Jordania ka goditur ato që ushtria e saj i cilëson si "organizata terroriste" në Siri, në hakmarrje për një sulm ndaj një ceremonie funerali që mbahej në kishë ku 9 persona humbën jetën.
Zyrtarët e shëndetësisë sirianë i thanë medias shtetërore se pesë persona, përfshirë gra, fëmijë dhe një burrë i moshuar, u vranë në sulmin ndaj një fshati në provincën jugore Daraa. Jordania tha se avionët e saj luftarakë kishin vrarë dhe plagosur "disa terroristë", pa dhënë detaje të mëtejshme.
Po ashtu përmes një deklarate, Jordania tha se ishte koordinuar me qeverinë siriane, ndërsa nga ana tjetër Siria njoftoi se nuk ishte njoftuar për sulmin e së hënës.
Në përgjigje të sulmit, Siria tha se kishte mbyllur një pikë kalimi kufitar me Jordaninë. "Vendimi përfshin pezullimin e plotë të trafikut të pasagjerëve dhe tregtar në të dyja drejtimet, për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe punëtorëve në vendkalim", thanë autoritetet siriane në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore. Ai shtoi se kishte “hapur kanale të drejtpërdrejta komunikimi” me zyrtarët jordanezë dhe kishte nisur “hetime gjithëpërfshirëse për të përcaktuar rrethanat e plota të shënjestrimit”.
Nasibi është i vetmi kalim kufitar për pasagjerë dhe tregtarë midis Jordanisë dhe Sirisë.
Më herët të hënën, zyrtarë të lartë të sigurisë qeveritare thanë se forcat jordaneze të sigurisë kishin arrestuar dy vëllezër dhe kunatin e tyre për sulmin në kishë.
Drejtoria e Sigurisë Publike (PSD) tha se "terroristët" e paidentifikuar u gjetën të fshehur në një shtëpi të braktisur në Karak para agimit.
Ministri i Brendshëm i Jordanisë, Mazen al-Faraya, i tha televizionit shtetëror se sulmuesit ishin të gjithë jordanezë dhe "ishin fshehur në një ndërtesë në një nga fshatrat pranë vendit të sulmit". /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

