Për vite me radhë, prindërit dhe gjyshërit kanë qenë ata që u kërkonin fëmijëve të largoheshin nga telefonat dhe të kalonin më shumë kohë me familjen. Por duket se sot situata ka ndryshuar: gjithnjë e më shumë persona të moshuar po kalojnë orë të tëra duke shfletuar rrjetet sociale, duke shpërndarë video dhe duke ndjekur përmbajtje të ndryshme në internet.
Fenomeni ka marrë edhe një emër të veçantë, “screenagers”, një ndërthurje e fjalëve angleze “screen” (ekran) dhe “teenagers” (adoleshentë), që përdoret për të përshkruar të moshuarit që po bëhen gjithnjë e më të përfshirë në botën digjitale.
Në një artikull të publikuar më 15 nëntor 2026, gazeta spanjolle “El País” trajton këtë prirje, duke theksuar se përdorimi i tepruar i telefonave inteligjentë nuk është më një shqetësim që lidhet vetëm me brezat e rinj. Sipas të dhënave të Këshillit të Lartë të Kërkimeve Shkencore në Spanjë (CSIC), në vitin 2025, 96.3% e personave të moshës 65 deri në 74 vjeç përdornin internetin.
Shqetësimi i specialistëve nuk lidhet me përdorimin e teknologjisë në vetvete, por me rastet kur telefoni fillon të marrë një pjesë të konsiderueshme të ditës, duke zëvendësuar aktivitetet e tjera dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit.
Facebook, WhatsApp dhe videot e shkurtra janë ndër përmbajtjet që tërheqin vëmendjen e kësaj grupmoshe. Ndërkohë, përhapja e materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale dhe e mesazheve mashtruese shton rrezikun që përdoruesit të mos arrijnë të dallojnë informacionin e vërtetë nga ai i manipuluar.
Një tjetër problem lidhet me mënyrën se si funksionojnë algoritmet e rrjeteve sociale. Sa më shumë kohë që një person kalon duke parë ose shpërndarë një kategori të caktuar përmbajtjeje, aq më shumë materiale të ngjashme i sugjerohen. Kjo mund të krijojë një cikël të vazhdueshëm ekspozimi ndaj informacioneve që përforcojnë bindjet ekzistuese të përdoruesit.
Artikulli i “El País” ndalet gjithashtu te rreziku i mashtrimeve financiare, ku personat e moshuar mund të bëhen objektiva të mesazheve që synojnë të përvetësojnë të dhënat personale dhe bankare. Përdorimi i të njëjtave platformave me familjarët mund t’u krijojë atyre një ndjenjë të rreme sigurie gjatë komunikimit edhe me persona të panjohur.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo çdo përdorim i shpeshtë i rrjeteve sociale duhet konsideruar varësi. Për shumë të moshuar, shpërndarja e fotografive, videove apo materialeve argëtuese është një mënyrë për të mbajtur kontaktin me fëmijët, nipërit dhe mbesat, veçanërisht kur ata jetojnë larg.
Specialistët këshillojnë që familjarët të mos i përqeshin apo qortojnë për mesazhet e shumta që dërgojnë, pasi pas këtij komunikimi mund të fshihet thjesht dëshira për të qenë pjesë e përditshmërisë së njerëzve të dashur.
Përdorimi i pakontrolluar i telefonit mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, të kufizojë aktivitetin fizik dhe kontaktet sociale, duke shtuar rrezikun e vetmisë dhe izolimit.
Nga ana tjetër, teknologjia mund të ketë edhe përfitime të rëndësishme për këtë grupmoshë, duke u mundësuar të ruajnë lidhjet familjare, të krijojnë miqësi dhe të kenë më shumë akses në informacion.
Për këtë arsye, zgjidhja nuk është largimi i të moshuarve nga teknologjia, por edukimi i tyre për një përdorim më të sigurt dhe të ekuilibruar të saj.
Fenomeni “screenagers” sjell në vëmendje një ndryshim interesant në marrëdhënien mes brezave me teknologjinë: ata që dikur këshillonin fëmijët të linin telefonin, sot mund të jenë vetë ndër përdoruesit që e kanë më të vështirë të shkëputen prej tij.
Burimi:El País

