të cilat u zhvilluan të hënën, kanë shkaktuar gjithashtu plagosjen e katër personave të tjerë, ndërsa kanë nxitur tensione mes Damaskut dhe Amanit. Sipas autoriteteve shëndetësore siriane, trupat e tetë viktimave, mes të cilëve një i moshuar dhe tre fëmijë, janë transportuar në spitalet e provincës Daraa. Të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore, ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Ushtria jordaneze konfirmoi kryerjen e sulmeve ajrore, duke deklaruar se avionët luftarakë kishin goditur disa pozicione në Sirinë jugore, të cilat i cilësoi si strehë të sigurta të organizatave terroriste. Sipas autoriteteve ushtarake të Jordanisë, operacioni kishte në shënjestër anëtarë të grupeve të armatosura, ndërsa gjatë bombardimeve u shkatërruan automjete dhe objekte që dyshohej se përdoreshin prej tyre. Ushtria jordaneze pretendon se disa pjesëtarë të këtyre grupeve janë vrarë ose plagosur. Operacioni ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të qeverisë siriane, e cila deklaroi se nuk ishte njoftuar paraprakisht për ndërhyrjen ushtarake në territorin e saj. Damasku bëri të ditur se ka nisur hetimet për rrethanat e sulmeve dhe se po zhvillon komunikime me autoritetet jordaneze për të sqaruar situatën.
Megjithatë, versioni i palës siriane bie ndesh me deklaratat e Jordanisë, e cila pretendon se bombardimet janë kryer në koordinim me qeverinë e Damaskut.
Sulmet ajrore vijnë vetëm pak ditë pas një ngjarjeje të rëndë në Jordani, ku nëntë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me armë në një kishë ortodokse greke në Hamoud, në provincën Karak.
Sipas autoriteteve jordaneze, persona të armatosur hapën zjarr ndaj besimtarëve gjatë zhvillimit të një ceremonie mortore, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Autoritetet e Amanit pretendojnë se autorët e masakrës kishin lidhje me grupe të armatosura që veprojnë në jug të Sirisë, megjithëse nuk kanë identifikuar publikisht ndonjë organizatë konkrete.
Të hënën, forcat jordaneze të sigurisë arrestuan tre persona të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj kishës, pas një shkëmbimi zjarri.
Ngjarjet kanë rritur tensionet mes dy vendeve, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat e plota të operacionit ushtarak dhe pretendimet e kundërta lidhur me koordinimin e sulmeve ajrore. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

