Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas saj, po përsëritet në rrugët e kryeqytetit, ku adoleshentë dhe të mitur lëvizin me monopatina dhe skuterë elektrikë me shpejtësi, duke rrezikuar këmbësorët.
Në videon e mbërritur në redaksi shfaqen disa adoleshentë duke lëvizur me këto mjete në rrugë. Qytetarja u kërkon të ndalojnë, ndërsa ata vijojnë të largohen me shpejtësi.
“Ndalo këtu, keta adoleshentët na rrezikuan fëmijët e vegjël. Te JOQ jeni të gjithë!”, dëgjohet ajo duke thënë në video.
Sipas qytetares, episodi ka ndodhur në rrugën “Skënder Shtylla”, ku minorenët kanë kaluar pranë saj dhe fëmijëve me shpejtësi.
“Dua të bëj denoncim për këta adoleshentë. Na kaluan me shpejtësi duke na rrezikuar fëmijët e vegjël. Rruga Skënder Shtylla. Ju lutem publikojeni sa më parë që prindërit e këtyre të jenë në dijeni”, shkruan ajo në mesazhin drejtuar redaksisë.
Pamjet rikthejnë në vëmendje shqetësimin për përdorimin e monopatinave dhe skuterëve elektrikë nga të miturit në hapësira ku qarkullojnë edhe këmbësorë. Shpejtësia me të cilën lëvizin këto mjete mund ta bëjë veçanërisht të rrezikshëm kalimin pranë fëmijëve dhe personave të tjerë në rrugë.
Edhe pse përdorimi i këtyre mjeteve është kufizuar me masa ligjore në Shqipëri, raste të tilla tregojnë se ato vijojnë të jenë të pranishme në rrugët e qyteteve.
Përtej këtij rasti konkret, shqetësimi mbetet i njëjtë: një mjet që mund të arrijë shpejtësi të konsiderueshme, në duart e një të mituri dhe në një hapësirë me këmbësorë, mund të kthehet lehtësisht në rrezik për të tjerët.
Qytetarja kërkon që prindërit të jenë në dijeni të mënyrës se si përdoren këto mjete nga fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa përgjegjësia për sigurinë në rrugë mbetet një çështje që kërkon vëmendje nga të gjithë. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

