Një automjet i Policisë është përplasur me një tjetër mjet në Kamëz, në rrethana që ende nuk janë bërë të qarta zyrtarisht.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë automjetin e Policisë të dëmtuar në pjesën anësore, ndërsa mjeti tjetër ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme.
Sipas një dëshmitari në vendngjarje, përplasja ka ndodhur gjatë një ndjekjeje, pasi Policia dyshohet se po përpiqej të bllokonte një person që po largohej. Dëshmitari pretendon se bëhej fjalë për një person që ishte arratisur nga Komisariati i Kamzës, ndërsa një tjetër person që dyshohet se ishte bashkëpunëtor i tij është ndaluar nga Policia.
Nga pamjet nuk mund të konfirmohet nëse automjeti i Policisë i ka dalë përpara mjetit tjetër për ta ndaluar, por pozicioni dhe dëmtimet e dy automjeteve ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si ka ndodhur përplasja.
Sipas dëshmisë së mbërritur në redaksi, personi që dyshohet se ishte në arrati ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Ky informacion, ashtu si edhe rrethanat e ndjekjes, nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Nuk dihet ende nëse ka persona të lënduar nga përplasja.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit të reagojë dhe të sqarojë rrethanat e ngjarjes, nëse bëhet fjalë për një ndjekje policore, identitetin e personit që dyshohet se po ndiqej dhe nëse ka pasur të ndaluar apo të lënduar. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

