Policia ka dalë me një njoftim zyrtar për incidentin e ndodhur disa orë më parë në Liqenin e Komanit, në afërsi të Lumit të Shalës, ku u përplasën dy skafe. Sipas raportimit të policisë, nga ky aksident kanë mbetur pesë persona të plagosur, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa personat e tjerë që ndodheshin po në skafe nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërkohë, po vijon puna për zbardhjen e plotë të aksidentit dhe gjetjen e shkakut. Njoftimi i plotë i policisë: Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese. Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime. Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Incident në Koman! Përplasen dy skafe pranë Lumit të Shalës, raportohet për disa persona të plagosur

